Postuar më: 17 Maj 2016

Projekti PAZA ka nisur vaksinimin e dhelprave kundër sëmundjes së tërbimit.

Për të pestën herë rradhazim ashtu siç dhe është përcaktuar në planin disa vjeçar të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Projekti PAZA ka nisur vaksinimi i dhelprave kundër sëmundjes së tërbimit. Ashtu si dhe në fushatat e shkuara, Projekti PAZA i mbështetur nga Bashkimi Evropian do të zbatojë një procedurë moderne që garanton vaksinimin e sigurtë dhe në një normë të lartë te dhelprat e kuqe, që janë dhe burimi kryesor i shpërndarjes së tërbimit. Mënyra e vaksinimit është e njejtë me atë që është përdorur që prej pranverës së 2014, ku do të jenë avionë të vegjël, të specializuar dhe pajisur me teknologji moderne për të shpërndarë vaksinat e prodhuara posaçërisht për dhelprën e kuqe. Shpërndarja e vaksinës do të kryhet nga ajri, ku avionë të vegjël do të hedhin në mënyrë të kontrolluar një lloj vaksine që është e futur në ushqim të posaçëm për dhelprat. Vaksinat karrem do të hidhen për gjatë një periudhe 2 javore në të gjithë territorin e vendit, përjashtuar qendrat urbane dhe sipërfaqet ujore. Avionët e vegjël, nëpërmjet makinerive speciale do të hedhin 20 vaksina për kilometër katror dhe në këtë fazë do të shpërndahen rreth 500,000 vaksina karrem.Vaksinimi bëhet dy herë në vit, në pranverë dhe vjeshtë. Për të arritur një imunizim të plotë të popullatës së dhelprave nga tërbimi është e nevojshme që vaksinime të tilla të bëhen për 5 vjet rresht.

Ky lloj vaksinimi është kryer me këtë mënyrë në të gjitha vendet e Ballkanit dhe tanimë me mbështetjen e Bashkimit Evropian po kryhet edhe në Shqipëri. Kështu, do të arrihet imunizimi nga tërbimi në të gjithë Ballkanin.

Vaksinimi kundër tërbimit do të bëhet te dhelprat, që janë dhe burimi kryesor i tërbimit, sëmundje me pasoja fatale që transmetohet te qentë dhe te njeriu

Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, nëpërmjet Projektit PAZA do të mundësohet vaksinimi kundër tërbimit, një prej sëmundjeve më të rrezikshme për shëndetin e kafshëve dhe njeriut.

Shërbimi Veterinar Shtetëror do të jetë institucioni shqiptar përgjegjës për mbarëvajtjen e kësaj fushate shumë të rëndësishme për vendin.

Të dhënat nga fushata e vaksinimit të fundit tregojnë se kjo mënyrë ka qenë e suksesshme.

Për më shumë klikoni këtu