Intervista për emisionin "7 pa 5" në Vizion Plus

Ministri Panariti: Të rrisim prodhimin bujqësor, të rrisim eksportin dhe njëkohësisht të rrisim të ardhurat për vendin

Do të doja ta nisnim këtë bisedë nga përmbytjet, dy ditët e fundit ka pasur rreshje të shumta shiu dhe donim të dinim si paraqitet situata sidomos në zonën e Lezhësse, kam përshtypjen se ishit në inspektim aty dje?

Po, kjo është një situatë tërësisht atipike, por është një realitet dhe po përballemi me situata rreshjesh tropikale shumë intensive në një periudhë ku normalisht do të duhej të përballeshim me thatësirë dhe duhet të ishin problemet e ujitjes në plan të parë, por ja që po dalin problemet e kullimit. Për një hark kohor prej 3-4 orë në qarkun e Lezhës kanë rënë 10 milimetra rreshje shi, gjë që ka bërë, që përrejntë malorë të jenë të papërmbajtshëm, kanalet pavarësisht se janë në gjendje relativisht funksionale kanë qënë të pamundur të përballojnë gjithë këto vërshime shi, ka pasur dalje nga shtrati të ujrave të kanaleve dhe më rezulton afërsisht rreth 500 – 600 ha toka të përmbytura. Megjithatë më lejoni t’ju theksoj diçka, që në momentin kur kemi pasur rreshje, i gjithë bordi i kullimit nën drejtimin tim ka qënë në operativitet të plotë dhe ne kemi frenuar një situatë e cila mund të ishte katastrofike.  Pra, praktikisht me ndërhyrje të menjëhershme me draga, me skavatorë tek kanali i ujërave të larta të Kurbinit u bë e mundur që kanali të evadonte ujë , uji të rridhte dhe në këtë mënyrë u përmbajtën ujrat për të mos dëmtuar akoma më shumë banesa, dhe nëse nuk do të  kishim ndërhyrë në kohë mund të kishim edhe kërcënim të jetëve njerëzore. Por, unë isha sot për të parë se si mund të ndërhyjmë në mënyrë të artikuluar dhe të mirëmenduar për të disiplinuar ujërat ku përveç hapjes së kanalit, zgjerimit të tij njëkohësisht dhe riparimit të portave të kanaleve vaditëse të cilat janë të bllokuara, të cilat në një farë mënyre tërheqin ujin dhe ato në vetvete. Ka kohë që ato nuk mirëmbahen, nuk ka ndërhyrje.  Unë tërhoqa vëmendjen edhe të pushtetit lokal por njëkohësisht edhe të bordit të kullimit dhe të gjithë strukturave të bujqësisë së rrethit, që duhet urgjentisht të fillojnë të punojnë menjëherë tani sapo të përmirësohet koha, pasi duke filluar që nga nesër dhe në vazhdim do kemi përmirësim të kohës, të fillojmë të kemi ndërhyrje për ndërtimin e pritave malore, prita me gardh dhe prita me beton, pasi këto bëjnë të mundur që ujrat e perrenjve të frenohen dhe të mos kemi ,si të thuash, flukse të tepruara të tyre në kanalet kryesore. Nga ana tjetër unë vajta dhe inspektova njëkohësisht dhe hidrovoret. Për fat të keq më rezultoi kur shkova të inspektoj  hidrovorin e Tales, që ishte pa korrent, pavarësisht se pompat janë tërësisht funksionale dhe janë gati për të tërhequr, nuk ishin të furnizuara me energji elektrike, morëm të gjitha masat dhe hidrovori menjëherë u furnizua me energji elektrike, por kjo më tërhoqi vëmendjen dhe unë insistova pranë Keshit që hidrovori të pajiset me dy linja, me dy linja të pavarura të furnizimit me energji elektrike. Për fat të mirë ai hidrovor ka në afërsi dy nënstacione, të cilët nuk janë të varur nga njëri tjetri, pra edhe sikur të prishet njëri nënstacion përsëri nënstacioni tjetër është funksional. Duke pasur dy linja ushqyese garantohet furnizimi i plotë dhe 24 orë pa ndërprerje i hidrovorit të Tales. Nga ana tjetër , ajo që unë insistova është që të pastrohen zgarat, pasi nga mbeturinat, nga aluvionet ka papastërtira të cilat bllokojnë kullimin dhe ajo që është më esenciale dhe që kërkohet natyrisht të vihet në vëmendje të komunave është që t’u tërhiqet vëmendja fermerëve që të mbajnë hapur kanalet dytësore. Kanalet dytësore dhe tretësore kalojnë nëpër parcelat individuale, ato vërtet kalojnë nëpër parcela private, individuale por ato janë pronë publike, sepse vihet re që në disa raste fermerët ato i sheshojnë, i rrafshojnë për të fituar tokë. Kjo është një thyerje e ligjit sepse edhe me ligjin 7501 pavarësisht se kanali kalon në tokën tënde private, ai nuk preket, ai kanal duhet të kullojë vazhdimisht ujë, pra kërkohet bashkëpunim edhe me feremerët . Natyrisht funksioni i hidrovoreve, i kanaleve të parë, i zgarave, mbajtja hapur e kanaleve, vendosja e pritave malore bënë të mundur që të kemi një sistem integral të parandalimit të përmbytjeve. Kjo është një sfidë e madhe, aq më tepër që me ngrohjen globale vendi ynë po kalon në një periudhë tashmë në një dekadë të ngrohjes globale. Ne kemi ndryshim të regjimit të rreshjeve, nuk kemi atë rregjim tipik ku rreshjet përgjithësisht përqëndroheshin në periudhën e vjeshtës dhe të dimrit, dhe pranvera dhe vera ishin tipikisht më me pak rreshje, por tani kemi një fluks të madh të rreshjeve madje të rrëmbyera në fund të pranverës dhe në fillim të verës dhe askush nuk mund të thotë që këtë situatë nuk do ta kemi as në korrik dhe në gusht. Pra ne duhet të përgatitemi për situata të përmbytjes edhe në stinën e thatë.

Nëse do të kemi edhe në korrik edhe në gusht shira të rrëmbyshëm, mund të themi se e kemi situatën nën kontroll?

Unë po e ndjek në vazhdimësi situatën meteorologjike, kjo është plotësisht e mundur nëpërmjet të dhënave që vijnë nga shërbimi metereologjik, por nëpërmjet edhe google dhe të shërbimeve satelitore që janë online dhe e gjithë java që vjen është kohë e pastër e kthjellët dhe e nxehtë, kjo na krijon një avantazh që në atë javë ne të bëjmë punime intensive, dhe kanë filluar. Janë të gjithë  skavatorët tashmë të bordeve të kullimit të Lezhës edhe të Shkodrës në terren, po bëjnë pastrimin, hapjen e kanaleve. Duhet ndërhyrë me shumë urgjencë që të pastrohen, në mënyrë që kullimi të ndodhë në kohë reale, të mbahen hapur portat e kanaleve ujitëse dhe kulluese dhe uji të rrjedh lirshëm. Ndërkohë do të presim që në krye të 48 orëve uji do të tërhiqet nga tokat e përmbytura sepse hidrovoret janë në punë dhe do bëjmë edhe një vlerësim të shkallës së dëmit për të parë në ç’masë janë dëmtuar kulturat bujqësore.

Resorti që ju drejtoni, bujqësia, është shumë planëshe. Do të doja që në këto ditë që flitet shumë për statusin e vendit kandidat, t’ju bëjë një pyetje për statusin por jo të Shqipërisë . Kur do ta marrë midhja shqiptare statusin e shitjes në Bashkimin Evropian, kur do ta çajë këtë bllokadë që është krijuar?

Midhja do ta çajë këtë bllokadë kur ne t’i përmbahemi kritereve dhe standardeve të cilësisë dhe sigurisë që korkon tregu i Bashkimit Evropian. Kjo do të thotë, në rradhë të parë të ruajmë ekosistemin ku ajo rritet dhe zhvillojet. Për këtë arsye unë përpara dy javësh isha në Butrint vetë dhe udhëhoqa punimet për furnizimin normal të lagunës me ujin e Bistricës. Kishte muaj madje më tepër se një vit që laguna nuk furnizoheshe rregullisht me ujin e Bistricës, që është ujë i freskët, ujë i oksigjenuar, mban konstante ujrat në qarkullim dhe njëkohësisht i furnizon ato me oksigjen dhe ruan temperatuart, pasi midhja rritet në temperatuar rigorozisht të përcaktuara, që shkojnë nga 22 deri në 24 gradë. Vjet temperaturat kanë shkuar deri në 30 gradë prandaj 40% e midhjes ngordhi dhe nuk u zhvillua, patëm humbje të jashtëzakonshme. Kanali u hap dhe tashmë uji rrjedh. Do të ndërhyjë edhe në kanalin e Vivarit që lidh lagunën me detin dhe do krijojmë një sistem i cili qarkullon dhe ruan vlerat dhe parametrat e ekosistemit, por unë ua bëra të qartë gjithë shfrytëzuesëve të midhjeve, janë rreth 60 subjekte, që ne nuk do të lejojmë madje nuk do të hezitojmë që t’u pezullojmë liçencat në rast se ata nuk do të respektojnë këtë ekosistem, pra do të mbajmë përsëri të bllokuar kanalin .

Pse e bllokojnë, cili është qëllimi?

Këtë nuk e kuptojnë, që është në interesin e tyre që ta mbajnë hapur kanalin, është në interesin e tyre të ruajnë parametrat higjeno-sanitarë gjatë gjithë bregut të lagunës, në mënyrë që të garantojnë cilësinë e prodhimit. Për sa kohë që nuk e bëjnë këtë do të penalizohen rëndë dhe aq më tepër do të preken edhe në interesat e tyre.Prandaj, tani që ne ndërhymë për ta rikthyer ekosistemin në parametrat e tij do ta monitorojmë dhe nuk do të hezitojmë për të ndërhyrë në mënyrë që ekosistemi t’i ruaj këto vlera sepse në këtë mënyrë do të kemi kartvizitën e cilësisë dhe të standardeve të pastërtisë dhe të mbetjeve toksike që kërkon Bashkimi Evropian, në mënyrë që të hapim eksportin e midhjes.

Sikur thatë janë 60 subjekte. Duhet të shkojë ministri që të hapet kanali, kaq e vështirë është?

Unë nuk mund të merrem me hapjen e kanaleve, unë njëherë e hap dhe është përgjegjësi e juaja për ta mbajtur kanalin të hapur, madje ky është kriter i dhënies së licencës. Në rast se ju nuk e mbani hapur kanalin, në rast se ju nuk largoni papastëritirat nga laguna, në rast se ju vazhdoni që midhjen ta mblidhni nëpër fuci, nëpër kanaçe dhe ta tregtoni në kushte të papërshtatshme, në rast se ju nuk e kaloni midhjen tek qëndra e depurimit, pra është kriter  i përcaktuar qartë në standardet e Bashkimit Evropian që të kalojnë në depurim të paktën për 24 orë në ujë të ëmbël në mënyrë që të dekantojë dhe pastrohet nga të gjitha mbetjet, ju nuk do lejoheni të zhvilloni këtë aktivitet, pasi qëndra e depurimit është një investim i Bashkimit Evropian pikërisht për të garantuar standardet e eksportit. Kjo është arsyeja që unë kërkoj me insistim që të gjithë këto hallka, të gjitha këto standard të respektohen rigorozisht, përndryshë askush nuk do të lejohet për të zhvilluar një aktivitet, i cili jo vetëm nuk respekton standardet e Bashkimit Evropian por kërcënon sigurinë dhe shëndetin publik të konsumatorit tonë.

Z.ministër jo vetëm për midhjen por edhe për produkte të tjera shqiptare, kemi problem standardin apo edhe konkurencën të paktën me vendet e tjera fshqinje?

Në fakt të dyja problemet janë të lidhura me njëra tjetrën, për arsye sepse ne konkurojmë me cilësi dhe standarde, ne nuk konkurojmë dot me sasi, pasi vende si Spanja, Italia edhe për shkak të madhësisë dhe teknologjisë së tyre , apo Turqia, kanë sasi të mëdha produkti. Ne konkurojmë me cilësi, me cilësinë e produkteve tona dhe kjo përbën një element avantazhi që ne kemi në tregjet rajonale. Ajo që spikat për prodhimin shqiptar është që prodhimi shqiptar mesatarisht del në treg, përjashto këtë vit i cili ka pasur pak probleme, ka pasur rredhje në periudhën e pranverës, por tipikisht prodhimi shqiptar del një muaj përpara në tregjet rajonale për shkak të klimës. Kjo na krijon një avantazh jashtëzakonisht të madh, prandaj eksportet tona tipikisht fillojnë në fund të marsit në fillim të prillit. Ne eksportojmë domate, kastraveca, speca, të gjitha llojet e sallatave dhe ky eksport është në ritje, mjaft të përmend një shifër shumë inkurajuese, të dhënat e tremujorit të parë të këtij viti të marra nga vëllimi tregtar, nga doganat, tregojnë për një rritje në masën 53% të eksportit të perimeve të freskta në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe kjo është shumë inkurajuese. Në fakt prodhimi i perimeve, i frutave në Shqipëri po merr një hov dhe kjo në një farë mënyre e lidhur edhe me pikat e grumbullimit, të cilat po funksionojnë janë investime kryesisht private por natyrisht edhe shteti do të hyjë me fondet e tij. Pikat e grumbullimit bëjnë të mundur që ky produkt të tërhiqet nga serat, nga fermat dhe natyrisht pastaj të lidhen kontratat dhe të kaloj në eksport apo në tregjet rajonale.

Flasim për eksport në vendet e Bashkimit Evropian apo eksporte në vende si Ukraina, Rusia ?

Ne kemi një hartë shumë të gjerë eksportesh. Unë isha në një pikë grumbullimi dhe pyeta, në Fier, ajo bën një xhiro vjetore prej miliona eurosh të mallrave dhe ai eksportonte duke filluar që nga Gjermania, Polonia që janë vende të Bashkimit Evropian, eksporton në Bjellorusi, eksporton në Serbi, eksporton në Maqedoni. Maqedonia vetë është një eksportuese e perimeve por ne eksportojmë edhe në Maqedoni. Pikërisht sepse kemi domate me shumë cilësi dhe kërkohet domatja jonë, është një domate me shumë vlera sidomos domatja e Divjakës. Ne eksportojmë në Maqedoni, eksportojmë në Rusi pavarësisht se është shtet i largët. Madje do të thoja që kërkesat për importim të perimeve të freskëta dhe të gjitha llojeve të frutave është në rritje dhe nga ana tjetër ne duhet të mendojmë jo vetëm për eksportin e perimeve dhe frutave të freskëta por edhe përpunimin e tyrë në vend, nëpërmjet industrisë agropërpunuese, pra duke i dhënë një vlerë të shtuar. Ne kemi sipërmarje shumë të sukseshme të cilat në një farë mënyre kanë filluar që të shtojnë intensitetin e përpunimit të prodhimeve vëndase, kemi Sidney në Berat për shembull, të cilët eksportojnë edhe jashtë dhe kjo është shumë inkurajuese. Nga ana tjetër përveç këtij potenciali të madh të zhvillimit, ne një pikë tjetër të fortë kemi prodhimin e bimëve medicinale, të cilat natyrisht shkojnë të gjitha për eksport, kryesisht në tregun amerikan. Duhet bërë kujdes që ne duhet të ruajmë farat autoktone, pasi në rast se shesim në tregun amerikan shesim sepse përdorim sherebel me farë autoktone, e cila është e pakrahasueshme edhe me farën që vjen nga Kina. Madje fermerët tanë e provuan dhe e bënë këtë gabim, ngaqë donin të shtonin prodhimin importuan farën kineze dhe rezultoi që sherebela ishte totalisht me cilësi tjetër, me vlera shumë më të ulta dhe këtë e ndjeu edhe tregu amerikan, i cili uli çmimin.Atëherë unë bëra një takim të zgjeruar me ta dhe u thash, që normalisht ne duhet të prodhojmë fara dhe fidanë të sherebelës tonë sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ruajmë çmimin dhe mund të garantojmë tregun. Nga ana tjetër ne kemi edhe potenciale të tjera zhvillimi, të cilat duhen eksploruar dhe duhen parë me shumë seriozitet, është akuakultura. Shqipëria ka 410 kilometra bregdet dhe ne kemi potencial shumë të madh.

Tek akuakultura e keni fjalën për peshkun në tërësi apo edhe nënprodukte të tjera?

Për peshkun, kryesisht peshkun e rritur në impiante në det, Koc e Levrek, të cilët janë jashtëzakonisht të kërkuar nga tregjet rajonale. Ne kemi liçencë eksporti të peshkut të freskët në vendet e Bashkimit Evropian, pra në këtë mes e kemi marrë pashaportën evropiane, duhet të kemi potencial të rrisim kapacitetet tona prodhuese që ky peshk të jetë jo vetëm për tregun e brendshëm të vëndit por mund të shkojë fare mirë në tregjet e Bashkimit Evropian, kryesisht në Itali, ngaqë është vend më afër por edhe në Greqi dhe më gjerë.

Z.ministër cilat janë ato probleme emergjente për të cilat përballet sot fermeri, për të cilat qeveria por edhe dikasteri që ju drejtoni ka vendosur si objektiv për ta zgjidhur brenda mandatit të parë?

Fatmirësisht ju gjatë gjithë këtyre kohëve që ju kemi ndjekur shkoni dhe i  takoni ata personalisht dhe keni pasur mundësinë që të njiheni me problemet e tyre, sepse është ndryshe kur i takon dhe ndryshe kur i përmend në zyra.  Problemi i bujqësisë nuk zgjidhet në eks-katedra, problemet e bujqësisë zgjidhen duke i prekur direkt në terren dhe sa herë që shkojmë në terren gjithmonë mësojmë më shumë sepse procesi i të mësuarit nuk mbaron kurrë, njohim gjëra të reja, përballemi me sfida të reja. Bujqësia është shumë e larmishme, por meqënëse ju përmendët pak më parë kush janë problemet kryesore me të cilat ne përballemi,është situata e fragmentimit të tejskajshëm të bujqësisë, ne kemi ende 300 mijë ferma të vogla, që kultivojnë sipërfaqe diçka më tepër se 1 hektar, 1.2 hektar dhe për këtë arsye ne jemi përqëndruar në dhënien e certifikatave të pronësisë, pra titujt e pronësisë tashmë konvertohen në certifikata pronësie, duke i bërë ata de jure pronarë të ligjshëm të tokave, hapet tregu i tokave, shiten dhe blihen, zgjerohen sipërfaqet, nga ana tjetër futet në lojë edhe mekanizmi i kredisë agrare dhe i ndihmës, pasi kjo nuk është e mundur është e vështirë për sa kohë ti nuk je pronar dejure i tokës, sepse në marrëdhënie me bankat duhet të vendosësh si kolateral pronën tënde, për sa kohë që nuk e ke,  e ke të vështirë. Nga ana tjetër ajo që ne kërkojmë nga fermerët, edhe përpos faktit të lëvizjes së mekanizmit të shitblerjes, është që fermerët duhet të bashkohen. Nuk po flas për të krijuar kooperativat e dikurshme, jo, është një lloj tjetër kooperative, nuk është një kooperativ ku do të japësh apo të dorëzosh pronën tënde, të dorëzosh mjetet e prodhimit, por ti mund të futesh në atë kooperativë duke qënë pronar totalisht i pavarur i pronës tënde por ti bie dakort që të prodhosh një kulturë të caktuar, atë që ka nevojë tregu. Praktikisht ti do prodhosh sipas materialit të porositësit, pra normalisht do prodhosh me një farë që kërkon tregu europian, po qe se qëllimin e ke që prodhimin tënd do ta çosh për eksport dhe fare mirë këtë mund ta bëjnë pikat e grumbullimit. Pikat e grumbullimit, ato që ia blejnë prodhimin fermerit, ato I ofrojnë edhe farën që ai duhet të mbjelli dhe fermerët duhet të bien dakort pastaj që të kenë një strukturë unike prodhimi. Jo dikush të prodhojë rrush Shesh i Zi, dikush Merlot e dikush Sulltaninë, për arsye sepse industria, supozojmë e verës nuk është e interesuar për këtë heterogjenitet varietetesh, por duhet të prodhojë një verë më një varietet të përcaktuar.

E pranojnë këtë ide ?

E pranojnë sepse kjo është llogjika e tregut sepse perndryshe nuk ta merr prodhimin. Kështu funksionon në të gjithë botën, pra normalisht ti do të prodhosh me materialin e porosive, do të prodhosh me farën e certifikuar dhe të zgjedhur, të seleksionuar, do prodhosh natyrisht edhe me imputet bujqësore që do të dorëzosh me plehrat kimike të certifikuara në mënyrë që të garantohet rendimenti që kërkohet dhe që në momentin që ti e mbjell kulturën bujqësore sipas parametarve ti e ke të shitur, sepse mbyll kontratat midis blersit dhe prodhuesit. Pra ai e ka shitur dhe ndihet i qetë

Pra nuk rrezikon që atë që prodhon t’i mbetet stok?

Jo. Pikërisht ky është thelbi i mekanizmit të ri.

A e kanë informacionin e duhur?

E kanë informacionin e duhur. Ju do habiteni dhe ndofta një ditë mund të jetë edhe subjekt i kronikës tuaj, për shembull, në këto pikat e grumbullimit tashmë kontratat janë të mbyllura dhe ,në këto pikat e grumbullimit e shesin, marrin paratë dhe mbaron punë fermeri, nuk ka më punë, kthehet përsëri për të filluar ciklin tjetër të prodhimit. Kjo është tipikisht e ndryshme nga mënyra se si ka funksionuar deri tani, ku ai edhe prodhonte dhe dilte buzë rrugës me kova dhe realisht nuk mund t’i bësh të të gjitha. Pra o do të bësh prodhuesin, ose do bësh transportuesin, tregtusin etj.  Pra këto gjëra janë të ndara, në momentin që ai dorëzon në pikat e autorizuara të grumbullimit merr paratë dhe aty kemi edhe rastin e mirë për të aplikuar subvencionet, pasi në momentin që dorrëzon prodhimin pajiset me faturë shitblerje, është i regjistrushëm dhe përfiton plus edhe 20% masë subvencioni me skemat tona kombëtare. Pra, supozojmë , në rast se shet 800 lekë të vjetra kilogrami një kile domate atëherë do të perfitojë edhe 20% më shumë të saj dhe natyrisht del më i fituar nga kjo skemë dhe ky avantazh natyrisht që e formalizon. Aktualisht pjesa më e madhe e bujqërve dhe fermerëve janë të paformalizuar, janë të pa identifikuar dhe kjo e bënë të vështirë dhe prodhimin e statistikave bujqësore. Prandaj ne jemi të vendosur për të ecur fuqimisht në këtë pikë.

A është zgjidhur problem i akcizes së naftës, sepse edhe serat që aktualisht punojnë kanë nevojë për naftë?

Ju besoj se më keni ndjekur që para dy javësh unë shpalla se shumë shpejt, çështje ditësh, do fillojmë pagesat e naftës. Ne subvencionojmë 50% të çmimit të naftës. Ne do të heqim dorë nga tollonat, unë nuk kam fare punë me tollonat as me naftën lëng . Ekspertët e ministrisë mbi bazën e një metodologjie rigorozisht të përcaktuar kanë bërë një vlerësim të sasisë së naftës që përdorin serat me ngrohje, për një njësi të sipërfaqes. Është bërë një llogari se sa harxhon ai për një dynym, ka një formulë , ka disa kritere. Mbi këtë bazë nxirret kostoja dhe mbi këtë bazë ne mbulojmë 50% të kësaj kostoje me para në dorë, e thënë ndryshe, për çdo dynym serë me ngrohje ne paguajmë një milionë lekë të vjetra para në dorë. Serat janë të identifikuara, të regjistruara, ne konfirmojmë që nafta është harxhuar, e vërtetojmë dhe që prodhimi është prodhuar dhe është hedhur në treg dhe mbi bazën e faturave ne aplikojmë këtë masë pagese. Kjo është e monitorueshme pasi është lehtësisht e kontrollueshme, ndryshon nga skema klasike e tallonit. Talloni nuk ka asnjë lloj garancie që do të përfundojë tek kaldaja e serës, mund të shkojë fare mirë tek makina personale, që nuk ka fare destinacion bujqësor, prandaj ne kemi hequr dorë dhe jemi të fokusuar në pagesën për kosto fikse për dynym.

Sa mund të jetë mesatarja që mund të përfitojë një fermer në një serë normale, për ta bërë më konkrete?

Ajo që është e sigurtë është që ai përgjysmon çmimin e naftës që ka harxhuar, sepse 50% e subvencionojmë ne. Natyrisht mund të bëni edhe ju një përllogaritje fare mirë që ne kemi aktualisht 50 ha sera me ngrohje, por ngaqë ne po ushtrojmë këtë masë subvencioni me efekte prapavepruese, fermerët do paguhen edhe për prodhimin që tashmë është prodhuar edhe shitur për sezonin e kaluar dhe do paguhen edhe në fund të këtij viti kur të filloj ciklin e ri të prodhimit.

Do të jenë faturat ato që do të tregojnë harxhimin?

Sigurisht sepse këto janë subjekte që janë edhe në vëmendje të auditimit. Ministria ka audit për Agjencinë e Pagesave, që nuk mundet të justifikosh një pagesë pa fatura dhe pa një mekanizëm lehtësisht të monitorushëm dhe të auditushëm. Unë kam biseduar me dy nga këta fermerët që kultivojnë perime në sera apo dhe fidane dhe ata ndihen shumë të inkurajuar nga kjo masë dhe janë shumë të prirur për të zgjeruar sipërfaqen e kultivuar me sera me ngrohje dhe ne presim që kjo sipërfaqe shumë shpejt të dyfishohet. Nga ana tjetër ne me programet tona të mbështetjes do të mbështesim edhe serat me plasmas, serat djellore. Për fat të mirë për shkak të klimës, të ngrohjes globale do të jetë gjithmonë e më pak e nevojshme edhe në muajt e ftohtë përdorimi i karburantit, prandaj ne duhet të inkurajojmë shumë serat me ngrohje, serat djellore kryesisht sepse këto natyrisht i përshtaten fare mirë edhe karakteristikave të klimës në vendin tonë dhe rrisin shumë vlerën e produktit.

Z.ministër dua të kujtoj një nga daljet tuaja të para publike në krye të këtij digasteri, ku keni folur për daterin. Si paraqitet situate sot?

Shiko, dateri është një molusk sikurse është midhja, sikurse janë vongolat dhe ky fiksim mbas daterit mua më duket shumë i ekzagjeruar, për arsye se dateri nuk duhet konsumuar sepse vjelja e daterit është një dëm i jashtëzakonshëm që ne i bëjmë ekosistemit nënujor, shkëmbinjve nënujor. Dateri futet thellë në shkëmbinjtë nënujor dhe për ta nxjerrë prej andej duhet ta shkatërrosh me mjete të mprehta, me goditje me dinamit dhe është përllogaritur që për një pjatë dateri duhet shkatërruar afërsisht një metër kub vëllim shkëmbor nënujor. Më thoshte një nga specialistët e huaj, ndihesh shumë i trishtuar kur shikon me google map, me satelit se si pjesa e bregdetit duket gropa gropa të zeza, për arsye sepse ke dëme të shkëmbinjve nënujorë nga vjelja e paskrupullt e daterit. Për këtë arsye ne ishim të detyruar ta ndalonim vjeljen e daterit, sikurse e njëjta masë për ndalimin e gjuetisë, për arsye sepse ne po shfarrosnim shkëmbijntë nënujor dhe me normën evropiane vjelja e daterit është e ndaluar. Unë besoj se kemi edhe mirkuptimin e konsumatorëve. Kjo bëhet për një të mirë të madhe për ruajtjen e territorit të vendit, sepse po shkatërrojmë territorin e vendit dhe natyrisht ka zgjedhje të tjera, ka oktapd, ka sepje, ka vongola, ka midhje nuk është se vuajmë nga asortimentet, nuk duhet të fiksohemi tek një produkt për të cilin jemi të vetëdijshëm që konsumimi i tij përbën një krim ekologjik dhe jam i bindur që ne kemi përkrahjen në masë edhe të konsumatorit. Prandaj unë jam shumë kategorik dhe madje e kam bërë të qartë që jo vetëm nëse në kuzhinën e restorantit apo në frigorifer, apo në çast gatimi ka dateri por edhe sikur në menu të shikoj daterin restoranti do të penalizohet. Dëshiroj t’i bëjë këtë apel publik të gjithëve, të më mirkuptojnë por kjo është një normë që ne e bëjmë për të ruajtur ekosistemet

Ka një sfidë personale ministri Panariti, çfar do të realizojë brenda këtij viti?

Të rrisim prodhimin bujqësor, të rrisim eksportin dhe njëkohësisht të rrisim të ardhurat. Kjo është sfida ime dhe ne shumë shpejt, javës që vjen, do të paraqesim dhe një paketë favorizuese për bujqësinë. Ka të bëjë me heqjen e TVSH-së , ka të bëjë me heqjen e disa taksave që penalizojnë rëndë dhe rrisin koston e prodhimit, ka të bëjë me një reformë të artikuluar institucionale në shërbimet ndaj bujqësisë, ndaj shërbimit veterinar, tek AKU, ka të bëjë me njëhësimin e procedurave, njëhësimin e standardeve midis nesh dhe Kosovës dhe vendeve fqinje, në mënyrë që të kemi lëvizje të lirë të mallrave dhe e gjithë kjo paketë masash lehtësuse, jam I bindur që do të shoqërohet me një rritje të vëllimit tregtar me uljen e kostos dhe të reflektohet padyshim dhe në rritjen e kontributit të bujqësisë në Prodhimin e Përgjithshëm Bruto dhe në rritjen e të ardhurave.

Jemi në ethet e boterorit dhe doja të dija nëse bëni tifo për ndonjë skuadër?

Unë jam tifoz me Gjermaninë. Sistematikisht kam qënë i lidhur mbas kësaj skuadre . Shikoj me kënaqësi që performance e ekipit gjerman është e lavdërueshme. Tani unë krahasimisht po shikoj edhe ekipe të tjera, pashë Holandën e cila pati një performancë të jashtëzakonshme ndeshjen e saj të parë , diçka më e përmbajtur në ndeshjen me Australinë. Shikoj që ekipe ikonë siç ishte Spanja tashmë janë jashtë loje, brazili ëshët ekip i fortë dhe bindës, italia mbetet ende për t’u verifikuar. Ndeshjen e saj të parë e pati natyrisht me një performancë të lavdërueshme, por mendoj që ekipi gjerman po tregon një nivel konstant dhe në rritje, shpresoj që të jetë në finale dhe pse jo të fitojë kampionatin.