Interviste e Ministrit Panariti per Deutsche Welle

Dt. 12.02.2014

Deutsche Welle: Zoti Panariti, a ju vjen keq që produktet shqiptare mungojnë në këtë panair?
Edmond Panariti: Më vjen sigurisht shumë keq, por unë jam gjithmonë i mendimit që nëse duhet të paraqitesh në të tilla panaire, duhet të paraqitesh ashtu si duhet në mënyrë dinjitoze. Ne patëm për fat të keq edhe një kohë shumë të shkurtër në dispozicion që e bënte të pamundur prezantimin e Shqipërisë, por ky panair është i përvitshëm dhe do të kemi rastin ndoshta edhe para se të vijë përvjetori i rradhës për organizimin e këtij panairi. Megjithatë prania ime këtu ka një vlerë të jashtëzakonshme, sepse Forumi ku unë po marr pjesë përveç panairit që po shoh është një shans për të zhvilluar në rradhë të parë kontakte me biznese në fushën e bujqësisë, me përfaqësues të tyre dhe njëkohësisht një rast i mirë për të takuar ministrat homologë të të gjitha vendeve që janë prezentë në këtë Forum, për të shkëmbyer opinione dhe për të përcaktuar platforma bashkëpunimi. Kështu unë pata një takim mjaft të rëndësishëm me homologun tim nga Bosnjë-Hercegovina, të cilin e ftova dhe do të vijë shumë shpejt në vendin tonë për të parë mundësistë e bilancit të shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve, veçanërisht për importin e perimeve të freskëta nga serat tona, pasi këtë vit ne kemi pasur prodhim të bollshëm. Ja pra ku arritëm një rezultat pikërisht këtu në Berlin, ku pres që gjatë këtyre ditëve të zhvillojë edhe një sërë takimesh të tjera.
Duke qenë se bisedën po e bëjmë pikërisht në Berlin, si është raporti i marrëdhënieve me vetë Gjermaninë në këtë fushë? Sa e interesuar është Gjermania që të kontribuojë në këtë sektor të Shqipërisë për të ndihmuar dhe bashkëpunuar?
Gjermania është shumë aktive në Shqipëri, pasi edhe faktet e tregojnë këtë, veçanërisht përmes shoqatës për bashkëpunim, GIZ. Gjermania është pjesëmarrëse shumë aktive në mbështetjen e saj aktive me financat dhe me projektet e asistencës së bujqësisë shqiptare, dhe ky është një lajm i mirë. Unë i jam shumë mirënjohës qeverisë gjermane, e cila është gjendur dhe vazhdon ti gjendet gjithmonë Shqipërisë edhe në momente të vështira me mbështetjen shumë dinamike në projektet e zhvillimit. Për ta konkretizuar këtë po përmend një shembull: Ne sapo nënshkruam një grand prej 11 milionë eurosh midis Danimarkës, Gjermanisë dhe Shqipërisë, ku dy vendet e para janë financuesit kryesorë të këtij grandi dhe implementimi bëhet përmes GIZ-it për të ndihmuar zhvillimin e bujqësisë në zonat rurale. Njëkohësisht Gjermania, siç edhe ju e dini,është kontribuesja kryesore me fondet e Bashkimit Europian. Pra ndihma e Gjermanisë duhet para edhe në këtë aspekt. Të gjitha projektet e zhvillimit që Bashkimi Europian ka lëvruar në fushën e bujqësisë, kanë si kontribuese kryesore Germaninë, pasi ajo i jep edhe si lokomotiva e BE-së. Prandaj kontributet gjermane në këtë aspekt janë shumë dimensionale. Gjermania është e pranishme si mbështetse kryesore në tërësi e ekonomisë shqiptare, por më së shumti në fushën e bujqësisë. Unë do ta ftoj edhe ministrin gjerman të bujqësisë që të vizitojë Shqipërinë për të konkretizuar edhe më tej bashkëpunimin tonë duke parë nga afër mundësitë se si Gjermania mund të ndihmojë Shqipërinë në rrugën tonë të integrimit drejt Bashkimit Europian, ku bujqësia, e theksoj edhe njëherë, zë një peshë kryesore.
Zoti Panariti tashmë ju e keni testuar pothuajse gjithë Shqipërinë për sa i përket thesareve që ajo ka veçanërisht në fushën e bujqësisë. Cilat janë sipas jush pikat më të forta të bujqësisë me të cilat ky vend mund të konkurojë në tregun europian?
Pikat më të forta janë ato që Shqipërisë ja jep klima, pozicioni i favorshëm gjeografik dhe burimet e saja natyrore. Në rradhë të parë Shqipëria është një vend blegtoral, pra janë delet, janë dhitë, kecat, qingjat, prodhimi i qumështit nga këto bagëti të imta ku ne kemi avnatazh të krahasuar me gjithë vendet e rajonit, por njëkohësisht janë edhe perimet e freskëta, janë frutat. Unë me këtë rast po përmend edhe një fakt që këtë vit falë edhe motit shumë të përshtatshëm ne kemi arritur të vjelim dy dhe tre cikle prodhimi perimesh dhe frutash të freskëta, madje po jap edhe një shembull konkret. Edhe në këtë moment që po flasim në serat e Lushnjës kemi prodhime domatesh që ne i eksportojmë edhe në vendet e e rajonit si në Kosovë dhe Maqedoni. Pra ky është edhe një rast i shkëlqyer për të lidhur marrëveshje edhe me vendet e Bashkmit Europian, me Gjermaninë, qoftë për të eksportuar në këtë vend domate të freskëta por qoftë edhe duke kërkuar nga Gjermania teknologji për përpunimin e domates si për salca apo produkte të tjera të domates së përpunuar. Gjithashtu ne kemi avantazhe për prodhimin e ullirit, kemi avantazh për prodhimin e agrumeve ku kemi pasur një rritje të jashtëzakonshme të prodhimit të tyre në jug të Shqipërisë, ku unë isha vetë në komunën e Zarës dhe i pashë nga afër këto realizime. Aty mbillen mesatarsiht 80 hektarë të rinj për çdo vit me agrume të një cilësie të jashtëzakonshme të mirë dhe mendohet që në një hark kohor prej tre vitesh, vetëm komuna e Zarës do të mbjellë njëmijë hektarë me agrume. Por agrume mbillen edhe në zona të tjera, pothuajse në gjithë Shqipërinë e jugut dhe me këto kapacitete ne do të mbulojmë gjithë nevojat e Kosovës, Maqedonisë, Bosnjë-Hercegovinës. Këto janë mundësi shumë të mëdha që ndodhen përpara bujqësisë shqiptare, por që ne duhet ti mbështesim këto iniciativa me sa më shumë fonde në mënyrë që të ulim koston e prodhimit dhe të bëjmë të mundur arritjen sa më shpejt të daljes në treg. Ne kemi fonde 40 për qind më shumë për subvencione për pagesat direkte të fermerëve dhe me këto pagesa ne do të ndihmojmë kryesisht ato prodhime tek të cilat ne kemi avnatazhe konkuruese në treg. Pra që të konkurojmë denjësisht me produktet e rajonit dhe me produketet e Bashkimit Europian. Por edhe mishi i qengjit dhe i kecit, si dhe qumështi i dhisë, djathërat ku ne realisht kemi vlera konkuruese. Njëkohësisht po krijojmë dhe po konsolidojmë traditën e kodit të verës. Këto vite ne kemi krijuar tre produkte të markës të cilat po pëlqehen gjithmonë e më shumë në tregun rajonal dhe më gjërë. Madje ne organizuam edhe një festival të verës, ku shpërndamë edhe çmime dhe ku komuna e Kukumanit u vlerësua meçmimin e parë. Sfida jonë është që Shqipëria të identifikohet gjithmonë e më shumë me produkte të markës që mbajnë emrin e Shqipërisë dhe me këto të paraqitet me krenari në tregjet europiane duke përçuar në këtë mes kulturën, traditën dhe historinë, sepse një ushqim mban në vetvehte edhe origjinën dhe kulturën, traditën dhe pasionin me të cilën është kultivuar.
Si paraqitet raporti i prodhimit me kërkesën e qytetarit? A e përballojnë prodhimet e vendit nevojën e qytetarëve? Sa vend zënë produktet e importuara në Shqipëri, zoti Panariti?
Ne kemi një bilanc negativ sa i përket import-eksporteve, por ky është një bilanc i trashëguar. Ajo që mund të them unë është që këto tre muajt e fundit ne po shikojmë një tendencë të qartë të përmirësimit të këtij bilanci, të kemi një ulje të importeve dhe një rritje të eksporteve. Në qoftë se ky trend do të vazhdojë, atëhere ne kemi një synim të qartë që ta përmbysim këtë raport, pra fillimisht ta reduktojmë, dhe pse jo të mos e neutralizojmë deri në fund të mandatit tonë qeverisës. Por për këtë kërkohet punë dhe ne kemi kapacitete të jashtëzakonshme për këtë. Ne i plotësojmë nevojat për vezë, 100% të pasterilizuara, madje edhe eksportojmë, prodhojmë një pjesë të nevojave tona për fruta dhe perime, natyrisht që është mirë që të kemi një shtrirje vjetore të këtyre frutave dhe këto mundësi ekzistojnë, por ne akoma punojmë me baza frigoriferike. E rëndësishme është se ne duhet të bëjmë më shumë në rritjen e prodhimit të mishit. Duhet të theksoj se kemi një bilanc negativ për sa i përket përpunimit të mishit në vend. Sipërmarrja e njohur EHW punon me mish 100% importi. Unë po merrem intensivisht me përfaqësuesit e kasj firme në mënyrë që të rris kapacitetet e furnizimit me mish nga brënda vendit dhe për këtë ata kanë rënë dakord. Ne do të stimulojmë prodhimin brënda vendit, të kthimit të fermave në majmëri të blegtorisë, të derrave dhe të viçave, të cilët do të ushqejnë këtë industri. Sfidat pra janë të mëdha dhe ne jemi në rrugë të mbarë. Shqipëria do të përjetojë një zhvillim të madh ekonomik dhe ky zhvillim do të kalojë vetëm përmes bujqësisë, kryeisht përmes bujqësisë, pasi ky sektor mbart potenciale të pashfrytëzuara.
Në fakt Shqipëria njihet si vend bregdetar dhe prodhimet e peshkut do të ishin privilegj më i madh për të konkuruar veçanërisht në rajon. Pse zoti Panariti ky potencial i madh është lënë pas dore dhe nuk po shfrytëzohet apo investohet sa duhet?
Sigurisht që është një potencial i madh për peshkimin, pasi Shqipëria ka një vijë bregdetare prej 400 kilometrash. Padyshim që ky sektor qëndron para nesh si një objektiv kryesor, ne po punojmë në drejtim të zevëndësimit të flotës së amortizuar të peshkimi. Peshkohet me motobarka shumë të vjetra, që harxhojnë shumë karburant dhe pa dyshim që e rrisin koston e peshkimit duke e bërë të pakonkurueshëm me produktet e importit. Kjo është sfida jonë e parë. E dyta është që ne do të ndërhyjmë në portet e peshkimit. Shqipëria ka potenciale për të ndërtuar katër porte të mëdha peshkimi. Ne do ta fillojmë me portin e Shëngjinit, më pas me atë të Sarandës, ku ndërhyrjet janë parashikuar për këtë vit. Duke krijuar këto porta atëherë do të krijohen edhe potenciale të mëdha tregtimi me shumicë të peshqve që pritet të stabilizojë edhe tregun duke ulur koston e prodhimit dhe të peshkimit. Ne kemi një industri të prodhimit dhe përpunimit të peshkut në veri. Janë dy fabrika që punësojnë afërsisht njëmijë punëtorë, por janë fabrika që punojnë me material 100 për qind importi, gjë që është vërtet paradoksale. Ne duhet të bëjmë çmos që peshku që importohet nga Kroacia, të peshkohet brënda ujrave tona, por për këtë duhet ndihmë që kryesisht është nëë paisjen me anije të standarteve bashkëkohore të peshkimit. Nga ana tjetër sfida jonë është që të ruajmë peshkun nga peshkimi jashtë kritereve dhe të shfrytëzojmë po ashtu edhe peshkimin nga burime të tjera ujore në vend.
Tashmë në tregun europian të ushqimeve konkurrojnë edhe produktet Bio. Shqipëria ka nisur të punojë në këtë drejtim?
Po. Kemi disa iniciativa shumë të suksesshme me produkte bio, kryesisht në vajin e ullirit: Ne kemi tre ndërmarrje të çertifikuara dhe që këta eksportojnë për Bashkimin Europian, madje 100% eksportojnë në vendet e BE-së, dikush edhe në Zvicër. Natyrisht që prodhimi kontrollohet qysh në origjinë, në rritje e në zhvillimin e mëtutjeshëm, në trajtimin pa asnjë lloj pesticidi, asnjë lloj kimikati, asnjë lloj plehu kimik. Dhe i çertifikuar si i tillë, ai mbart edhe markën e sigurisë dhe të cilësisë Made in Albania dhe ndodhet i pranishëm tashmë në tregje prestigjoze siç është ai zvicerian dhe i Bashkimit Europian. Kemi natyrisht produkte bio edhe në perime, por kostoja e tyre është më e lartë. Megjithatë unë mendoj që kërkesa e konsumatorit është gjithmonë në rritje, pavarësisht se kostoja është më e lartë dhe konsumatori është i prirur për ti blerë, pasi shëndeti për ta është i pari.

Intervistoi: Mimoza Cika-Kelmendi