Postuar më: 27 Nëntor 2013

Zhvillohet në Ministrinë e Bujqësisë Simpoziumi i IX Ndërkombëtar mbi Biodiversitetin

Sot në Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave u zhvillua Simpoziumi i IX ndërkombetar mbi Biodiversitetin. Në këtë simpozium merrnin pjesë Ministri i Bujqësisë z. Edmond Panariti, përfaqësues nga Akademia e Shkencave Tiranë, Universiteti Bujqësor Tiranë, Universiteti i Prishtinës dhe Organizata Kombëtare dhe Ndërkombëtare për biodiversitetin.
 
Ministri Panariti e përcaktoi biodiversitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm rural si një nga prioritetet kryesore strategjike të qeverisjes. Ministri vlerësoi se është koha për një përgjigjje dhe reagim radikal ndaj shpërdorimeve dhe keqadministrimit të pasurive natyrore që ka vendi i ynë.
 
Në simpozium u prezantuan prioritetet strategjike të Ministrisë së Bujqësisë për ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të biodiversitetit si një burim shumë i rëndësishëm për zhvillimin rural.
 
Burimet më të rëndësishme të biodiversitetit në vendin tonë janë disa raca lokale të bagëtive të imta dhe të lopëve si dhe disa specie të veçanta të bimëve bujqësore. Ministria e Bujqësisë synon ruajtjen e atyre racave dhe specieve që janë në rrezik zhdukjeje, si dhe krijimin e një fondi kombëtar si burim zhvillimi për prodhimet bujqësore dhe blegtorale tradicionale shqiptare.