Intervista e ministrit panariti per ora news

Edmond Panariti: Pagesa e naftës së fermerëve nis menjëherë pas prodhimit

 

Si pritet të funksionojë skema e përfitimit të naftës pa akcizë dhe pa taksë qarkullimi për serat me ngrohje në të gjithë territorin e Republikës?

Bëhet fjalë për një skemë të mirëmenduar, që përmbush një premtim qeveritar për mbështetjen me naftë pa akcizë dhe pa taksë qarkullimi, gati gjysmë për gjysmë më lirë nga çmimi i tregut, që do t’u shpërndahet fermerëve, posaçërisht atyre që merren me kultivimin e perimeve në sera me ngrohje, pasi ata kanë një normë të madhe të harxhimit të karburantit. Serat me ngrohje jo rastësisht janë zgjedhur si prioritare në mbështetjen me naftë pa akcizë dhe taksë qarkullimi, sepse këto sera luajnë një rol të madh në furnizimin e tregut në periudha kritike të prodhimit të perimeve, veçanërisht në muajt shkurt dhe mars, ku është e pamundur ku në treg të kemi perime të arave. Natyrisht që janë perimet e serave, ato që plotësojnë nevojat e popullatës gjatë kësaj periudhe kohore. Prandaj, ne zgjodhëm që të mbështesim këtë kategori, duke shpresuar që më pas ta shtrijmë këtë skemë të mbështetjes edhe në sektorë të tjerë të prodhimit bujqësor. Bëhet fjalë për mbështetjen e 50 hektarë serave me ngrohje, që përdorin solar dhe naftë. Ne do të shpërndajmë naftë gati më shumë se 40 për qind më lirë se nafta e tregut, duke ndikuar kështu në uljen e ndjeshme të kostos së prodhimit, dhe për rrjedhojë edhe të çmimit me të cilin produkti do të hidhet në treg, apo do të eksportohet, duke krijuar kështu një avantazh konkurrues dhe krahasues në gjithë prodhimin në raport me vitet e ardhshme.

Kur pritet të nisë zbatimi dhe çfarë duhet të bëjnë fermerët për të përfituar nga kjo skemë e Ministrisë së Bujqësisë?

Ne operojmë me kosto fikse, pra praktikisht ne kemi llogaritur sasinë e naftës që duhet apriori, nëpërmjet një analizë të kujdesshme, dhe me një koeficient të mirëmenduar, kemi llogaritur sasinë e naftës që i duhet një sere për të prodhuar prodhim për çdo dynym. Është llogaritur sasia e naftës dhe mbi këtë bazë dhe kemi aplikuar reduktimin gati në 50 për qind të çmimit të naftës. Për të përfituar nga kjo skemë, kultivuesit e serave, duhet të paraqesin te ne faturat e naftës së harxhuar, dhe natyrisht edhe garancinë që prodhimi është prodhuar dhe është shitur në treg. Praktikisht bëhet fjalë për një skemë, e cila është lehtësisht e monitorueshme, pasi ka dalë në treg, ka shkuar për eksport, është prodhuar, dhe ne kemi edhe garancinë që nafta është përdorur, dhe mbi këtë sasi nafte, e cila evidentohet, do të aplikohet edhe përgjysmimi i çmimit, duke i subvencionuar me pagesë direkt në dorë çmimin e reduktuar, që llogaritet rreth 100 mijë lekë të reja për dynym sipërfaqesh serash të mbjella.

Pra, e keni llogaritur edhe koston në buxhetin e shtetit dhe mënyrën si do të mbulohet?

Kjo është pjesë e skemave të subvencionit, të përllogaritura dhe të miratuara që në fillim të këtij viti buxhetor. Pra, paratë janë dhe rimbursimi i tyre do të fillojë menjëherë. Unë jam përpjekur të lidhem me ministrin e Financave, sepse aty ndodhet urdhëresa për të marrë siglimin e tij dhe menjëherë do bëjmë pagesën. Dhe do ta mbyllim këtë shumë shpejt. Pra, fermerët e serave me ngrohje do të përfitojnë menjëherë naftën e lirë. Ne nuk merremi me shpërndarje të naftës, por ne mbulojmë gjysmën e çmimit të naftës, të cilin e ai e ka blerë dhe e ka përdorur për sera me ngrohje. Ne bëjmë diferencën. Nuk shpërndajmë tollona me naftë. Duhet të jesh shumë i organizuar për të parandaluar që ajo naftë të devijojë e të shkojë ndoshta në serbatorët e makinave dhe jo të makinerive bujqësore. Për të parandaluar këtë, ne u morëm me sasinë e naftës të cilën e kemi verifikuar që është përdorur për të ngrohur serat dhe mbi këtë kemi aplikuar masën e subvencionit.

Ka pasur ankesa dhe nga ana e peshkatarëve z. Panariti, që ndodhen në vështirësi për shkak të rritjes së naftës. Çfarë synohet për të bëhet për kategorinë e peshkatarëve?

E di që peshkatarët janë shumë të ndjeshëm, të interesuar që ne t’i ndihmojmë me naftë me çmim të lirë, dhe ne këtë do ta bëjmë duke ndërtuar një skemë që të jetë efektive, e zbatueshme, e monitorueshme dhe që të shkojë direkt në shërbim të peshkimit e peshkatarëve. Gjithashtu, duhet të punojmë të rifreskojmë flotën e peshkimit, duke i pajisur me anije të cilat janë të reja, të gjeneratës së fundit dhe që konsumojnë të paktën dy herë më pak karburant nga anijet aktuale përpara se të aplikojmë masën e subvencionit. Prandaj, do ecim paralelisht në rinovimin e flotës me flotë të viteve të fundit dhe me normë të ulët të konsumit të karburantit dhe njëkohësisht do të aplikojmë edhe masën e subvencionit të naftës, që përdoret në peshkim.

Në fund të janarit keni lëshuar një urdhër që ndalon peshkimin dhe tregtimin e daterit. A keni kryer kontrolle gjatë kësaj kohe?

Në mënyrë të vazhdueshme, AKU ka kontrolluar restorantet si dhe inspekton edhe vendet ku potencialisht mund të peshkohet dateri nëpërmjet dinamitit. Kemi qenë shumë kategorik dhe unë përditë jam në kontakt me AKU-në e përgjithshme dhe ato rajonale dhe përditë ne kemi raste ku ato ndërhynë sa herë që shohin që kemi tentativa për ta shkelur këtë. Jo vetëm nëse e tregtojnë apo e servirin për klientët, por edhe nëse e kanë në meny, restorantet do të penalizohen. Duke ndaluar daterin, ne mbrojmë ambientin, mbrojmë detin, por edhe shkëmbinjtë nënujorë.

Një problematikë në kryeqytet mbeten edhe tregjet e improvizuara anës rrugës. Cilat janë masat që kemi marrë ju si dikaster për shmangien e këtij fenomeni shqetësues?

Kjo është diçka vërtet e papëlqyeshme. Kjo ka të bëjë me pushtetin lokal, pasi minitregjet janë kompetencë e këtij pushteti. Nga ana tjetër, duhet të bëjmë të pamundurën që të largojmë nga trotuaret, nga rruga, nga pluhuri dhe nga balta tregtuesit e prodhimeve ushqimore. Këtu kemi të bëjmë natyrisht me një problem social, pasi një pjesë e tyre sigurojnë të ardhurat për familjet. Ne nuk kemi asgjë ndaj prodhuesve të vegjël, vetëm se këto duhet të sistemohen në vendet e autorizuara, ku të tregtojnë produktet e tyre sipas parametrave të cilësisë dhe sigurisë.

Një tjetër shqetësim ka të bëjë me ekzistencën e shumë tregjeve informale, që gjenden pothuajse në çdo rrugë dhe trotuar të kryeqytetit. Çfarë keni bërë ju dhe dikasteri që ju drejtoni në drejtim të ruajtjes dhe garantimit të sigurisë ushqimore të konsumatorëve?

Para disa ditësh, unë isha në krye të një misioni inspektues në tregjet e kryeqytetit, ku kishim për qëllim inspektimin e banakëve frigoriferikë, dhe meqenëse jemi edhe në stinën e nxehtë, duhet të bëjmë të pamundurën që zinxhiri ftohës i ruajtjes të prodhimeve me origjinë shtazore të jetë funksional. Pas inspektimeve, ne konstatuam se kishte një pjesë të tyre që kishin shmangie nga temperaturat e ruajtjes, ku ne bëmë paralajmërimet e nevojshme, si dhe vendosëm edhe gjoba. Por, në përgjithësi kushtet zbatohen dhe produktet ruhen në temperaturën e duhur. Nga ana tjetër, higjiena e lokaleve, e dyqaneve duhet të jetë maksimale. Përveç pajisjeve që duhet të dezinfektohen, unë insistova që shitësit të jenë të pajisur me doreza. Dhe njëkohësisht, të gjithë shitësit e prodhimeve me origjinë shtazore, prodhimeve ushqimore duhet të jenë të pajisur me certifikatë shëndetësore, në mënyrë që të mos jenë bartës të infeksioneve të ndryshme, që mund të rrezikojnë konsumatorin. Natyrisht, kjo është një sfidë që fillon që nga ferma. Unë personalisht dhe ministria që unë drejtoj punojmë me principin ‘Nga ferma në tavolinë’ dhe për të garantuar 100% sigurinë dhe cilësinë e produkteve ushqimore, duhet që kjo të fillojë që nga ferma.

Së fundmi, ju keni pasur një takim në zonën e Lushnjes, ku keni bërë apel për çlirimin e tokave shtetërore të zaptuara nga shtetas të ndryshëm. Si po ecën zbatimi i ligjit 7501?

Prona është e shenjtë dhe është themeli i sistemit që kemi zgjedhur të ndërtojmë, që është sistemi i tregut të lirë. Dhe kur them prona është e shenjtë, bëhet fjalë jo vetëm për pronën shtetërore, por dhe për atë private. Ne jemi të vendosur që të çojmë deri në fund, me vendosmëri, ligjin 7501, ligjin e reformës agrare, të ndarjes së titujve të pronësisë. Ministria e Bujqësisë e ka thuajse të finalizuar procesin e ndarjes së titujve të pronësisë. Tani sfida është që titujt e pronësisë të kthehen në certifikata të pronësisë, sepse vetëm si certifikatë pronësie subjekti mund të konsiderohet ‘de-juro’ pronar i asaj cope toke që e ka përfituar nga ky ligj dhe sipas rastit mundet ta shesë, ta japë me qira apo ta vendosë si kolateral në marrjen e një kredie. Dhe ky është thelbi i reformës sonë. Ne do t’i shkojmë deri në fund këtij procesi, sepse kështu do të çlirojmë shoqërinë shqiptare nga një konflikt disavjeçar, që ka qenë madje burim i tragjedive të mëdha. 

Per me shume klikoni ne : http://www.oranews.tv/puntate/intervista-ora-1630-edmond-panariti/