Postuar më: 09 Dhjetor 2013

Dita e Mandarinës` në Xarrë të Sarandës, Panariti premton mbështetje për prodhimin vendas

U zhvillua sot në komunën e Xarrës në Sarandë Dita e Mandarinës, një feste që po kthehet në traditë në këtë zonë të njohur në mbarë vendin për prodhimin e agrumeve, vecanërisht mandarinave. Në këtë event mori pjesë dhe Ministri I Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z. Edmond Panariti i cili përgëzoi banorët e zonës për punën e tyre të jashtëzakonshme. Ai garantoi mbështetje financiare përmes subvencioneve për fermerët, me qëllim zgjerimin e prodhimit dhe rritjen e rendimentit. Ministri Panariti u shpreh se Ministria e Bujqësisë do ti qëndrojë pranë këtyre banorëve për ti zgjeruar më tej plantacionet e tyre dhe premtoi mbështetje për të krijuar një markë  të prodhimeve të Xarrës për ta promovuar atë jo vetëm në Shqipëri por edhe në rajon dhe më tej në Europë. Ministri Panariti u shpreh se këto ferma e plantacione në Xarrë mund të shërbejnë si model për krijimin e fermave të tilla në gjithë vendin, për të promovuar zonat në bazë dhe të produkteve të vecanta që ato prodhojnë.
Ministri Panariti garantoi se Ministria e Bujqësisë do të angazhohet për të mbrojtur prodhimin vendas nga produktet kontrabandë qe mund te vijne nga vendet  e tjera. Ai u shpreh se prodhimet vendase do të mbrohen nga konkurenca e pandershme dhe për këtë do të rishikohen cmimet e referencës në  dogana. Ai gjithashtu u shpreh se Ministria që ai drejton do të nxisë eksportet e agrumeve të Xarrës ne vendet e rajonit për te hapur tregun ne gjithë vendet fqinje. Eksportet e pritshme të mandarinave nga zona e Xarrës për këtë vit pritet të arrijnë në 1000 tonë, ku vetëm në Kosovë janë eksportuar rreth 500 tonë. Ministri vizitoi dhe parcelën eksperimentale dhe demostrative ku mbillen varietetet e ndryshme. Vizita e fundit ishte ne qendren e grumbullimit ku fermeret sjellin produktet e tyre, seleksionohen dhe behen gati per tregun vendas apo te te Kosoves.
 Më tej vijoi festa e mandarinës me muzikë e valle të zonës, si dhe një minipanair ku u prezantuan varietetet kryesore të mandarinave, portokallit e limonave. U shpërndanë dhe disa cmime vlerësuese për fermerët e dalluar.