Interviste e Ministrit Panariti për gazeten ‘MAPO’

Dt. 11.12.2013

Gazetari: Zoti Panariti, në çdo program elektoral apo qeverisës, bujqësia renditet si një potencial i paçliruar për shkak të prapambetjes në pjesën më të madhe të saj. A mund të na përmendni reformat më të rëndësishme që ju do të bëni për të lëvizur përpara rrotën në këtë sektor?
Panariti: Nëse do të më duhej ta përmblidhja me tri fjalë thelbin e tri reformave kryesore, ato janë: toka, uji, tregu. Toka dhe reformat mbi të janë të parat, sepse zhvillimi i bujqësisë në vend e ka të nevojshme fillimin sa më parë të investimeve prodhuese direkte, dhe nuk mund të mbështetet thjesht vetëm te ndërhyrjet mbështetëse dhe zhvilluese nga financimet e buxhetit të shtetit apo fondet e donatorëve. Natyrisht për të bërë të mundur praninë e këtyre investimeve në zhvillimin e bujqësisë, duhet të krijohen sipërfaqe toke të paktën me mbi 50 hektarë, që të mund të justifikohen kostot e investimeve dhe të krijohet zinxhiri, prodhim, grumbullim, përpunim dhe treg. Pa tokë të mjaftueshme dhe ujë, nuk ka investime dhe për këtë arsye qëllimi ynë madhor është konsolidimi i tokës bujqësore, gjë që arrihet me zgjerimin e sipër faqes së saj. Ne kemi një fragmentim të tejskajshëm të tokës bujqësore me një mesatare ferme prej rreth 1.3 ha sipërfaqe, nga rreth 27 ha që është mesatarja në BE. Ne do të lehtësojmë dhe inkurajojmë procedurat e marrjes së certifikatave të pronësisë nga të gjithë përfituesit e titujve të pronësisë, të cilët i kanë regjistruar ato pranë zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Patundshme, pas rakordimeve midis asaj që shkruhet në letrat e tapive të tokës dhe faktit të konstatuar në terren. Duke shpërndarë certifikatat e pronësisë, ne hapim tregun e tokës duke aktivizuar shitblerjen e saj si të vetmin instrument për të rritur sipërfaqen e tokës dhe për ta bërë atë tërheqëse për investime.
Aplikimi i taksës mbi tokën nuk është aspak një qëllim në vetvete, por një mekanizëm detyrues për punimin dhe kultivimin e saj. Kjo do t’i japë fund gjendjes së tokave djerrë, apo të mbajtjes atyre peng “kur t’u vijë koha” nga përfituesit e tyre, të cilët ndërkohë merren me aktivitete të tjera.
Të mbash tokat të papunuara dhe të pakultivuara “djerrë”, do të thotë ta lëmë Shqipërinë “shterpë”, t’i heqësh asaj një potencial të jashtëzakonshëm për t’u zhvilluar dhe rritur mirëqenien e banorëve të saj. Nëse nuk ke ndërmend ta punosh dhe mbjellësh tokën, atëherë përgatitu nëse të leverdis, që të paguash taksë më të lartë për të, në krahasim me atë që e punon dhe e kultivon, përndryshe do të jesh i detyruar t’ia shesësh atij i cili është i motivuar dhe i interesuar ta punojë dhe ta zhvillojë atë. Kjo do të krijojë më së fundi atë shtresë fermerësh, të cilët të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve e lidhin vetëm me bujqësinë, me token me prodhimin. Kjo do të tërheqë investimet dhe investitorët, kjo do të zhdukë bujqësinë e mbijetesës do të rritë sipërfaqet e kultivuara dhe do të ulë koston e prodhimit.
Unë kam ndjeshmëri të veçantë edhe për shtresën e ish-pronarëve të tokave bujqësore të shpronësuar padrejtësisht nga regjimi komunist. Natyrisht nëpërmjet nismave dhe ndryshimeve ligjore, është e mundur që nga kjo taksë të krijohet fond shtesë për kompensimin financiar të tyre, krahas kompensimit fizik me toka publike në  fondin fizik të akorduar për këtë qellim pranë Agjencisë së Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave.
Së dyti, uji. Ne  jemi të angazhuar, për të çuar ujë në  shtëpitë e fermerëve dhe në  parcelat e tyre dhe këtë do ta bëjmë edhe pse do të na duhet të lëvizim dhe punojmë në kushtet e pafavorshme të një shtrirjeje kaotike jashtë planeve zhvilluese të banesave dhe bizneseve bujqësore.
Ju e dini se është infrastruktura e ujësjellësve dhe e kanaleve ajo që i paraprin ndërtimit të shtëpive apo bizneseve dhe jo e kundërta. Në  fakt ne  jemi të detyruar të ecim në drejtim të kundërt, pra t’ia përshtatim zhvillimin e ujësjellësve dhe të kanaleve këtij zhvillimi ndërtimor kaotik dhe jashtë kritereve të banesave dhe bizneseve bujqësore. Kjo vështirësohet edhe më shumë po të kemi parasysh copëzimin e tejskajshëm të pronave në fshat.
Është ndryshe të lidhesh me kanale dhe ujësjellës një bllok banesash dhe biznesesh në një zonë të studiuar dhe të parapare për zhvillim dhe është ndryshe të lidhësh me kanale dhe ujësjellës, fjala vjen pesë shtëpi në kodër, dhjetë prej tyre në mes të arave dhe dy në rrëzë të malit.
Së treti, tregu. E gjithë finalja e bujqësisë, e mundit dhe sakrificave të fermerëve apo e agro-bizneseve është nxjerrja e prodhimeve në treg dhe shitja e tyre. Për këtë, e gjithë vëmendja dhe mbështetja jonë ndaj fermerëve, prodhuesve dhe agropërpunuesve ka si qëllim praninë e tyre të qëndrueshme në tregjet e vendit si dhe në ato rajonale dhe ndërkombëtare.
Gazetari:Ka një dilemë të vjetër, të pazgjidhur nga të gjitha qeveritë. Të bëhen politika mbështetëse për prodhimin vendas, pra njëfarë proteksionizmi për produktet bujqësore e blegtorale, apo të përshtatim ndryshe tregun e lirë, duke vijuar t’i sigurojmë këto mallra nga jashtë? Cila është filozofia dhe aktet e kësaj qeverie në këtë drejtim?
Panariti: Për mua dhe për qeverinë që unë përfaqësoj, nuk ka asnjë dilemë në këtë drejtim. Rruga në të cilën jemi të vendosur të ecim pa asnjë hezitim, është vetëm mbështetja e prodhimit vendas me të gjitha mënyrat, dhe këtu përfshihet edhe mbrojtja e tij nga diskriminimi i padrejtë dhe i imponuar nga konkurrenca e pandershme, e ushtruar nga prodhimet e importuara.
Nxitja dhe rritja e prodhimit vendas, mbizotërimi i tij në tregjet tona dhe rritja e eksporteve bujqësore, është çelësi i rimëkëmbjes së ekonomisë kombëtare, i krijimit të vendeve të reja të punës, luftimit të varfërisë dhe i rritjes së mirëqenies. Natyrisht që ky prodhim duhet të nxitet, por edhe të mbrohet. Një ndër instrumentet që ne zotërojmë dhe do të përdorim për nxitjen dhe rritjen e prodhimit bujqësor vendas, janë pagesat e drejtpërdrejta ndaj fermerëve për njësi sipërfaqeje të kultivuar apo për numër krerësh bagëtish të mbarështuara. Në këtë drejtim jemi ende shumë prapa. Kështu për shembull, subvencionet tona për bujqësinë gjatë këtij viti në total nuk i kapërcyen të 10 milionë eurot, ndërkohë që fqinji ynë Maqedonia, disbursoi këtë vit si pagesa direkte për fermerët, plot 135 milionë euro.
Më shumë rëndësi ndër të tjera, është edhe si dhe ku do t’i përdorim këto fonde.
Unë jam i mendimit se në skemat tona financiare të mbështetjes së fermerëve, gjithnjë e më tepër duhet të orientohemi ndaj rezultatit, pra ndaj kryerjes së pagesave për çdo njësi prodhimi të prodhuar dhe të dorëzuar në pikat e grumbullimit dhe të përpunimit. Duke synuar këtë skemë ne formalizojmë prodhimin dhe fermerët dhe i lidhim ata më mirë me tregun dhe agropërpunimin. Që kjo skemë të jetë e efektshme, ajo duhet të shoqërohet me rritje të investimeve publike dhe private në ndërtimin e pikave të mëdha të grumbullimit dhe të tregjeve të mëdha të shumicës, të cilat përfaqësojnë dhe vendin ideal për zbatimin e një skeme të tillë, mbështetjeje. Prandaj një pjesë e subvencioneve duhet të përqendrohen edhe në këto investime gjithëpërfshirëse.
Përpos kësaj, prodhimi lipset edhe të mbrohet dhe, sigurisht, këtu nuk bëhet fjalë për “proteksionizëm” sepse ne  kemi nënshkruar dhe respektojmë marrëveshjen e tregtisë së lirë, por brenda kuadrit të kësaj marrëveshjeje jam i bindur se mund të negociohen dhe përcaktohen hapësira të uljes së importeve të artikujve të veçantë në kohën kur kemi kulmet stinore të prodhimeve vendase. Këtë e kanë bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë me sukses shumë prej fqinjëve tanë, të cilët ashtu sikundër ne, kanë nënshkruar marrëveshjen e tregtisë së lirë të mallrave.
Ndërkaq, shteti dhe institucionet e tij zotërojnë edhe instrumente të tjera, të cilat mund t’i vënë në veprim për të mbrojtur prodhimet bujqësore shqiptare nga konkurrenca e pandershme, e ushtruar nga prodhimet e importuara të rritura me stimulantë, apo të përgatitura me konservantë, ngjyrues, aromatizues dhe ëmbëlsues sintetikë shpesh jashtë çdo kriteri apo standardi të sigurisë ushqimore. Këtu e kam fjalën për marrëveshjen fito-sanitare, e cila shpesh dhe në vazhdimësi përdoret nga fqinjët tanë dhe vende të tjera në dëm të prodhimeve tona, në  funksion të një lufte të paprinciptë tregtare.
Gazetari: Në këtë kontekst, duke parë se prodhimet e huaja janë më të avantazhuara se ato shqiptare, a nuk do të ishte e udhës që të stimulonim prodhimin e produkteve të veçanta që vendet e tjera për shkak të klimës a specifikave të ndryshme nuk i prodhojnë dot?
Panariti: Shqipëria zotëron një sërë përparësish krahasuese dhe konkurruese në fushën e bujqësisë, të cilat lidhen me pozicionin e saj gjeografik, klimën mesdhetare, e cila falë relievit të thyer në  disa zona merr edhe tipare kontinentale.
Kështu vendi ynë zotëron aftësi të mira konkurruese në tregjet rajonale dhe ato ndërkombëtare, për bimët mjekësore, ato eterovajore, ullirin dhe vajin e tij, perime dhe fruta të freskëta, mishin dhe nënproduktet e bagëtive të imta, të cilat i rrit ekskluzivisht në regjim kullosor. Po ashtu përparësi zotërojmë edhe në prodhimin dhe eksportin e peshkut të freskët dhe veçanërisht për molusqet bivalvore, për të cilat, pavarësisht nga kërkesa e madhe për eksport, tregjet ndërkombëtare ende vazhdojnë të mbyllura nga një vendim bllokues i marrë në vitin 1996 nga Bashkimi Europian.
Vetëm në këto kultura bujqësore, Shqipëria zotëron përparësi konkurruese dhe për rrjedhojë këto duhet të jenë në qendër të mbështetjes sonë financiare dhe infrastrukturore për zhvillim të mëtejshëm.
Gazetari: E njëjta pyetje vlen edhe për detin. Sot, ashtu si dhjetëra vite më parë, shqiptarët mbeten një popull që pak e njeh dhe e shfrytëzon detin… Pse nuk po vihen në lëvizje premtimet që Kryeministri bëri në fushatë për kthimin në jetë të këtij sektori? 
Panariti: Së pari nuk është e vërtetë që nuk ka lëvizje në  peshkim. Përkundrazi, gjatë këtyre 100 ditëve të para, mendoj se kemi ndezur motorët e proceseve dhe të reformave brenda sektorit të peshkimit, që sigurisht gjatë këtij mandati do të sjellin ndryshimin dhe transformimin e kësaj dege të rëndësishme të ekonomisë kombëtare. Mund të them se përveç reformës strukturore institucionale, e cila solli riintegrimin e aktivitetit të peshkimit brenda Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, duke e shkëputur atë nga Ministria e Mjedisit, unë kam patur disa takime me përfaqësues të shoqatave të peshkimit, si dhe jam takuar me Komisioneren europiane për çështjet e detit dhe të peshkimit, znj. Damanaki. Pranë dikasterit u ngrit edhe Këshilli konsultativ Kombëtar i çështjeve të peshkimit, i përbërë nga specialistët më të mirë të fushës.
Tri janë disa nga përparësitë që ne synojmë të ndjekim në zhvillimin e këtij sektori. Së pari, ndërtimin e porteve të peshkimit, dhe pranë tyre të tregjeve të mëdha grosiste të grumbullimit dhe shitjes me shumice të peshkut të freskët dhe frutave të detit. Kjo do të stabilizojë tregun, konkurrencën dhe çmimet. Së dyti, do të përpiqemi që të rritim ndjeshëm kapacitetet tona të brendshme për peshkim, kryesisht të peshqve pelagjikë si sardele dhe acuge, duke synuar transformimin e industrisë së përpunimit të peshkut, nga një industri tipike fasone e cila punon me 100% peshk të importuar, në një industri të përpunimit dhe të prodhimit të peshkut shqiptar. Së treti, synojmë që brenda këtij mandati të hapim eksportin e molusqeve bivalve, kryesisht të midhjes së Butrintit të bllokuar që prej vitit 1996.
Gazetari: Në rezultanten e të gjitha veprimeve të qeverisë, disa analistë thonë se puna e saj s’është as e mirë, as e keqe, duke pasur parasysh se nuk ka nisje reformash; në ekonomi, drejtësi, shëndetësi, arsim dhe së fundi në fushën e sigurisë… Cili është komenti juaj për këtë pothuaj 100-ditësh të parë ?
Panariti: Unë kam bindjen se gjatë këtij 100-ditëshi kemi arritur të ndezim zjarrin e reformave rrënjësore në  pothuaj në  të gjithë sektorët kyç të ekonomisë, rendit, drejtësisë, shëndetësisë dhe arsimit në  vend. Për të vjelë frytet e tyre, kërkohet ende kohë dhe për këtë arsye mandatet qeverisëse janë katërvjeçare dhe në fund bëhen edhe bilancet.
Por qartësisht, “era” e ndryshimeve dhe e transformimeve pozitive në vend ka filluar të fryjë dhe madje fort.
Gazetari: Deputeti Blushi në seancën për buxhetin faktik renditi shumë pyetje kritike për qeverinë, e cila sipas tij duhet të fillonte të punonte për premtimet që kishte bërë dhe jo të justifikohej me keqqeverisjen e kaluar. A jeni ju dakord me këtë këndvështrim të Blushit?
Panariti: Unë respektoj opinionet dhe vlerësimet e gjithkujt. Por besoj se nuk është racionale të kërkosh të vlerësosh mbajtjen e premtimeve nga qeveria dhe bërjen e bilanceve të arritjeve apo të mosarritjeve të saj në dy muaj kohë.
Gazetari: Dihet se pandëshkueshmëria është një nga sëmundjet e tranzicionit tonë, sidomos në radhët e politikës dhe gjyqësorit. Megjithëse kjo mazhorancë i ka votat e nevojshme, ende nuk po shohim as nisjen e reformës në drejtësi dhe as kallëzime për korrupsion ndaj politikanëve, sipas asaj që pjesa më e madhe e kësaj mazhorance ka premtuar në fushatë?
Panariti: Përkundrazi, unë po shoh qartësisht reforma dhe procese të filluara në  radhët e politikes dhe të gjyqësorit dhe madje është për t’u vlerësuar që proceset e hetimit të zyrtarëve të lartë, mazhoranca qeverisëse po i fillon brenda vetes me hetimin dhe daljen në  gjyq të kryetarit të Bashkisë së Vlorës dhe njëkohësisht një figurë e spikatur politike në radhët e Partisë Socialiste. Kjo po pasohet këto ditë edhe me thirrjen nga organet e hetimit dhe të akuzës edhe të mjaft funksionarëve shtetërorë të niveleve të ndryshme. Kam besim që procesi i reformave në këto drejtime sapo i ka ndezur motorët dhe rezultatet pritet të jenë shumë më të dukshme në ditët dhe muajt që pasojnë.
Gazetari: Diçka edhe për ngjarjen që ka shenjuar këtë periudhë të parë të qeverisjes, atë të armëve kimike. Ishte pothuaj në kufijtë e një filmi mënyra sesi qeveria dhe kryeministri u gjendën brenda pak ditësh përballë presionit qytetar dhe të opozitës, aq sa një PO e Ramës më 15 nëntor mund të përkthehej në një destabilizim të vendit. Krejt ndryshe mund të ishte gjendja nëse kryeministri do të kishte kohë më parë një konsultë të përbashkët me kreun e opozitës, ambasadorin e SHBA dhe presidentin…Cili është komenti juaj për menaxhimin e kësaj ngjarjeje? 
Panariti: Lidhur me kërkesën drejtuar saj për deaktivimin e lendeve kimike luftarake siriane brenda territorit shtetëror, qeveria shqiptare mori një vendim shumë të vështirë, por gjithsesi racional dhe të përgjegjshëm. Ky është një ndër ato vendime, i cili sido që të ishte do të krijonte kosto për ne. Megjithatë, mund të thuhet se mënyra se si i gjithë ky proces përgjegjësie shtetërore me përmasa dhe ndikim të madh publik u zhvillua dhe u përmbyll, dëshmoi se sa të lehtë e kemi të “helmohemi, por dhe të helmojmë edhe pa patur fare helm”.
Nder të tjera kjo vërtetoi se si një shqetësim dhe një reagim i ligjshëm i opinionit publik ndaj një rreziku hipotetik, në fakt u pompua dhe u paraqit si një rrezik real nga një pjesë e politikës dhe e shoqërisë civile dhe për rrjedhojë mori përmasat e një fobie apo paniku publik të ekzagjeruar.
Ndërkohë qeveria nuk mund të përfshihej as në  sqarim dhe as në debat publik për një çështje ndaj së cilës ishte e nevojshme dhe madje i ishte sugjeruar ruajtja e diskrecionit, për vetë natyrën tepër delikate të çështjes.
Për të mos u zgjatur, mund të them se i gjithë ky proces ishte për të gjithë ne si klasë politike dhe si shoqëri civile një “stress-test” sesi duhen përballuar, analizuar por edhe trajtuar çështje të tilla të një rëndësie globale për paqen dhe sigurinë dhe ku ne u ftuam të kontribuonim…
Gazetari: Ju keni qenë ministër edhe në kabinetin “Berisha”. A mund të bëni një krahasim mes Berishës kryeministër dhe Ramës kryeministër?
Panariti: Asnjëherë nuk më është dukur e udhës të shprehem për profilin e figurave publike dhe personaliteteve të ndryshme të jetës politike të vendit apo atyre ndërkombëtarë dhe aq më pak të gjykoj mbi ta në baza krahasuese. Në këtë drejtim, padyshim që ka një oferte të bollshme publicistike dhe mediatike.
Gazetari: Cili është komenti juaj për marrëdhëniet PS-LSI deri tani? A është një fillim premtues, apo fërkimet e vogla mund të kthehen nesër në problem të mëdha? 
Panariti:Koalicioni PS-LSI është një koalicion qeverisës strategjik, i ndërtuar dhe që funksionon mbi parime të shëndosha dhe kritere të përcaktuara qartë që në marrëveshjen parazgjedhore. Që ky ishte një koalicion sinergjik, kjo u vërtetua me rezultatin spektakolar të fitores së zgjedhjeve parlamentare të këtij viti, por unë jam i bindur se ky sinergjizëm do të materializohet edhe në kapjen e rezultateve qeverisëse, transformuese dhe zhvilluese dhe fillimet në këtë drejtim janë mjaft premtuese.
Intervistoi: Fejzi Braushi