Postuar më: 04 Shkurt 2014

Ministri Panariti pret homologun boshnjak Lijanovic: Të rrisim shkëmbimet tregtare mes dy vendeve

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave priti sot në takim Ministrin e Bujqësisë, Administrimit të Ujërave dhe Pyjeve të Bosnje Hercegovinës, z. Jerko Ivanković-Lijanović. Dy ministrat diskutuan për hapësirat e bashkëpunimit mes dy vendeve duke vënë fokusin në rritjen e shkëmbimeve tregtare në fushën e bujqësisë. Ministri boshnjak shoqërohej në këtë takim nga një numër biznesmenësh për të parë nga afër si prodhohen perimet tona dhe për të lidhur kontratat e nevojshme për eksportin e prodhimeve shqiptare. Panariti dhe Lijanovic ranë dakord që të bëjnë përpjekjet maksimale për të larguar barrierat tregtare që ekzistojnë mes dy vendeve. Pas takimit dy ministrat dhanë një konferencë për shtyp.

 

Konferenca për shtyp

 

Ministri Panariti: Unë jam shumë i privilegjuar dhe i nderuar që kam për vizitë zyrtare ministrin, homologun tim te Bosnje-Hercegovinës z. Lijanovic, së bashku me një delegacion të zgjeruar nga zyrtarë të ministrisë dhe përfaqësues të bizneseve bujqësore të Bosnje-Hercegovinës. Ne patëm një diskutim të gjërë dhe të hollësishëm për mundësitë që ekzistojnë mes dy vendeve për të rritur vëllimin e shkëmbimeve tregtare në fushën e bujqësisë, kryesisht duke u mbështetur në avantazhet e krahasuara dhe konkuruese që dy vendet disponojnë në raport me njëri-tjetrin. Dy ishin objektet kryesore të diskutimeve që unë pata me ministrin. Problemi i parë ishte se ne duhet të përpiqemi me vendosmëri për të hequr çdo pengesë, çdo barrierë të panevojshme në shkëmbimin e mallrave bujqësore midis dy vendeve. Ne folëm në mënyrë specifike për mënyrën se si të dy vendet duhet të punojnë për t’i  hequr këto barriera, në mënyrë që prodhimet e të dy vendeve të jenë të pranishme në tregjet respective. Problemi i dytë që diskutova me homologun boshnjak ishte lidhur edhe me eksportet shqiptare në tregjet e Bosnje-Hercegovinës, dhe bëhet fjalë kryesisht për eksportet e perimeve, frutave, për të cilat ne kemi avantazhe të krahasuara dhe konkuruese. Arsyeja pse ministri vjen sëbashku me një grup biznesmenësh është edhe tregues i interesit në rritje të bizneseve të Bosnje-Hercegovinës për të importuar sasira të konsiderueshme të perimeve të freskëta dhe të frutave nga Shqipëria. Me të përfunduar këtë vizitë zyrtare, së bashku me ministrin, ne do të shkojmë në zonat ku këto perime dhe fruta prodhohen me shumicë dhe atje do të takohemi edhe me biznesmenë lokalë, ku biznesmenët e Bosnje-Hercegovinës do të kenë rastin edhe për të diskutuar për lidhjen e kontratave, për furnizimin e tregut të Bosnje-Hercegovinës me perime shqiptare. Nga ana tjetër, Bosnja zotëron avantazhe krahasuese dhe konkuruese me ne për eksportin e prodhimeve të mishit dhe në këtë mes ja ku jemi, të dy vende që i shfrytëzojnë këto dy potenciale në mënyrën më racionale. Sfida jonë është ajo që unë pak më përpara ia përmenda ministrit, që të krijojmë një treg të përbashkët rajonal dhe në këtë mënyrë kontribuojmë në përmirësimin e bilanceve tregtare negative që dy vendet kanë në fushën e prodhimeve bujqësore. Faleminderit!

Ministri Lijanovic: Prodhuesit bujqësorë në Shqipëri duhet të jenë shumë të kënaqur sepse kanë një ministër i cili ka një vizion. Pas takimit tonë bilateral në Berlin, mora dhe ftesën për të ardhur në Shqipëri sepse ministri juaj kishte një vizion. Sot jam këtu për të çuar më tej bashkëpunimin tonë dhe për të shfrytëzuar përparësitë krahasuese si të njërit vend ashtu edhe të tjetrit. Si Bosnje-Hercegovina ashtu edhe Shqipëria importojnë një sasi të madhe të prodhimeve por bashkëpunimi ynë në këtë moment është në nivel të ulët. Qëllimi ynë është të importojmë nga Shqipëria prodhime për të cilat Shqipëria ka përparësi,  siç janë perimet. Po ashtu presim që edhe Shqipëria të importojë nga Bosnja-Hercegovina prodhime të cilat Bosnja-Hercegovina ka përparësi në nivel krahasues, sepse duke qenë  se ne kemi një reliev shumë malor, prodhojmë shumë produkte blegtorale (mishi). Dy vendet tona janë gati fqinj, jemi kaq afër, por kemi pasur jashtëzakonisht pak bashkëpunim. Ne nga ana jonë do të bëjmë maksimumin që prodhimet që vijnë nga Shqipëria të mos jenë të diskriminuara në tregun tonë, por të konsiderohen si prodhime të mira dhe ne do t’i japim mbështetjen tonë maksimale. Në tregun shqiptar prodhimet nga Bosnje-Hercegovina kanë pasur vështirësi dhe të themi disi diskriminim, gjë e cila ka sjellë edhe në prishjen e marrëveshjes së CEFTA-s, të cilën e kemi nënshkruar të gjithë bashkë. Shpresojmë që në të ardhmen kjo gjë nuk do të ndodhë dhe prodhimet nga Bosnje-Hercegovina nuk do të diskriminohen më. Bashkë me mua sot janë edhe biznesmenët të cilët do të vizitojnë prodhuesit tuaj. Unë dhe kolegu im do të mbikqyrim këtë proces dhe do të shohim nëse gjërat do të shkojnë ashtu siç ne kemi rënë dakort. Sot i kam bërë ftesë ministrit Panariti që të vizitojë Bosnje-Hercegovinën dhe të njihet me potencialet e saj.

Pyetje nga gazetaret

Gazetari:  Z.Ministër sa është aktualisht niveli i shkëmbimeve tregtare, për prodhimet bujqësore me Bosnje-Hercegovinën?

Ministri Panariti: Natyrisht shkëmbimi tregtar është i ulët, dhe sfida jonë është që ta rrisim, pasi hapësirat ekzistojnë, siç u përmend duke u mbështetur tek avantazhet tona krahasuse dhe konkuruese.

Gazetari: Si do ta largoni diskriminimin që kanë produktet e të dy palëve? Keni ndonjë strategji?

Ministri Panariti: Po ne biseduam edhe për detajet se si do të bëjmë të mundur që të mos kemi diskriminim të produkteve reciproke. Të jeni të sigurt që së shpejti do të fillojnë masat që të mos krijojmë asnjë lloj pengese për shkëmbimin e lirë të mallrave nga të dyja anët dhe natyrisht duke respektuar atë që është nënshkruar në marveshjen CEFTA

Ministri Lijanovic: Ne shpresojmë që Shqipëria do t’i përmbahet marreveshjes CEFTA dhe mendoj që kjo është diçka krejt normale.