Interviste e Ministrit të Bujqësisë z. Panariti lidhur me shpërndarjen e certifikatave të pronësisë

Dt. 17.01.2014

Z. Minister, shpërndarja e certifikatave të pronësisë ka qenë një ndër premtimet elektorale të qeverisë së sotme. Në jo pak raste, Kryeministri Rama ka shprehur angazhimin se brenda mandatit qeverisës do të marrë zgjidhje çështja e pronës. A ka nisur ky proces?

 

Ministri Panariti: Ju falenderoj për mundësinë që po më krijoni për t’u shprehur rreth një çështjeje e cila mban të ndrydhura potenciale të jashtëzakonshme për zhvillimin e bujqësisë dhe të ekonomisë kombëtare në tërësi. Një çështje,  e cila ndër të tjera nëpërmjet një ngërçi shumëvjecar ushqen pandalur konflikte shoqërore dhe procese gjyqësore. Një çështje e cila mban gjallë dhe ushqen vetëm bujqesinë e mbijetesës.

Shpërndarja e certifikatave të pronësisë është prerja e “nyjes gordiane”  të një ngërçi i cili mban peng një proces, i cili as nuk po përparon dhe as nuk mund të kthehet mbrapa.

Ky proces duhet të shkojë me çdo kusht drejt finales dhe kjo finale është vetëm çertifikata e pronësisë. Kjo do të mundësojë krijimin e tregut të tokës dhe të shitblerjeve te saj.

E sadoqë mund të duket si paradoks, unë jam i bindur se kjo eshte rruga e vetme e cila konsolidon tokën bujqësore dhe do të krijojë për rrjedhojë mundësitë për zgjidhjen e pretendimeve të palëve mbi të, sepse do të hapë rrugën e prodhimit në shkallë të gjerë, me kosto të ulët dhe konkurues dhe do të gjenerojë të ardhura shtesë për shtetin nëpërmjet mekanizmave fiskale, të cilat do të përdoren për kompensimin e pronarëve të vjetër.

Në krye të herës, dua të theksoj se zgjidhja e çështjeve të pronës, është një problem shumë kompleks, që ka shoqëruar periudhën e tranzicionit gjatë 20 viteve të fundit.

Përsa i përket tokës bujqësore, nëpërmjet reformës së privatizimit të saj është bërë e mundur që rreth 80% e sipërfaqes së përgjithshme, tashmë të jetë në pronësi private.

Rreth 95% e subjekteve (familjeve bujqësore) janë pajisur me titullin e pronësisë (Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi ose siç quhen ndryshe “tapi”), ndërsa regjistrimi fillestar i këtyre pasurive është kryer në rreth 86% të zonave kadastrale të vendit. Ky regjistrim është një parakusht që pronarët të marrin edhe certifikatën e pronësisë.

Pajisja me certifikatat e pronësisë është një domosdoshmëri, pasi ato shërbejnë për pronarët e tokës si një instrument ligjor për të kryer veprimtari të nevojshme si transaksione, qiradhënie, garanci bankare etj. Po kështu, rritet edhe siguria për pronën, një dukuri e hasur jo rallë në disa zona të vendit.

Ashtu siç theksova edhe ne fillim të intervistës vetëm në këtë mënyrë, do të aktivizohet  tregu i tokës dhe konsolidimi i saj, pa të cilat bujqësia e vendit tonë nuk do të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme dhe efektive.

Për përmbushjen e këtij premtimi elektoral, dëshiroj të konfirmoj se jo vetëm ky proces ka filluar, por  po punojmë  intensivisht së bashku me disa ministri dhe institucione të tjera.

Si do të realizohet, procedurat që do të ndiqen?

Si fillim dhe si hap i parë, është ngritur dhe funksionon një Grup Pune, për evidentimin e problemeve dhe përmirësimet e nevojshme të procedurave ligjore për shpërndarjen e certifikatave të pronësisë. Ky grup kryesohet nga unë, pra nga Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave. Në mesin e muajit shkurt, do të jenë gati një numër propozimesh të natyrës teknike, ligjore apo edhe financiare për lehtësimin dhe përshpejtimin e procesit.

Cilët do të përfitojnë të parët, nëse ka të tillë?

Komuna Frakull, në qarkun e Fierit është përzgjedhur si komunë pilot. Puna aty ka filluar, dhe në dy fshatra të saj ka përfunduar evidentimi rast pas rasti i dokumentacionit ligjor dhe teknik për të gjitha familjet bujqësore. Mbi bazën e përvojës së fituar, shumë shpejt do të veprohet edhe në komuna të tjera të vendit dhe sidomos në zonat më të rëndësishme bujqësore.

Çfare roli do të luajnë komunat dhe bashkitë në këtë proces?

Roli që kanë komunat dhe bashkitë është shumë i rëndësishëm, pasi në një proces të drejtuar dhe aktiv si ky që kemi nisur, ato janë hallka kryesore e komunikimit të pronarëve të tokës (familjeve bujqësore) me Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP), të cilat lëshojnë edhe certifikata me kërkesën e pronarit të ligjshëm.

Cilët do të përjashtohen? Rastet kur nuk do të jepet certifikata e pronësisë?

Këtu nuk bëhet fjalë për përjashtim. çdo subjekt (familje bujqësore), që disponon Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi të lëshuar nga komisionet e ndarrjes së tokës në përputhje me legjislacionin përkatës, ka të drejtë të pajiset me certifikatën e pronësisë.

Përtej zotimeve që janë bërë për mbylljen e këtij kapitulli brenda mandatit të parë qeverisës, sa kohë duhet në fakt për të finalizuar nismën, duke marrë në konsideratë situatën ku ndodhemi?

Siç e thashë edhe më lart, problematikat janë të shumta, procesi është kompleks, kërkon bashkëpunimin dhe koordinimin e shumë institucioneve në nivel qëndror dhe vendor. Por nga ana tjetër, finalizimi sa më i shpejtë i kësaj nisme, do të sjellë një impakt shumë pozitiv, dhe jo vetëm ekonomik. Shumë shpejt, do të kemi detajime dhe hapa më konkretë.

Pak ditë më parë është publikuar në Fletoren Zyrtare vendimi për shtyrjen e afatit të verfikimit të titujve të pronësisë, kur ndëkohë ky proces duhet të kishte përfunduar. A cilësohet kjo një pengesë apo barrierë? Si do të koordinohet puna?

Shtyrja e afatit të verifikimit të titujve të pronësisë ishte i domosdoshëm, së pari, sepse ende nuk ka përfunduar shqyrtimi i kërkesave apo ankesave të paraqitura nga individë apo institucione shtetërore, veprimtaria e të cilëve lidhet me pronësinë mbi tokën bujqësore. Së dyti, nuk ka përfunduar plotësimi me dokumentacionin e pronësisë për një kategori familjesh bujqësore në disa zona të vendit, të cilat janë subjekt i ligjit, që e përdorin tokën për qëllime bujqësore, por për shkaqe të ndryshme kanë mangësi në dokumentacionin e pronësisë.

Ndërkohë, më duhet të saktësoj që verifikimi i titujve të pronësisë nuk është pengesë për regjistrimin e titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore dhe pajisjen e pronarëve me certifikata pronësie.

Procesi i verifikimit është mjaft kompleks dhe realizohet nëpërmjet bashkëpunimit të disa institucioneve si komunat/bashkitë, DAMT dhe ZVRPP të koordinuara nga komisionet vendore pranë prefektit të qarkut, ndërsa në nivel qendror nga Komisioni Qeveritar i Tokës. Ndonëse detyrat e këtyre institucioneve janë të përcaktuara qartësisht me ligj, sërish është i nevojshëm një bashkëveprim më i mirë i tyre dhe në kontekst është thelbësore që prefektët të luajnë një rol shumë më aktiv.

 

Sa tituj pronësie janë verifikuar deri më tani dhe sa të tjerë mbeten?

Qysh  nga krijimi i komisioneve të verifikimit të titujve të pronësisë (viti 2009) dhe deri tani janë paraqitur rreth 12 mijë kërkesa nga individë dhe institucione të ndryshme. Rreth 5 mijë prej tyre janë trajtuar dhe kanë marrë zgjidhje ligjore. Po kështu, janë marrë 2600 vendime dhe ka rezultuar se rreth 1000 tituj pronësie kanë qenë fituar në kundërshtim me ligjin në një sipërfaqe toke bujësore prej rreth 630 ha.

Megjithatë, ende mbetet për t’u verifikuar një numër i konsiderueshem titujsh pronësie, kryesisht në territoret e ish-NB-ve dhe zonat e zhvillimit me përparësi turizmin, sidomos në zonën bregdetare të vendit.

Si e gjykoni ju këtë shifër?

Nisur nga kohëzgjatja dhe personeli i përfshirë në këtë proces, shifrat dhe tregues të tjerë të verifikimit mund dhe duhet të ishin shumë më të avancuar.