Intervistë e Ministrit të Bujqesise, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave për gazetën `Panorama`

Dt. 22.11.2013

Intervistë e Ministrit të Bujqesise, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave për gazetën 'Panorama'

Gazetarja: Z. Minister, si do të realizohet skema e re e subvencionimit dhe cilat do të jenë avantazhet e saj?


Ministri Panariti: Në fakt nuk kemi të bëjmë as me një skemë të re dhe as të panjohur deri tani. Por kjo skemë, e cila mbështet dhe stimulon vetëm rezultatin, pra prodhimin bujqësor të gatshëm, nuk ka patur peshën e duhur në mbështetjen financiare ndaj fermerit deri tani.


Kryesisht ka mbizotëruar skema e mbështetjes financiare për njësi sipërfaqeje të kultivuara, apo për krerë bagëtish të mbarështruara. Kjo skemë mbizotëruese deri tani në pagesat e kryera në bujqësi, padyshim ka inkurajuar dhe nxitur përpjekjen dhe nismat e fermerëve për t’ju kthyer punës në bujqësi dhe blegtori, si dhe për të zgjeruar veprimtaritë e tyre bujqësore. Por kjo skemë nuk është e mjaftueshme për të garantuar prodhimin bujqësor dhe daljen e tij në treg, sepse ajo shpërblen vetëm mundin, përpjekjen, por jo domosdoshmerisht rezultatin. Kjo sepse pagesat e kryera mbështeten në njësi sipërfaqe apo numër krerësh dhe si rrjedhojë ka raste që pasi fermeri ka marrë paratë për sipërfaqen e kultivuar, nuk vazhdon të jetë më i interesuar për të ndjekur prodhimin deri në fund dhe për ta grumbulluar dhe dorëzuar atë në pikat e shitjes.
Gazetarja: Në lidhje me përfitimin financiar që do të kenë fermerët, si do të kryhet? Kur do të mund t’i tërheqin paratë dhe me çfarë kushtesh apo kriteresh?
Ministri Panariti: Së pari duhet të jetë e qartë se ne do të mbështesim financiarisht vetëm prodhimin bujqësor dhe atë blegtoral, që paraqet avantazhe të krahasuara dhe konkuruese në treg. Për këtë ne jemi duke studiuar me shumë kujdes se cilat janë këto produkte bujqësore dhe blegtorale, që i krijojnë këto përparësi. Ne do të vëmë në lëvizje mekanizmin e pagesave, vetëm kur fermeri ta ketë prodhuar dhe dorëzuar produktin në pikat e grumbullimit apo të përpunimit. Aty do të bëhet edhe matja e sasisë së dorëzuar si dhe klasifikimi i cilësisë së prodhimit.
Kriter i pagesave ndaj fermerëve do të jetë jo vetëm sasia por dhe cilësia e prodhimeve bujqësore e blegtorale. Sigurisht, për të njëjtën sasi prodhimi, por të cilësisë me të lartë do të paguhet më shumë. Autoritetet e Ushqimit të qarqeve janë ato që do të bëjnë vlerësimin e treguesve cilësore dhe sasiorë të prodhimeve në pikat e grumbullimit dhe do të autorizojnë sinkron pagesat ndaj fermerëve.  
 
Gazetarja: Kur do të nis hartimi dhe implementimi i metodikës së re?
Ministri Panariti: Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural e njohur ndryshe edhe si Agjencia e Pagesave e ka hartuar tashmë metodologjinë dhe kriteret e zbatimit të skemës.  
Gazetarja: Çfarë shtrirje do të ketë, që do të thotë cilat produkte do të subvencionohen dhe në çfarë mase?
Ministri Panariti: Kjo do të bëhet e ditur me të përfunduar studimi përkates i fizibilitetit. Sidoqoftë, apriori mund të them se bimët mjekësore, ato etero-vajore, perimet dhe frutat e freskëta, ulliri si dhe mishi e qumështi i të imtave, molusqet etj, janë disa prej këtyre përparësive. 
Gazetarja: Përsa i takon taksës që do vilet nga shitblerja e tokës, në kuadër të zgjerimit të sipërfaqes së kultivuar, ju keni deklaruar qe do përdoret për kompensimin finaciar të ish-pronarëve. Fillimisht sa do të rëndojë në xhepat e fermerëve kjo taksë dhe ndaj kujt do të aplikohet detyrimi (ndaj atyre që e shesin apo atyre që e blejnë)?
Ministri Panariti: Qëllimi ynë madhor është konsolidimi i tokës bujqësore, gjë që arrihet me zgjerimin e sipërfaqes së saj. Ne kemi një fragmentim të tejskajshëm të tokës bujqësore me një mesatare ferme prej rreth1.3 ha sipërfaqe nga rreth 27 ha që është mesatarja në BE.  Ne do të lehtësojmë dhe inkurajojmë procedurat e marrjes së certifikatave të pronësisë nga të gjithë përfituesit e titujve të pronësisë, të cilët i kanë regjistruar ato pranë zyrave e regjistrimit të pasurive të patundshme, pas rakordimeve midis asaj që shkruhet në letrat e tapive të tokës dhe faktit të konstatuar në terren. Duke shpërndarë certifikatat e pronësisë, ne hapim tregun e tokës duke aktivizuar shitblerjen e saj si të vetmin instrument për të rritur sipërfaqen e tokës dhe për ta bërë atë tërheqëse për investime.
Aplikimi i taksës mbi tokën nuk është aspak një qëllim në vetvete, por një mekanizëm detyrues për punimin dhe kultivimin e saj. Kjo do t’i japë fund gjendjes së tokave djerrë, apo të mbajtjes atyre peng “kur t’i vijë koha” nga përfituesit e tyre, të cilët ndërkohë merren me aktivitete të tjera.
Jo, kjo nuk mund të vazhdojë më kështu. Nëse nuk ke ndërmend ta punosh dhe mbjellësh tokën, atëherë përgatitu nëse të leverdis, që të paguash taksë me të lartë për të, në krahasim me atë që e punon dhe e kultivon, përndryshe do të jesh i detyruar t’ja shesësh atij, i cili është i motivuar dhe i interesuar ta punojë dhe ta zhvillojë atë. Kjo do të krijojë së fundi atë shtresë fermerësh, të cilët të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve e lidhin vetëm me bujqësinë, me tokën me prodhimin. Kjo do të tërheqë investimet dhe investitorët, kjo do të zhdukë bujqësinë e mbijetesës do të rritë sipërfaqet e kultivuara dhe do të ulë koston e prodhimit.
Unë kam ndjeshmëri të veçantë edhe për shtresën e ish pronarëve të tokave bujqësore të shpronësuar padrejtësisht nga regjimi komunist. Natyrisht nëpërmjet nismave dhe ndryshimeve ligjore, është e mundur që nga kjo taksë të krijohet fond shtesë për kompensimin financiar të tyre, krahas kompensimit fizik me toka publike në fondin e akorduar për këtë qëllim pranë Agjencisë së kthimit dhe të kompensimit të pronave. 
Gazetarja: Çfarë vlere parashikohet të përfitohet nga kjo skemë që do t’i shkojë fondit të kompensimit financiar?
Ministri Panariti: Kjo do të jetë subjekt i një studimi dhe vlerësimi të përgjegjshëm.