Intervistë per ABC News Panariti: Do ç’rrënjosim tek prodhuesi e tregtuesi kulturën e mashtrimit me produktet

Gazetarja: Z. Ministër, si është situata e tregut ushqimor në Shqipëri, sa të sigurt jemi për ato që konsumojmë?

Panariti: Situata e sigurisë ushqimore është në përmirësim rrënjësor dhe sistematik, dhe  kjo nuk është e thënë në mënyrë deklarative por e provuar me veprim konkret të përditshëm. Bëhët fjalë për një sistem krejtësisht të ndryshëm, pra për një përqasje krejtësisht të ndryshme në raport me sigurinë ushqimore. Sistemi që ne synojmë të instalojmë është sistem që nuk i ngjan atij të mëparshmit sepse është një sistem vertical. Sistemi i mëparshëm ka qënë sistem horizontal që merrej vetëm me tregun, por në treg është vonë. Në rast se një prodhim i ndotur, nga fusha përfundon në treg, edhe në rast se arrin ta bllokosh në një segment të tregut, është e pamundur ta kontrollosh në të gjithë tregun, sepse ai produkt shkon në Tiranë, shkon në Sarandë, shkon edhe në Korçë, natyrisht mund edhe të eksportohet, prandaj praktikisht nëse produkti del i kontaminuar në treg, i ndotur, atëherë është shumë e vështirë që të ndalësh që ai të përfundojë në një mënyrë apo në një tjetër tek pjatat e konsumatorit dhe për rrjedhojë të rrezikojë edhe shëndetin e tij, ndaj përqasja jonë është e ndryshme. Sistemi i ri i sigurisë ushqimore që ne synojmë të instalojmë, dhe kemi filluar hapa të vendosura për ta instaluar këtë sistem, vepron sipas parimit nga ferma në tavolinë, mbështetet tek parandalimi se sa tek ballafaqimi me problemin. Prandaj gjithë organizmi jonë synon që të ndërtojmë barrierat e para të ndalimit të ndotjes të prodhimeve ushqimore dhe barierat e para ndërtohen atje ku fillon prodhimi, prandaj unë jo rastësisht  dhe jo thjesht në mënyrë simbolike shkova në Lushnje për të promovuar zbatimin e teknikave të thjeshta, shumë të shpejta dhe të sigurta  të zbulimit të ndotjes në prodhimet ushqimore të serave tona, kryesisht të perimeve dhe zarzavateve me metoda të thjeshta dhe me të njëjtën përqasje shkova edhe sot në një nga tregjet më të mëdha ushqimore të vendit, që është tregu “Avni Rustemi”, për të demostruar që nuk duhet pritur analiza e institucioneve të fushës, që janë institucione të referencës, por këto analiza të thjeshta duhen bërë  nga tregëtarët, vetë prodhuesit në mënyrë që problem të kapet që në origjinë. Këto analiza të thjeshta, ju e patë që analiza është e menjëhershme është një analizë kolorimetrike  e cila e identifikon problemin, pra qartësisht u vërtetua që djathi i fallsifikuar identifikohej shumë shpejt në një kohë rekord dhe mund të bllokohet dhe jo vetëm kaq por mund të shkohet dhe tek origjina, kush është ai që e fallsifikon, dhe padyshim ne do të jemi shumë kategorik në këtë mes  dhe do të bëjmë çështë e mundur që konsumatorit t’i ofrohen vetëm produkte cilësore. Pra, e filluam me djathin, sfida jonë është që javët që vijn  të vazhdojmë me mishin. Për herë të parë do të marrim nën analizë të plotë mishin e importit, praktikisht mish i cili përdoret edhe nga industritë tona të përpunimit të mishit, për prodhimin e lloj-lloj asortimenteve, sallamrave, proshutave e tjerë. Meqënëse ky mish në pjesën më të madhe vjen nga vende jashtë Bashkimit Europian, të cilët jo domosdoshmërisht zbatojnë kriteret e silësisë dhe sigurisë që i kërkon Bashkimi Europian, ne këtij mishi do t’i kushtojmë të gjithë vëmendjen dhe analizat e duhura që të vërtetojmë që ai nuk është i prekur nga trajtimet hormonale, stimulantët e rritjes, nga mbetjet antibiotike apo ndotësit e tjerë dhe padyshimnë rast se do të konstatojmë që ai nuk i respekton këto standarde do bllokohet dhe do ndalohet që ky mish të importohet nga këto vënde të cilat nuk zbatojnë  standartet e silësisë dhe sigurisë europiane. Do të vazhdojmë me vajin e ullirit. Vaji i ullirit shqiptar padyshim shquhet për cilësitë e jashtëzakonshme dhe këtë e kanë thënë ekspertet më të mirë të ullirit dhe ata ndërkombëtarë,  për arsye sepse ulliri i vendit, veçanërisht varietetet tona locale,ai kalinjot, ulliri i bardhë i Tiranës, ulliri i Beratit shquhen për nivele shumë të larta të polifenoleve, gjë që i jep atij vlera të posaçme në prodhimin e vajit. Kryesisht vaji i prodhuar me ullinj të tillë shquhet për efekte antioksidative, antikancerogjene dhe me vlera shumë të larta ushqimore, gjë që bën që ky vaj të tregtohet me shumë sukses dhe në vende ku është shumë e vështirë të hysh me eksporte, sin ë Zvicër apo në Gjermani. Por ka edhe indicie që ka shumë fallsifikatorë që bëjnë përzierjen e paprincipt të vajit të ullirit me vajin vegjetal. Në rast se kjo do të ndodhë padyshim duhet pasqyruar në etiketë, që ky është vaj i përzierë, por të shitet një vaj ulliri që realisht është vaj i përzierë ne këtë nuk do ta lejojmë, prandaj javët që vijnë ne do të fillojmë edhe me analizat e të gjithë mostrave të vajit të ullirit për të parë realisht se kush është vaji autentik, i origjinës së kontrolluar të ullirit dhe që meriton të cilësohet vaj ulliri. Natyrisht ne kemi promovuar edhe vulën e cilësisë, me të cilën ne synojmë të krijojmë brendet shqiptare të cilët respektojnë të gjitha kriteret e cilësisë dhe sigurisë ushqimore që kanë të çertifikuara origjinën, duke bërë të mundur që këto brende të jenë krenaria dhe etiketa e prodhimit shqiptar. Të gjithë vendet e botës kanë brendet e tyre, dhe shumë produkte të tjera, ne synojmë të krijojmë brendet shqiptare, me të cilët ne natyrisht do të paraqesim etiketën bio dhe etiketën e cilësisë dhe sigurisë ushqimore.
Gazetarja: Z. Ministër, në bazë të verifikimeve tuaja cilat janë produktet më të rrezikuara për fallsifikim dhe që ndikojnë direkt në shëndetin tonë?
Panariti:  Fallsifikimi mund të ndodhë kudo, por natyrisht janë produktet e përpunuara ato që janë më të rrezikuara nga fallsifikimet, pra tipikisht djathi, vaji i ullirit, ku bëhen përzierie nga më të ndryshmet për ta fallsifikuar me qëllim për të konkuruar në mënyrë të padrejtë me çmim që del me kosto më të ulët.
 
Gazetarja: Çfarë do të ndodh me këta fallsifikatorë? Sot nga mostra e djathit doli që ishte i falsifikuar, çfarë ndodh dhe me tregtarin në momentin që mund ta dijë dhe vazhdon tregtinë, por edhe me origjinën, atë që e ka bërë këtë fallsifikim?
Panariti: Fallsifikatori në bazë të sanksioneve të parashikuara në ligjin “Për Ushqimin” dënohet me gjobë por ne synojmë që të rishikojmë dhe këto sanksione, pasi fallsifikimet shkojnë përtej dëmit që  mund të jetë i shlyshëm me gjobë, ndaj do kërkojmë forcim të sanksioneve. Natyrisht përdorimi i niseshtesë nuk është se dëmton shëndetin e konsumatorit por fallsifikon produktin. Pra, ti shet një produkt i cili nuk meriton të quhet djathë dhe natyrisht fallsifikatorët do të kapen, do t’u hiqet licenca dhe ne nuk mundet të lejojmë që me emrin djath të shiten produkte që nuk janë djathë, që janë  jashtë standartit shqiptar i cili saktëson qartë që djathi prodhohet nga qumështi dhe detyrimisht çdo produkt që nuk prodhohet nga qumështi dhe synohet të shitet si djathë padyshim është një fallcifikim i hapur dhe prodhuesit, në këtë rast fallsifikuesit, do të marrin dënim të ashpër deri në largimin e tyre nga veprimtaria që ushtrojnë
Gazetarja: Z.Panariti ishin shumë domethënëse daljet tuaj, javën e kaluar në Lushnje, këtë javë tek ai dyqan apo ai market në sheshin “Avni Rustemi”. Mendoni se do ndryshojë diçka në mentalitetin e tregtarëve apo do jetë kjo një valë që do bëhet shumë mirë  por do vazhdojë?
Panariti: Unë them do vazhdojë. Në radhë të parë ne duhet të ç’rrënjosim tek prodhuesi, tek tregtuesi kulturën e mashtrimit. Ata duhet të jenë të ndërgjegjshëm që gjithsecili duhet do të bërë barrierë mashtrimit e fallcifikimit i cili është afatshkurtër dhe që në fund të fundit i dëmton të gjithë, dëmton edhe ata vetë. Prandaj, unë nëpërmjet këtij gjesti simbolik kërkoj që përgjegjësinë e cilësisë dhe sigurisë ta transferoj që tek prodhuesi, tek tregëtuesi dhe pastaj të përfundojë tek institucionet qëndrore. Duhet një kompleks aktorësh të cilët mund të ndryshojnë situatën dhe unë desha të thyej dhe një mit i cili pretendonte që analizat e tilla të ingredienteve të insekticideve dhe pesticideve apo produkteve që përdoren për fallcifikim janë një tribut vetëm i institucioneve qëndrore. Jo nuk është e vërtetë, praktikisht analiza të tilla të thjeshta dhe të shpejta mund të kryhen nga laboratorët rajonale, madje dhe nga vetë tregëtuesit dhe prodhuesit siç është rasti i një analize të shpejtë por cilësore, tepër të saktë për përcaktimin e fallsifikimit te djathit. Ne filluam me shpërndarjen falas të kiteve diagnostikë në të gjithë tregëtuesit e produkteve të bulmetit në shshin “Avni Rustemi” dhe ne do ta vazhdojmë këtë ta bëjmë me të gjithë rrjetin tregëtar, në mënyrë që vetë tregtuesit të kenë në dorë instrument për të zbuluar fallcifikimin dhe padyshim për të krijuar bazamentin për tregtimin e prodhimeve të sigurta dhe cilësore.
 
Gazetarja: Është një pyetje që në fakt do një përgjigje jo vetëm nga ju por në bashkëpunim. Tregtohen mallrat e atyre që ne themi, bleva diçka tek “fshatarët” në rrugë. Tek dyqani që ju sot bëtë analizën e djathit, ngjitur ishte një dyqan peshku, një dyqan lulesh dhe përsëri një dyqan peshku. Do ketë një organizim, për shembull për sektorin e bulmeteve, për sektorin e mishit, për sektorin e shitjes së prodhimeve të detit?
Panariti: Padyshim ju e thatë saktë që aty ka një konglomerat shërbimesh dhe të vendosura në mënyrë jo llogjike, për shembull, nuk është normale që një dyqan lulesh i cili natyrisht ka edhe dhe, ka edhe burim kontaminimi bakterial, të jetë në krahë të një dyqani që tregton mish, tregton ushqime, produkte ushqimore qumësht, djathë e tjer. Prandaj duhet bërë një rikonceptim, duhet të kemi grupim të pikave tregëtare të produkteve ushqimore, të produkteve me origjinë shtazore duhet të jenë veç, veç djathi, veç mishi dhe veç frutat dhe perimet sepse duhet të parandalojmë atë që quhet kontaminimi i kryqëzuar. Kjo ndodh në të gjithë botën, praktikisht ka segmente të tregut që i dedikohen produkteve të një tipologjie të caktuar siç janë frutat, perimet dhe zarzavatet dhe nuk duhen ngatërruar natyrisht e tregtimin e mishit apo produkteve të tjera, këto kanë një segment tjetër sepse edhe kushtet e tregëtimit dhe të ruajtjes janë të ndryshme. Dihet që mishi, djathi ruhen në banaqe frigoriferike kurse frutat jo domosdoshmërisht mund të tregtohen të freskëta. Dhe aq më tepër duhen hequr këto shërbimet e tjera që nuk kanë të bëjnë fare me fushën e tregëtimit të ushqimeve, siç mund të jenë një dyqan rrobash, lulesh apo kinkalerira që i shesin atje.

Gazetarja: Po ku duhet gjetur hallka që të filloj të rregullohet e gjithë kjo?
Panariti: Tregu “Avni Rustemi” duhet të jetë ekskluzivisht një treg ushqimor dhe në këtë pikepamje ai e ka marrë fizionominë e një tregu ushqimor, ndaj ne do të bëjmë ç’është e mundur që edhe ato futje jashtë llogjikës së tregëtimit të produkteve ushqimore siç ishin një dyqan lulesh apo një pikë shitje prodhimesh industriale, të mund të vazhdojnë aktivitetin në vende të tjera të autorizuara, por jo brenda tregut ushqimor, pasi kriteret higjeno-sanitare dhe kriteret e tregtimit të sigurtë të prodhimeve ushqimore e ndalojnë këtë.
Gazetarja: Do të prekim një tjetër temë. Kemi parë vitet e kaluara prodhues shqiptar që kanë hedhur prodhimet e tyre pasi nuk mund t’i sjellin në qytet. Kryeministri Rama kur ishte në Pejë para pak ditësh tha që ka një mungesë informacioni dhe nuk duhet të krijojmë idenë që patatja e Kosovës mbushi tregun dhe patatet tona po hidhen. Ku është regullatori këtu, në mënyrë që edhe fermeri të fitojë edhe tregu të ketë produktin e duhur natyrisht me çmimin më të ulët, më të afrushëm dhe të përballueshëm për të gjithë?
Panariti: Çështja e produkteve që nuk arrijnë në treg nuk është vetëm fenomen shqiptar por është fenomen mbarë botëror. Unë isha një një konferencë në Budapest dhe atje u njoha me një shifër alarmante që 20-30% e humbjeve në bujqësi vijnë nga mos aftësia e dërgimit në kohë të prodhimeve në treg dhe e gjithë sfida e politikave bujqësore është që ta parandalojmë apo ta frenojmë këtë tendencë. Prandaj, të gjithë fondet në bujqësi synojnë të krijojnë mekanizma se si prodhimi të kalojë sa më parë nga fusha në tregje apo në fabrika të agropërpunimit dhe për këtë arsye kërkohen investime të mëdha në pikat e mëdha të grumbullimit, në magazinat frigoriferike të, cilat arrijnë ta absorbojnë prodhimin në pikun e tij dhe pastajë të shpërndajnë në mënyrë të njëtrajtshme gjatë gjithë vitit sepse e ruajnë per një kohë të gjatë në magazinat e tyre frigoriferike. Ky element i mungon bujqësisë shqiptare prandaj kemi edhe firo të jashtëzakonshme të prodhimeve.  Përpos kësaj, duhet natyrisht edhe një informacion bujqësor në mënyrë që të kemi një ide të qartë  se kush janë kërkesat e tregut për një prodhim të caktuar në mënyrë që të mos kemi mbivendosje kultivimesh ndërkohë që tregu nuk kërkon atë sasi të madhe, prandaj fermeri duhet orientuar saktë dhe në rajonalizimin e prodhimit dhe nuk është e thënë që thjesht për efekt të traditës të jesh i ngurtësuar në dy tre produkte sepse ndërkohë mund të kesh një pol tjetër i cili prodhon më me efektivitet dhe me çmim të ulët ato prrodhime, atëherë duhet ta orjentosh tokën, ta vësh në dispozicion të një kulture për të cilën ka mangësi dhe kërkesë. Prandaj është shumë i rëndesishëm informacioni bujqësor. Unë mendoj që tregu shqiptar, që nuk është vetëm treg shqiptar i Shqipërisë por treg rajonal tashmë edhe i Kosovës, ka hapesira ku të gjithë prodhuesit shqiptarë, qofshin ata të Kosovës apo Shqipërisë, të gjejnë veten e tyre por në përmjet një kordinimi, rajonalizimi të kujdesshëm të prodhimeve. Për shembull, Kosova mund të ketë avantazhe në fushën e dritherave, të bukës, ndërsa Shqipëria ka avantazhe në frutat, perimet e freskta për shkak të klimës së saj të përshtatshme, prandaj duhet rënë dakort që të bëhet një farë rajonalizimi që të mos kemi përplasje pastaj të interesave.
Gazetarja: Ka ndonjë strategji konkrete për këtë?
Panariti: Ne jemi duke punuar me këtë punë dhe për këtë duhen orientuar edhe fermerët të cilët të mbajnë parasysh se kush janë konjukturat e tregut
Gazetarja: Ku duhet të shkojnë të pyesin fermerët? Për shembull, është një zonë shumë e njohur për prodhimin e qepëve dhe kam parasysh që kemi transmetuar plane që janë hedhur shumë kuintal.
Panariti: Në radhë të parë ne duhet të forcojmë kapacitetet e magazinimit të qepës, sepse qepa mbin shpejt, po ta lësh ajo fillon humbet gjithë vetitë e saj. Duhet që qepa të arrihet të grumbullohet sepse fermeri nuk mund t’i bëjë të gjitha edhe të prodhojë edhe të shkojë në treg, fermeri duhet të prodhojë dhe dorëzojë. Nderi më i madh që ne mund t’i bëjmë fermerit është t’ja marrim prodhimin dhe praktikisht shteti mund të luaj një rol esencial në këtë mes, krijon pikat e mëdha të grumbullimit dhe magazinimit frigoriferik dhe ia tërheq atij, pastaj në mënyrë të programuar ja çon natyrisht blerësve potencial, qofshin këta që e duan si produkt të freskët apo fabrikë e cila e përpunon dhe e kthen në prodhim në vlerë të shtuar. Ne duhet të përqëndrohemi mirë, qepa e Korçës është qepë me vlera të jashtëzakonshme, qepa e famshme e Bozhigradit e cila përmban vlera të jashtëzakonshme, dhe unë jam i bindur që ka kërkesa edhe për eksport por natyrisht këtë nuk mund ta bëjnë fermerët, këtë mund ta bëjë shteti i cili është një mekanizëm i ndërmjetëm që bën të mundur gjetjen e tregjeve dhe pastaj e tërheq prodhimin dhe e çon në destinacion.
 Intervistoi: Mirela Milori

http://www.abcnews.al/intervista/intervista/1/1128