Interviste e Ministrit Panariti për RTV Oranews: Së shpejti do japim vulën e cilësisë për produktet bio

Dt. 21.02.2014

Z. Minister, cila është strategjia juaj për bujqësinë?
Panariti: Bujqësia zë një rol shumë të rëndësishëm në ekonominë e vendit. Mjaft të përmendim disa të dhëna statistikore: kontributi që ajo jep në prodhimin e përgjithshëm bruto është rreth 20%, e jo vetëm kaq, pasi bujqësia është sektori që garanton numrin më të madh të të punësuarve. Në këtë pikëpamje është një sektor me rëndësi strategjike dhe jo rastësisht përbën një nga prioritetet kryesore të qeverisjes Rama. Për këtë arsye, ne jemi tashmë të vendosur për t’i dhënë këtij sektori atë që i takon në raport edhe me këto kontribute që ky sektor jep në zhvillimin e ekonomisë së vendit. Bujqësia ka marrë shumë pak në raport me atë që ka dhënë. Është e vërtetë që buxheti i bujqësisë ka qënë shumë herë më poshtë se mesatarja e rajonit, për të mos folur për mesataren europiane. Mjaft të bëj një krahasim me një shtet fshinj, me shtetin maqedonas, i cili jep si fonde mbështetëse për bujqësinë, pra ato që i quan si skema të subvencioneve, shifrën prej 150 milionë eurosh. Ne këtë vit kemi pasur një rritje në masën mbi 50% të fondeve të subvencioneve, por megjithatë ato nuk arrijnë të kapërcejnë vlerën prej 12 milionë euro. Shikoni sa larg jemi, pavarësisht se nga 8 milionë euro, e kemi çuar  në 12 milionë euro përsëri masa e financimit dhe subvencionit që i japim bujqësisë është më poshtë asaj që ajo meriton për të pasur atë zhvillim të pritshëm që do të jetë kontribues për zhvillimin e ekonomisë kombëtare për përmirësimin e bilanceve negative mes importeve dhe eksporteve. Ju e dini që në importojmë 800 milionë euro në vit produkte ushqimore dhe bujqësia është sektori që do të marrë përsipër përmbysjen e këtij raporti, përmirësimin e tij dhe pse jo deri në asnjëanësimin, pra në barazimin e eksporteve dhe importeve.
Kush janë prioritetet tona në zhvillimin e bujqësisë? Do ta them me tre fjalë, toka , tregu dhe uji. Në radhë të parë ne duhet të bëjmë ç’është e mundur për të avancuar reformën mbi konsolidimin e tokës. Ju e dini që ligji 7501 ligji i ashtëquartur ligji reformës agrare çoi në një fragmentim të tejskajshëm të tokës bujqësore, pasi ajo iu nda familjeve fermere mbi bazën e disa kritereve të përcaktuara, mbështetur në parimin e proporcionalitetit dhe kjo rezultoi në krijimin e afërsisht të 300 mijë fermave të vogla të cilat nuk administrojnë më shumë se 1.2-1.3 hektarë. Këto sipërfaqe padyshim e bëjnë bujqësinë të nivelit të bujqësisë të mbijetesës, por nuk mund të pretendohet për një bujqësi të zhvilluar, për një bujqësi moderne, bujqësi me kosto të ulët që del në mënyrë të organizuar në treg dhe që çon për agropërpunim dhe padyshim krijon të ardhura. Kjo kërkon një zgjidhje. Fillimisht ligji 7501 nuk po shkon drejt finales. Që ligji 7501 ta quajë të përfunduar misionin e tij si ligj, duhet që si finale të ketë dhënien e certifikatave të pronësisë. Deri tani kemi shpërndarë titujt e pronësisë, ato që i quajmë ‘tapi’, por këto nuk janë dokumenta ligjorë që të lejojnë transaksione, shitje blerje apo vendosjen e pronës tënde si kolateral pranë një banke për të marrë kredi dhe kjo e mban në ngërç bujqësinë shqiptare, pasi pengon krijimin e një tregu të mirëfilltë të tokës, pra nuk kemi mekanizëm shit-blerje, apo, siç përmenda dhe më përpara, vendosjen e tokës si kolateral për të marrë kredi. Për këtë arsye, në jemi të vendosur për të shpërndarë çertifikatat e pronësisë dhe unë kam krijuar një grup goxha kompleks, i cili ka filluar punën dhe unë mendoj që brenda 6 mujorit të parë ne do të shpërndajmë të paktën 200 çertifikata të pronësisë mbi tokën në disa komuna pilot, ku ne jemi afër procesit të rakoordimit midis asaj që ekziston në letër dhe asaj që ekziston në tokë. Në fakt gjë që hap rrugën për dhënien e çertifikatave të pronësisë dhe natyrisht dhe bërjen e pronarit ‘de juro’ pronar dhe jo thjesht mbartës të një titulli, i cili nuk përbën një dokument të mirëfilltë pronësie. Kjo do të bëjë të mundur hapjen e tregut, gjithsecili më pas do të jetë i lirë të hyjë në transaksione, shitje, blerje apo vendosjen e tokës së tij si kolateral për të marrë një kredi në bankë dhe për të zhvilluar aktivitet bujqësor. Kjo do të çojë edhe në konsolidimin e tokës bujqësore, pasi do bashkohen sipërfaqet, do rritet sipërfaqja e kultivuar, për rrjedhojë do të ulet kostoja e prodhimit  dhe do të rritet konkurueshmëria e tij dhe për rrjedhojë edhe shansi që ky prodhim të jetë konkurues në treg, të dalë në treg dhe gjithashtu të shkojë në agropërpunim duke rritur edhe të ardhurat për ekonominë e fermerëve. Krahas kësaj ne kemi edhe një realitet tjetër. Kemi realitetin e tokave ende shtetërore, përpos rreth 700 mijë hektarë që janë ndarë me ligjin 7501. Ne përsëri kemi tokë me pronësi shtetërore, e cila padyshim ka vetëm një pronar, që është shteti, dhe kjo i lejon shtetit natyrisht për të hyrë në bisedime me biznese vendase apo të huaja, të cilat janë të interesuara për të investuar në bujqësi dhe ambicia këtu është për të krijuar ferma të mëdha bujqësore. Pra, ferma që administrojnë sipërfaqe që kapërcejnë mbi 200-300 hektarë, ku për një produkt të caktuar për të cilin vendoset për t’u krijuar kjo fermë, tipikisht duhet të jenë produkte të cilat krijojnë përparësi kokuruese dhe krahasuese me produktet e tjerë, për të cilët ka kërkesë nga tregu, tërhiqet në mënyrë të garantuar dhe të shpejtë në mënyrë që të justifikojë dhe investimin parësor që bëhet në prodhim. Këtu ne synojmë të krijojmë ferma tip dhe ambicia ime dhe e qeverisë që unë përfaqësoj është që të krijojmë minimalisht 20 deri në 30 ferma që kultivojnë sipërfaqe mbi 200 ha dhe për të cilët ka një treg të garantuar. Këtu është edhe një shans shumë i mirë për punësimin në aktivitete të ndryshme në kultivim, në paketim, në amballazhim, në transport, pra bëhet fjalë për një zinxhir aktivitetesh të cilët rrisin punësimin dhe për rrjedhojë kontribuojnë në rritjen e të ardhurave shtesë edhe përpos atyre që vijnë nga tregtimi direkt i produktit. Kjo është sfida jonë, pra toka. 

Ju përmendët tregun çështjen e shitjes. Shpeshherë fermerët shqiptarë ankohen se nuk ka treg. A do të ketë një zgjidhje për këtë?
 
Panariti: Ju e shtroni shumë drejtë pyetjen. Në Shqipëri nuk është se nuk prodhohet, në Shqipëri prodhohet, por problem më i madh është që prodhimi nuk evadohet në kohën e duhur dhe për rrjedhojë kemi firo të mëdha sidomos në periudhën e pikut të prodhimit, pasi tregu nuk absorbon dhe duke qenë se fermerët nuk janë të organizuar është e pamundur që të arrihen tregje që janë larg vendit. Për këtë arsye është i domosdoshëm investimi në krijimin e magazinave të mëdha frigoriferike, në pikat e mëdha të grumbullimit, pasi fermeri që prodhon kërkon ta evadojë prodhimin sa më shpejt. Ai duhet të ketë në dispozicion një pikë të grumbullimit të produktit ku ta depozitojë, të shpërblehet dhe të vazhdojë aktivitetin. Fermeri nuk mund t’i bëjë të gjitha, nuk mund të bëjë dhe prodhuesin, nuk mund të bëjë edhe transportuesin, nuk mund të bëjë edhe tregtuesin, e ka të pamundur. Ai duhet të bëjë prodhuesin, pra në momentin që prodhon shkon në pikat e grumbullimit ku e dorëzon kundrejt një çmimi i cili është fiks, i afishuar, transparent dhe pastaj futen në lojë operatorë të tjerë, transportues të cilët produktin e çojnë ose në treg si produkt të freskët, apo e çojnë në fabrikat e agropërpunimit për t’i dhënë vlerë të shtuar dhe për ta çuar në nivel përpunimi në trajtën e salcës, kompostos, reçelit etj. Por ne kemi akoma një mangësi shumë të madhe në këto pika grumbullimi. Këto pika grumbullimi do të krijohen jo thjesht me fonde shtetërore por edhe me iniciativë private. Tipikisht skema më interesante do të jetë partneritet publik- privat. Ne jemi tashmë në prag të krijimit të një pike të madhe të grumbullimit të produkteve në një zonë me aktivitet intensive bujqësor, në unazën e Lushnjes. Jemi gati duke filluar një investim shumë të madh që kapërcen vlerën e 1.5 milionë eurove, ku një firmë e fuqishme kosovare, e cila ka rrjetin më të madh e më të fuqishëm të distribucionit të produkteve bujqësore, firma EKOS, merr angazhimin për të bërë një investim  krijimin e magazinave të mëdha frigoriferike, pikave të grumbullimit, të zyrave ku do të bëhen edhe kontratat e shit-blerjes. Ju e dini që tregu kosovar është  një treg shumë interesant, i cili prej kohësh po përqëndrohet tek oferta shqiptare. Ata kanë filluar, kanë ndërtuar magazina frigoriferike në jug të Shqipërisë dhe  importojnë sasira të mëdha portokallesh, mandarinash, limonash, qitrosh nga Komuna e Zarës edhe nga  vendet e tjera. Ka shumë interes për të importuar sasira të konsiderueshme perimesh të freskta nga zona e Lushnjes dhe ne kemi një ofertë shumë të mirë me këto perime të freskëta, kemi ofertë të bollshme të të gjitha llojeve të sallatave, të lakrës lulelakrës, karrotës por edhe produkteve të tjera siç janë domatja, kastraveci e tjerë. Ajo që e bën të vështirë lëvrimin dhe evakuimin e shpejtë të tyre është mungesa e pikave të grumbullimit, pasi magazinat frigoriferike bëjnë  të mundur jo vetëm grumbullimin  e prodhimit por edhe shpërndarjen e tyre të njëtrajtëshme për një shtrirje 3-4 mujore dhe magazina frigoriferike ta jep këtë mundësi, e ruan në frigorifer dhe e nxjer pastaj gradualisht në raport me kërkesat. Në mungesë të magazinës frigoriferike ndodh fenomeni i kalbjes, sepse kuptohet nuk ka fuqi  absorbuese të menjëhershme tregu, ti nuk ke vend të ruajtjes dhe për rrjedhojë kemi firo të mëdha prodhimi. Ky ishte dhe rasti që tipikisht ndodhi para 3-4 muajsh ku ne kishim domate akoma ne sera, superprodhim dhe kjo nuk tërhiqej për arsye se mungonte një pikë grumbullimi. Pra kjo domate edhe në rast se nuk shitej e freskët mund të kalonte fare mirë në fabrikat e agropërpunimit që ekzistojnë në vendin jonë për t’u përpunuar në trajtën e salcës apo koncentrateve të ndryshme. Pra ky është një element shumë i rëndësishëm ku ne jemi të fokusuar dhe siç thashë do të fillojmë sëshpejti me këtë iniciativë, por qëllimi është që pikat e grumbullimit të shtrihen në të gjithë teritorin dhe të jenë sa më afër prodhimit në mënyrë që prodhuesi të prodhojë dhe të evadojë, evakuojë me shpejtësi të madhe. Natyrisht në mënyrë transparente me çmime fikse, me parakontraktime dhe natyrisht duke futur operatorë të tretë në lojë, të cilët do të jenë ata që grumbullojnë mallin dhe ia shesin pastaj personave të tretë. Si funksionojnë? Kjo ndoshta do të bëjë të nevojshme edhe krijimin e shoqatave, nuk po përdor termin ‘koperativa’ pas termi koperativë ka një konotacion jo të pëlqyeshëm nga shqiptarët, por do krijohen shoqërime që do të bashkëpunojnë në grumbullim, pra do kemi shoqërime të tipit ku  të gjithë fermerët mund të jenë aksionerë në një shoqëri të tillë, e cila grumbullon dhe evadon produktin. Gradualisht, pastaj, ky shoqërizimi që mund të arrihet në nivelin e grumbullimit dhe të shpërndarjes mund pastaj të shtrihet edhe në nivel prodhimi, ku bashkohen tokat, bashkohen mjetet e mekanikës bujqësore, të bashkohen natyrisht edhe imputet në mënyrë që të ulet kostoja dhe të rritet rendimenti, por që të ndodh kjo e fundit duhet që në radhë të parë të ketë një bazë ligjore, që është çertifikata e pronësisë mbi tokën, sepse kjo përbën edhe bazën juridike të hyrjes në transaksione.
 
Çfarë po bëhet për të garantuar cilësinë e ushqimit. Keni qënë herë pas here aktiv në promovimin e këtij aktiviteti, madje ka edhe një task forcë për të verifikuar pikërisht atë çfarë konsumatori merr prej ushqimeve.

Panariti: Unë e kam një përparësi edhe personale vendosjen e standardeve të qarta në fushën e cilësisë dhe sigurisë ushqimore. Sigurinë në radhë të parë që produktet tona të jenë të sigurta, të çliruara nga helmet, insekticidet, pesticidet, hormonet, stimulantët e rritjes që dëmtojnë shëndetin publik, por edhe cilësore në kuptimin që të jenë me shijen që i karakterizon produktet shqiptare, të ruajmë atë që kemi më të vyer dhe që përbën edhe elementin më të fortë konkurencial tonin, pra shijen tipike të produkteve shqiptare, të mos e prishim këtë sepse ne e kemi të vështirë të konkurojmë me sasi, por konkurojmë kryesisht me cilësi, prandaj jo rastësisht unë insistoj tek produktet bio, të çertifikuara që përmbajnë edhe brendin dhe markën e prodhimit autentik shqiptar. Për këtë arsye Ministria e Bujqësisë shumë shpejt do të lançojë atë që quhet ‘vula e cilësisë’ të cilën do ta kenë ata që do ta meritojnë. Ne do ta kemi si një incentivë për të favorizuar ato biznese të cilët prodhojnë produkte bio, të cilët garantojnë origjinën e produktit, të cilët respektojnë standardet më të larta të cilësisë, pra nuk përdorin insekticide, nuk përdorin pesticide, nuk përdorin fitohormone, nuk përdorin ngjyrues, nuk përdorin konservues sintetik dhe ruajnë freskinë, natyrshmërinë dhe karakterin bio të prodhimeve - këto do të merritojnë vulën e cilësisë. Me këtë vulë që do t’i vendoset produktit do të bëjë diferencën e këtij produkti nga produktet e tjera konvencionale që prodhohen me insecticide, me pesticide, me stimulus hormonalë. Nga ana tjetër ne do të ndërhyjmë, dhe kjo është një iniciativë personale e imja, por edhe e dikasterit, tek farmacitë bujqësore. Ne do të vëmë nën kontroll përdorimin e pakritertë të fitoormoneve, stimulantëve të rritjes, të cilët në një farë mënyre kanë bastarduar edhe shijen e produkteve tona. Besoj se të gjithë ju dhe bashkë me ju edhe unë kemi provuar domate, të cilat vetëm emrin kanë domate, pra që nuk kanë asgjë të përbashkët me domaten, nuk kanë shije, janë të kuqe nga jashtë dhe nga brenda janë kërcore jeshile, pra që normalisht janë produkte të bastarduara nga përdorimi i pa kriter i stimuluesve të cilët nxisin rritjen e shpejtë duke mos rrespektuar ciklin vegjetativ të bimës, është njëfarë pompimi që i bëhet dhe për rrjedhojë këtu e paguan konsumatori me një shije të papërshtatshme, por ajo që është me e rrezikshme është që mbetjet e fitohormoneve, stimulantëve janë edhe brenda pulpës së produktit duke përbërë një kërcënim direkt për konsumatorin. Ju e dini që unë kam dalë me sloganin “ Prodho shqip, Konsumo Shqip, Tregto Shqip”. Kjo do të thotë jo vetëm që apeli është i drejtëpërdrejtë për konsumatorët që preferojnë prodhimet shqiptare por të bëjmë të mundur që t’ju garantojmë që prodhimet shqiptare janë prodhime bio, të çliruara nga këto pesticide, fitohormone, nga nxitës hormonal që paraqesin rrezik për shëndetin publik dhe unë do bëhem garant i kësaj duke ushtruar një kontroll të rreptë, pse jo, të shkojmë deri atje sa të bëjmë edhe amendimin e ligjit të ushqimit dhe nxjerrjen e akteve normative për të ndaluar tërësisht importin e hormoneve e nxitësve hormonalë, e stimuluesve të rritjes, por nuk kemi nevojë. Ne kemi një klimë të jashtëzakonshme një djell të jashtëzakonshëm, i cili  i pjek në mënyrë të natyrshme produktet nuk kemi nevojë të përdorim pompa dhe shiringa për të stimuluar pjekjen artificiale të prodhimeve, përpos që kjo është e dëmshme për shëndetin e konsumatorit. Pra, unë do të diferencoj produktet bio dhe jam i sigurtë që konsumatori shqiptarë do t’i preferojë këto, unë ja bëjë të qartë se ky është roli institucional i Ministrisë së Bujqësisë, t’ia bëjmë të qartë se kush janë këto produkte bio, kush janë këto ferma të çertifikuara, kush janë këto ferma ku garantohet plotësisht, që nga fara e deri tek produkti final, karakteri bio i prodhimit bujqësor dhe nëpërmjet këtij instrumenti, vulës së cilësisë, çertifikimit dhe kontrollit që do ti bëjmë këtyre fermave, këto ferma do të jenë të favorizuara në treg për cilësinë e produktit që ato do të ofrojnë.

Mund të jemi edhe më sfidues në tregun europian?

Panariti: Kjo mund të jetë edhe kartvizita e bujqësisë shqiptare në tregun europian. Tregu europian është i hapur, natyrisht ka kriteret e standarde të forta, rigoroze përsa i përket sigurisë, por produktet shqiptare vërtet mund të sjellin një risi, sjellin karakterin e tyre, shijen e tyre, natyrshmërinë e tyre dhe të zënë një vend të merituar në tregun europian. Ne kemi filluar të eksportojmë në tregun europian, eksportojmë kryesish perime dhe zarzavate. Po ju them një shembull: Një investitor danez i cili i ka rreth 7 ha sera në zonën e Lushnjes dhe ai prodhon të gjitha llojet e sallatrave duke filluar nga sallata, prodhon lulelakër, prodhon brokoli, prodhon të gjitha llojet e lakrave, prodhon perime të ndryshme, prodhon erëza dhe natyrisht është i organizuar edhe nga pikëpamja e transportit. Maunet e tij vijnë në mënyrë periodike dhe ngarkohen. Unë e pyeta në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe më tha që pëlqen jashtëzakonisht produktet shqiptare dhe jo vetëm kaq, ai ka bërë edhe një hap në paketim ka vendosur “Prodhim shqiptar”. Praktikisht këto produkte identifikohen edhe me vendin e tyre të origjinës dhe unë e pyeta, a krijon kjo kompleks tek konsumatori europian? - Më tha-  përkundrazi prodhimet shqiptare preferohen në raport edhe me prodhimet spanjolle, prodhimet greke dhe prodhimet e vendeve të tjera të rajonit. Kjo duhet të na shërbejë si një sinjal që ne duhet të përqëndrohemi në investime pikërisht aty ku kemi avantazhe krahasuese dhe konkuruese, siç janë bimët me cikël të shpejtë vegjetativ ku ne mund të kemi 2 deri në 3 vjelje gjatë vitit, sallatat e ndryshme, erëzat, karrotat, lulelakrat, perimet e freskëta, ne kemi avantazh dhe mund të stimulojmë mbjelljen e tyre në sera qoftë edhe në fushë dhe kjo është diçka e mrë që duhet ndjekur me përparësi. Ndërkohë mund të përmend avantazhe të tjera. Psh 100% e prodhimit tonë të gështenjës importohet, domethënë ne nuk i plotësojmë kërkesat dhe importojmë. Na mungojnë bazat e mëdha të akumulimit dhe grumbullimit të produktitnë magazinat frigoriferike. Në një periudhë të caktuar kërkohet sasi e madhe gështenjash, sidomos kur është piku, ti ke kapacitete të kufizuara të grumbullimit dhe për rrjedhojë një pjesë e madhe shkon firo, ti praktikisht 30% arrin të eksportosh, pjesa tjetër ngaqë nuk magazinohet nuk ka vend ku të ruhet, prishet dh emendohet që humbin me miliona lekë ku praktikisht nëpërmjet një investimi qoftë edhe modest këto lekë natyrisht mund të përfitohen dhe mund të shërbenin për zhvillimin e mëtejshëm të këtyre ekonomive, flas për gështenjën por kemi edhe bimët mjekësore ku kemi kërkesa në rritje nga tregu, veçanërisht nga tregu i Shteteteve  të Bashkuara të Amerikës, i cili absorbon të gjitha llojet e bimëve, duke filluar që nga sherebela dhe deri tek bimët e tjera mjekësore. Natyrisht ne duhet të jemi të kujdeshëm që këto t’i kultivojmë dhe të mos dëmtojmë natyrisht dhe bimët e kullotave të cilat kanë vlerën e tyre.

Z. Minister, a ka të ardhme bujqësia shqiptare?
Panariti: Bujqësia ka një të ardhme të garantuar, mjaft të përmend një fakt që është i vetmi sektor që shënoi rritje edhe në këtë periudhë krize. Ju besoj jeni njohur me statistikat e fundit të vitit ku vetëm bujqësia pati një rritje me 3%, të gjithë sektorët e tjerë ishin në rënie dhe për rrjedhojë interesi për të investuar në bujqësi është gjithmonë e në rritje dhe nga sektorë ku tashmë stanjacioni bën efektin e vet, siç është sektori i ndërtimit, të gjithë ato biznese ku prespektiva e zhvillimit është e largët janë drejtuar drejt investimeve në bujqësi. Më kontaktojnë mua për të parë mundësinë e marrjes së sipërfaqeve me qera apo me konçesion për t’i hyrë prodhimit bujqësor. Ju e dini që shpërthimi i madh demografik, pasojat nga ngrohja globale kanë bërë që të rritet shkretirëzimi në botë dhe për rrjedhojë po kufizohen sipërfaqet të cilat dikur ofronin kapacitete për zhvillim të kulturave bujqësore. Kjo ka bërë që të rriten çmimet në bursa të prodhimeve ushqimore dhe ky është një rast i jashtëzakonshëm për Shqipërinë që nëpërmjet atyre përparësive konkuruese dhe krahasuese të gjejë vendin e vet në tregje ndërkombëtare dhe në tregun e brendshëm. Ne duhet të rrisim eksportet, kemi mundësi të jashtëzakonshme për të rritur eksportet dhe ky do të jetë edhe shansi më i mirë për të përmirësuar bilancin negativ import-eksport që kemi aktualisht.