Intervista/ Flet ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Edmond Panariti: Objektivi ynë të ndërtojmë bujqësinë e zinxhirit të vlerave

Intervista/ Flet ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave

Edmond Panariti: Objektivi ynë të ndërtojmë bujqësinë e zinxhirit të vlerave

Bujqësia jonë do të rrisë kontributin në ekonominë kombëtare në Prodhimin e Përgjithshëm Bruto dhe ajo që është më kryesorja, do të përkthehet në të ardhura më të mëdha për ekonominë kombëtare dhe për individin

Edmond Panariti: Pajisja me NIPT, përfitim dhe jo detyrim tatimor për fermerët

Procesi i identifikimit, i regjistrimit, i pajisjes me numër identifikimi të prodhuesit është një proces, i cili nuk i nënshtrohet asnjë lloj detyrimi tatimor. Në momentin që ti identifikohesh, regjistrohesh, ti vetëm ke përfitim, sepse normalisht pastaj fondet e subvencionit shtetëror janë të bazuara mbi këto data-base të prodhuesit

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, ka deklaruar se objektivi kryesor i dikasterit që ai drejton është ndërtimi i një bujqësie të vlerave, gjë që, sipas tij, do të çojë në rritjen e kontributit të këtij sektori në ekonominë kombëtare, duke u përkthyer në të ardhura më të mëdha për ekonominë kombëtare dhe për individin në veçanti. Duke folur në një intervistë për televizionin ‘Scan’, kreu i Bujqësisë ka bërë me dije se prioritetet kryesore për 2016-n janë rritja e ofertës së prodhimit bujqësor dhe sipërfaqeve me sera.

Z. Panariti si do ta cilësonit këtë vit të Ministrisë së Bujqësisë? Kemi të bëjmë me dështim apo sukses në përmbushjen e objektivave përgjatë këtij viti?

Nëse do thosha se ku është bujqësia këtë vit, në krahasim me një vit më parë, ose krahasuar me shumë vite të tjera të mëparshme do të thosha se ky është një vit historik i bujqësisë shqiptare për nga prodhimi bujqësor. Ka pasur një prodhim të bollshëm dhe eksporte të jashtëzakonshme. Kjo ka qenë surprizë, pasi ky vit filloi me mënyrën më të keqe të mundshme, me përmbytje. Të gjitha pritshmëritë ndaj bujqësisë ishin shumë të rezervuara. Organizmat që merren me vlerësimin e performancës së bujqësisë projektuan një rënie të bujqësisë sepse situata ishte vërtet dramatike. Pati dëmtime të kulturave bujqësore dhe të blegtorisë. Do të bëjmë të ditur rezultatet në shifra të Ministrisë së Bujqësisë. Bujqësia këtë vit është rritur ndjeshëm. Kemi pasur dyfishim të prodhimit bujqësor dhe eksporteve. Në rang kombëtar eksportet bujqësore kanë qenë 60 për qind. Por, në rrethet kryesore siç janë rrethi i Elbasanit, i Beratit, i Lushnjës, ne kemi pasur dyfishim të eksporteve bujqësore. Jo vetëm kaq, por kemi zgjeruar edhe hartën e vendeve eksportuese. Ne madje kemi shkuar deri edhe në tregjet e Lindjes së Largme. Këto janë potenciale të mëdha që duhet t’i shfrytëzojmë. Me zgjerimin e tregjeve ne duhet ta rrisim sa më shumë prodhimin. Megjithatë, bujqësia jonë ende është nën potencialin e saj. Ne kemi hapësira shumë më të mëdha për të prodhuar dhe eksportuar më shumë, natyrisht pasi të plotësojmë nevojat e vendit. Vetëm një bujqësi që eksporton është një bujqësi që zhvillohet dhe që rrit kontributin e saj në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Ne shpresojmë që këtë trend pozitiv ta ruajmë edhe në vitin në vazhdim. Statistikat e Bashkimit Evropian tregojnë se Shqipëria është i vetmi vend në rajon bujqësia shqiptare rrit peshën e saj në ekonominë kombëtare. Kjo nuk ndodh me vendet e tjera të rajonit, si në Maqedoni, Serbi, dhe Kosovë. Bujqësia ka treguar rritje të peshës së saj. Një nga pengesat është fragmentimi dhe ne kemi gjetur mekanizmat sesi do ta kapërcejmë këtë fragmentim. Ne ndjekim dy rrugë për të konsoliduar tokën dhe për të kapërcyer fenomenin e fragmentimit të tokës, e cila e bënte bujqësinë tonë jo konkurruese. Këto dy mekanizma ecin më shpejt me njëri-tjetrin për të kapërcyer fenomenin negativ të fragmentimit të tokës. Përqasja jonë e parë ishte që të çojmë drejt finales ligjin 7501 dhe të hapej tregu i tokës. Por, kjo kërkon kohë, pasi ka mospërputhje të hartës me atë që gjendet në terren. Këto duhen rimatur. Ne duam t’ia lehtësojmë këtë procedurë fermerët, duke i mbuluar kostot e matjes. Për të kapërcyer këtë pengesë, kemi gjetur mekanizimin e ri që funksionon, sidomos në zonat fushore. Janë shoqëritë e bashkëpunimit ato të cilat i japin një impuls të madh.

Cila është ajo paketë që ka ndërmarrë Ministria e Bujqësisë dhe që u ka ardhur në ndihmë fermerëve dhe agropërpunuesve? Cili është kulmi i investimeve të Ministrisë së Bujqësisë për këtë vit?

Kulmin e tregon rezultati. Kjo rritje e bujqësisë i dedikohet një mënyre të re të harxhimit të shpenzimeve të parave publike. Bujqësia nuk mund të trajtohet si sektor që ka nevojë për asistencë sociale, pra fondet e bujqësisë nuk mund të shpërndahen si ndihmë sociale për të ushqyer bujqësinë e mbijetesës. Këto fonde u takojnë një mase të gjerë individësh, fermerësh dhe bujqish. Kjo është ndryshim filozofie. Ndaj paratë tona kanë shkuar në ato segmente të bujqësisë që i interesojnë dhe ndikojnë në një masë të gjerë fermerësh dhe bujqish. Cilat janë këto? Pikat e grumbullimit. Cili është nderi më i madh që mund t’i bëhet fermerit, t’ia blejmë produktin. Atëherë i gjithë investimi që ai ka bërë i kthehet mbrapsht. Kemi harxhuar para’ duke mbështetur pikat e mëdha të grumbullimit, në mënyrë që fermeri të prodhojë dhe të dorëzojë në mënyrë të sigurt. Në rast se do të mbështeteshim, kryesisht duke targetuar individin, pra të shpërndanim para për ‘bamirësi’ bazuar në inkurajimin e përpjekjes kjo jo gjithmonë jep rezultat.

Lufta ndaj informalitetit ka qenë në qendër të vëmendjes së qeverisë, por edhe në sektorin bujqësor që është një ndër sektorët më informalë aktualisht. Çfarë efekti ka dhënë kjo te fermerët? A kanë filluar ta kuptojnë fermerët që të formalizuar do të kenë më shumë përfitime ndaj fondeve, ndaj subvencioneve?

Dëshiroj të sqaroj diçka, e para e punës në bujqësi ky proces i formalizimit vërtet është rregulluar me akte normative por asnjëherë nuk ka qenë i imponuar, i dhunshëm, i detyruar. Por vetë fermerët kanë arritur të kuptojnë që të jesh informal nuk ka më leverdi. Pse nuk ka leverdi? Sepse informal, ti nuk je pjesë e vëmendjes të asnjë lloj asistence, qoftë me grande, qoftë me fonde nga buxheti i shtetit, qoftë me projekte të BE, të cilët kanë si parakusht identifikimin e prodhuesit, dhe e dyta banka nuk të jep kredi. Në qoftë se ti nuk je i identifikuar si fermer, si do paraqitesh në bankë? Pra, duhet të jesh një subjekt i identifikuar. Fermerët e kuptojnë dhe nuk ka nevojë të bësh shumë propagandë. Procesi i identifikimit, i regjistrimit, i pajisjes me numër identifikimi të prodhuesit është një proces i cili nuk i nënshtrohet asnjë lloj detyrimi tatimor. Në momentin që ti identifikohesh, regjistrohesh, ti vetëm ke përfitim, sepse normalisht pastaj fondet e subvencionit shtetëror janë të bazuara mbi këto data-base të prodhuesit.

Cilat janë efektet e para?

Efektet e para sigurisht janë ndier sepse ky vit ka qenë i suksesshëm. Rezultatet janë të ndjeshme. Viti që vjen është viti ku pritet vërtet të kemi impakt më të madh pozitiv të procesit të formalizimit për fermerët, sepse edhe gjithë masat e lehtësimeve fiskale të rimbursimit të TVSH, dhe për gjitha pagesat që bëjnë për çdo njësi prodhimi të prodhuar dhe dorëzuar në pikat e grumbullimit bëhen vetëm tek ata fermerë, të cilët janë të pajisur me niptin dhe kartën e fermerit. Fermerët që nuk janë të pajisur me NIPT janë të padukshëm. Ata janë pre e bujqësisë së mbijetesës, punojnë në të zezë, dhe në këtë mënyrë je komplet i ekspozuar nga shumë rreziqe, nuk je përfitues nga grandet, nga kreditë.

Duhet të flasim pak edhe për problematikat me të cilat është përballur bujqësia gjatë këtij viti. Ka pasur probleme me bllokimet e produkteve shqiptare në kufij, kryesisht me Maqedoninë apo disa reforma të cilat nuk kanë ndikuar mirë, le të themi, te grupet e interesit, si ndryshimi i normave të miellit, e me radhë. Cilat kanë qenë efektet që kanë dhënë këto lloj problematikash dhe a mund të ishin parandaluar?

Ju shtuar me të drejtë një problem të pengesave, të bllokimeve në kufi. Duhet të dini që Shqipëria nuk është i vetmi prodhues i prodhimeve bujqësore. Kjo është një konkurrencë, nganjëherë shumë e egër. Vende të veçanta paraqesin instrumente të ndryshëm për të penguar njëri-tjetrin, pavarësisht se askush nuk e deklaron, aq më tepër që marrëveshja e tregtisë së lirë i pengon këto vende që të bëjnë bllokada dhe pengesa njëri-tjetrit. Por kjo ndodh de facto. Sidomos një element spekulativ i pengesave, i stërkëmbëshave që i vendosin vendet njëri-tjetrit, janë marrëveshjet fito-sanitare, pra nën pretekstin e kontrolleve për cilësi dhe siguri të ushqimit, ndalohen kamionët tonë, siç ndodhën me rastin e Maqedonisë. Prandaj ka qenë shumë i rëndësishëm takimi që kemi bërë me ministrat e rajonit, tashmë është kapërcyer me Maqedoninë.

Efektet negative janë rikuperuar?

Sigurisht që janë rikuperuar. Tashmë trau i doganës nuk ulet më për kamionët tanë. U ul me pretekstin e analizave për pesticide, që në fakt është e drejtë e çdo vendi për t’i kryer, por këto bëhen mbi bazën e riskut të rrezikut. Ndërkohë me Kosovën ne kemi një frymë bashkëpunimi, sidomos për çështjen e standardeve të miellit. Ju e dini që unë ndërmora një nismë për të vendosur standardet e cilësisë së miellit, pasi e gjeta këtë sektor komplet pa standarde. Hynte miell i kategorive të ndryshme, që ishin jashtë standardeve dhe që mund të paraqisnin rrezik për konsumatorin, apo për cilësinë e prodhimit. Vendosëm një set standardesh, kërkuam fillimisht që këto t’i përqafonte edhe Kosova. Jemi në proces diskutimi. Unë kam kërkuar edhe një grup francez nga Ministria e Bujqësisë së Francës, pasi ministri i Bujqësisë së Francës na premtoi që do të na ndihmonte me këto standarde. Këto standarde tashmë janë firmosur nga unë dhe kërkohen që të zbatohen nga të gjithë prodhuesit vendas apo ata që importohen.

Një problem tjetër janë edhe përmbytjet. Çdo vit ndodh e njëjta skemë, në fillimvit dhe në fundvit veriu dhe jugu përmbyten dhe ne na duhet të kompensojmë dëmet. Çfarë masash u morën këtë vit dhe çfarë masash po merren në vazhdim për të parandaluar këtë problem shqetësues?

Në ka një problem në bujqësinë shqiptare që për mua paraqet një ankth në vazhdim, janë përmbytjet, sepse dihet infrastruktura e kullimit dhe e vaditjes tek ne, për shkak të arsyeve tashmë të ditura këtu e 20 vite me radhë, për shkak të ndërtimeve abuzive të bëra mbi shtretërit e lumenjve, mbi kolektorë, mbi kanale. Ne kemi sfida të rënda, të cilat po i përballojmë duke rritur masën e investimeve për pastrimin e kanaleve, riparimin e hidroforëve, riparimin e argjinaturave, ndërtimin e digave. Mirëpo gjatë punës kemi edhe pengesa të karakterit social, duhet të heqim një banesë. Që të heqim një banesë, ajo është në proces legalizimi. Kuptohet, duhet kompensuar. Duhet të hysh në proces gjyqësor nëse ke të drejtë të prishësh, sepse procesi i legalizimit këtë ka që, ndërhyrjen nuk mund ta bësh, sepse pronari hap më pas një proces gjyqësor, të vonon në masën e ndërhyrjes, shpeshherë kemi bërë apel, por kjo nuk është vetëm çështje apeli. Ndërkohë, në këto 20 vite u ndërtuan në mënyrë abuzive me qindra banesa dhe objekte prodhimi buzë shtretërve të lumenjve. Lumi del nga shtrati në rastin e përmbytjeve të jashtëzakonshme. Kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por ndodh kudo edhe në vendet fqinje. Por, në këto vende askush nuk ka ndërtuar buze shtretërve të lumenjve. Kanë ndërtuar buzë kodrave. Prandaj, sfida jonë afatgjatë do të jetë largimi sa më parë i këtyre objekteve që prishin çdo lloj plani urbanistik, shkatërrojnë infrastrukturën e kullimit dhe të vaditjes dhe natyrisht shteti duhet të përgatitet dhe për t’u krijuar atyre alternativa ku të zhvendosen, një proces ky i kushtueshëm. Ndërkohë, ne po vazhdojmë me një investim të jashtëzakonshëm në argjinatura dhe në diga. Në zonën e Vjosës janë 15 pika ku po ndërhyhet, me diga, me argjinatura të papara më parë, që synojnë distilimin e shtratit. Por, problemi është më kompleks, pasi nuk ka të bëjë vetëm me investimet në shtretërit e lumenjve, në argjinatura dhe në diga, pro duhen liruar edhe kanalet e dyta dhe të treta, që kalojnë nëpër parcela private. Por ç‘ndodh kur ai ka ndërtuar mbi atë kanal? Atëherë nuk merre vlerë edhe investimi i madh që ti ke bërë në shtretërit e lumenjve, sepse praktikisht kanali kryesor funksionon, por nuk tërheq, sepse ky ka bllokuar kanalin e tij të tretë.

A po ndërhyhet në këtë pjesë?

Po ndërhyhet dhe kjo ka qenë arsyeja se përse ne vendosëm këtë vit që kanalet e dyta dhe të treta t’u kalojnë bashkive në administrim, sepse e pamë që momenti i ngërçit ku Ministria e Bujqësisë, për shkak të kapilarizimit të rrjetit, nuk kishte fuqi për të depërtuar deri në fshatin më të largët të një zone. Menduam që me organizimin e hartës së re pushtetit lokal, ku tashmë bashkitë kanë kontroll administrativ mbi territorin, do të ishte bashkia ajo që do të ishte ndjekja më e mirë e kapilarizimit të rrjetit të vaditjes.

A i kanë kapacitetet e duhura këto bashki?

Këtë vit ne na janë alokuar 2.5 miliardë lekë fonde për kanalet e dyta dhe të treta, të cilat nuk do t’i administrojmë ne, por do t’i kalojnë bashkive. Kjo është një masë e konsiderueshme parash, pasi janë gati 25 milionë dollarë, të cilët do të shpenzohen kryesisht për pastrimin e kanaleve të para dhe të dyta, të sistemit të vaditjes dhe të kullimit.

Me gjithë këto që thamë, a do të përballemi edhe vitin që vjen me po të njëjtën situatë?

Unë nuk mund të bëj këtu parashikimin për këtë gjë. Mund t’ju garantoj se ne do të vazhdojmë fuqishëm me investimet në hidrovore, në kanale kryesore, në diga. Pushteti lokal do të jetë komplementar i këtyre ndërhyrjeve, në kanalet e dyta dhe të treta. Ndërkohë, sigurisht që ne jemi në gjendje alerti. Kemi qenë të klasifikuar ndër vendet më të riskuara për këtë vit nga stacionet meteorologjike, që parashikojnë përmbytjet dhe katastrofat natyrore, prandaj ajo që mbetet për t’u parë është që ne të jemi sa më efecientë për t’u përgatitur në situata katastrofale të përmbytjeve, ku duhet të punojmë me disa skenarë. Skenari i parë është që të punojë në mënyrë sa më efecient sistemi i hidrovorëve, mos kemi ndërprerje të energjisë elektrike, të rrjedhë uji në kanalet kryesore, të hidhet në det nëpërmjet motopompave uji në zona depresive dhe njëkohësisht të kemi diga sa më solide në mënyrë që të mos çahen nga presioni i ujërave. Por, kemi pasur raste në disa vende kur ka ndodhur edhe zhvendosja masive e popullatave dhe në këto raste nuk është misioni vetëm i Ministrisë së Bujqësisë, por edhe i strukturave të rendit, pushtetit lokal që të organizojë planet e spostimit, e zhvendosjes në mënyrë që të garantohet ruajta e jetës së njerëzve dhe gjësë së gjallë.

 

Som......1

Ne kemi sfida të rënda, të cilat po i përballojmë duke rritur masën e investimeve për pastrimin e kanaleve, riparimin e hidrovorëve, riparimin e argjinaturave, ndërtimin e digave

Som......2

Bujqësia këtë vit është rritur ndjeshëm. Kemi pasur dyfishim të prodhimit bujqësor dhe eksporteve. Në rang kombëtar eksportet bujqësore kanë qenë 60 për qind.

 

Box.......1

Subvencionet në 2015-n

Ka qenë afërsisht rreth 11.5 milionë euro. Mendoj se këtë vit do të shpërndajmë më shumë mbështetje për fermerët. Kjo është e rëndësishme, por akoma më e rëndësishme është se ku t’i shpenzosh këto para, në mënyrë që impakti i tyre të jetë më i lartë. Prandaj, duke investuar në krijimin e këtyre enëve. Ne mblidhnim çikërrima. Përgjithësisht profili i bujqësisë shqiptare ka qenë: fermeri prodhonte, grumbullonte vetë dhe dilte buzë rrugës, në pasigurinë e shitjes, i shiteshe apo nuk i shiteshe. Ky model nuk mund të ishte zhvillimor për bujqësinë. Ai kryesisht ushqente bujqësinë e mbijetesës. Si e kapërcyem ne këtë? Fermerët i kërkuan të bënte vetëm prodhuesen. Dhe ne investuam në krijimin e pikave të grumbullimit të cilët, e orientojnë fermerin, në tipologjinë e prodhimit që ai të prodhojë, jo në atë që ai mendon që është më e mira, por atë që kërkon tregu. Dhe kush ishin këta aktorë, të cilët e orientonin fermerin se cila është më e mira? Janë pikërisht grumbulluesit, ata kanë lidhje me tregjet e brendshëm, me tregjet e jashtëm, ata dinë çfarë tipi produkti kërkohet, dhe orientojnë fermerin duke shpërndarë edhe farën dhe fidanët për tipin e prodhimit që do të kultivohet. Fermerët prodhuan atë për të cilën kishte nevojë tregu. Pra kishte nevojë tregu për luleshtrydhe, fermerët u bashkuan, prodhuan luleshtrydhe, kishte nevojë tregu për perime, fermerët u organizuan, dhe vunë në dispozicion ato segmente të vogla që i kishin veç e veç, i bashkuan dhe ishin de facto aksionerë. Pasi je brenda shikon që është shumë më orientabël të jesh pjesë e këtij bashkimi, të jesh aksioner në një sipërmarrje e cila është shumë më konkurruese, sepse ka një tip prodhimi që kërkohet nga tregu, ka sipërfaqen e mjaftueshme për të qenë konkurruese.

 

Box......2

Objektivat për vitin 2016

Kemi trashëguar një bujqësi problematike. Nuk dua t’i bëj të gjithë përgjegjës, por klasa politike ka qenë përgjegjëse për një menaxhim jo të mirë të këtij sektori, edhe për një kompleks arsyesh, pasi nuk ka qenë e lehtë. Nuk jam këtu për të thënë që ne jemi më të mirë dhe ata që kanë qenë para nesh kanë qenë më të keq. Por, mendoj që rruga që kemi zgjedhur edhe e duhura. Jam i sigurt që e njëjta rrugë do të ndiqet edhe nga pozita e nesërme kur të vijë në pushtet, pasi nuk bëhet fjalë për një model partiak zhvillimi, bëhet fjalë për një model ekonomik të zhvillimit. Kush është ky model? Do të rrisim ofertën e prodhimit bujqësor, ne duhet të prodhojmë më shumë. Si do ta bëjmë këtë? Duke rritur sipërfaqen me sera, sepse kuptohet që bujqësia me sera është bujqësi me çati, bujqësi që rrit rendimentet tre deri në katër herë në krahasim me bujqësinë në terren të hapur. Dhe njëkohësisht, krahas rritjes së ofertës, ne duhet të kemi kujdes që të kemi edhe kapacitetet grumbulluese, pasi mund të kesh ulje të ofertës dhe pastaj nuk ke ku e çon prodhimin. Dhe njëkohësisht lidhja e kontratave me eksportuesit dhe me tregjet në kohën e duhur, në mënyrë që prodhimi të evadohet në kohë. Objektivi është të ndërtojmë bujqësinë e zinxhirit të vlerave, ku prodhimi të lidhet me grumbullimin dhe me tregun. Në rast se këto komponentë nuk lidhen me njëri-tjetrin, atëherë ne futemi në modelin e bujqësisë së pasigurt, e cila nuk të jep siguri, krijon ankth, të ardhura të paqëndrueshme dhe ky model duhet të ndryshojë. Dhe po ndryshon por sapo ka filluar. Mendoj që bujqësia jonë do të rrisë kontributin në ekonominë kombëtare në Prodhimin e Përgjithshëm Bruto dhe ajo që është më kryesorja, do të përkthehet në të ardhura më të mëdha për ekonominë kombëtare dhe për individin.