Prononcimi I Ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave z.Edmond Panariti dhënë për mediat në Malësinë e Madhe.

Pyetje: Cila do të jetë mbështetja që Ministria e Bujqësisë ka planifkuar në sektorin e bimëve medicinale për këtë vit në Malësinë e Madhe?

Edmond Panariti: Bimët medicianale, por jo vetëm, por edhe gështenja dhe disa kultura të tjera janë prioritete. Praktikisht bëhet fjalë për mbështetje të rajonalizimit të prodhimit. Malësia e Madhe historikisht ka traditë në kultivimin, rritjen dhe prodhimin e bimëve medicinale, prandaj jo rastësisht vëmendja jonë ka qenë në përkrahjen e këtij sektori, por sipas një përqasje të re. Ne investojmë kryesisht në magazinat, në pikat e mëdha të grumbullimit, në impiantet e tharjes, në ato të paketimit, sepse këto I japin vlerë të shtuar prodhimit. Nga ana tjetër, unë vura re me shumë kënaqësi që po I kushtohet rëndësi prodhimit të farërave autoktone. Ajo që dallon sherebelën vendase është sasia shumë e lartë e vajërave eterikë në krahasim me farën e importuar. Këtë e provuan vetë fermerët dhe arritën në konkluzionin që sherebela e kultivuar me farë të importuar kishte cilësi shumë më të dobët se sa cilësia e ofruar nga sherebela e vendit, dhe për rrjedhojë ra dhe çmimi në eksporte. Prandaj ne e filluam vizitën sot te fidanishtja, sepse ajo është baza e fillimit të prodhimit. Aty kultivohen fidane të certifikuar, autoktonë, e cila I jep një vlerë të papërsëritshme sherebelës shqiptare, e cila nuk ka të krahasuar absolutisht me sherebelën e prodhuar me çfarëdo lloj fare tjetër, edhe për shkak se ajo I përshtatet më së miri kushteve klimaterike dhe ekoklimatike të kësaj zone. Prandaj ne do të mbështesim duke dhënë subvencionime për farën autoktone. Ne do të mbështesim investimet direkte, sikurse janë ngritja e kapanoneve dhe impianteve të tharjes dhe të ambalazhimit.  Këto I japin vlerë të shtuar, stimulojnë edhe prodhuesit, që kanë një perspektivë reale ku ta dorëzojnë prodhimin, I cili pastaj pas përpunimit shkon direkt për eksport. Në këtë mënyrë krijohet një zinxhir I konsoliduar I vlerave, gjë që është edhe baza e rritjes së të ardhurave të eksportit, por edhe të punësimit. Përveç sherebelës, kjo zonë ka edhe prioritete të tjera kulturash, sikurse është gështenja. Gështenja është një potencial I madh, ajo eksportohet 100% në Itali. Problemi është të mos eksportohet vetëm si frut, por të eksportohet edhe e përpunuar. Në këtë mënyrë rritet vlera e produktit, rriten të ardhurat dhe kjo është në synimin dhe objektivat tona.

 

Pyetje: Një kulturë tjetër është ajo e duhanit, e cila nuk po gjen treg. A ka një plan për këtë Ministria e Bujqësisë?

Edmond Panariti: Ne duhet të orientojmë kultivimin e duhanit drejt varieteteve orientale dhe jo gjysëm orientale dhe duhet të bazohemi edhe në kultivarë rajonalë, sikurse është duhani Tarabosh, por në përgjithësi drejt varieteteve orientale. Duhani oriental është ai që kërkohet me shumicë në tregje, pasi ka vlera dhe karakteristika të tilla që I rrisin çmimin dhe vlerën në eskport. Prandaj ajo që është kryesore është që ne duhet të punojmë që ti bindim fermerët, për të bashkëpunuar me ta që të ndryshojnë varietetet, sepse duhet të prodhojmë sipas kërkesave të eksportit. Për këtë arsye, unë kam bërë një konsulencë të zgjeruar me specialistë të sektorit të duhanit, por edhe me kultivues dhe grumbullues të duhanit dhe të mos ndodhemi përpara situatave, sikurse ka qenë situata në Elbasan, ku ka pasur një keqpërdorim qoftë të kontratave nga ana e porositësit, por edhe një orientim I gabuar I fermerëve në raport me kultivarët dhe me farërat që përdorin. Prandaj në mënyrë që të krijojmë një zinxhir vlerërash, duhet të zgjedhim farën e përshtatshme, e cila prodhon produktin e përshtatshëm që sipas të gjitha studimeve varietetet orientale duhet të jenë ato që duhet të dominojnë, pasi janë të kërkuara në treg dhe padyshim Zona e Shkodrës ka një traditë të konsoliduar në prodhimin e duhanit, dhe me disa varietete të papërsëritshme sikurse është duhani Tarabosh, por edhe varietete të tjera.

 

Pyetje: Çfarë po bëhet për certifikimin e produkteve shqiptare dhe bërjen e tyre të konkurrueshme në tregjet europiane?

Edmond Panariti: Në radhë të parë produktet shqiptare duhet të garantohen që të jenë të sigurta, normalisht ne kemi ndërtuar një rrjet laboratorësh rajonalë e qendrorë që merren me kontrollin e mbetjeve në mënyrë që të garantojmë që cilësia dhe siguria e këtyre produkteve të jetë ashtu siç e kërkojnë standardet dhe parametrat europianë. Nga ana tjetër,ajo që është kryesore ne duhet të punojmë për të krijuar produktet e markës shqiptare, ato që quhen brande. Sepse këto e identifikojnë këtë me një rajon gjeografik të caktuar, prandaj Ministria e Bujqësisë para tre javësh shpërndau Vulën e Cilësisë. Pasi misionet e ekspertëve shkuan tek sipërmarrjet dhe fermat, dhe kontrolluan të gjithë ciklin e prodhimit që nga zona ku kultivohet, zinxhiri shpërndarës, akumulues e prodhues krijuam bindjen që ato ishin produkte autentike shqiptare. Për tju dhënë një shembull, vera prodhohet dhe me rrush Maqedonie, por nuk mund të quhet verë shqiptare. Për këtë arsye ne duhet të krijojmë prodhime të markës shqiptare që mbajnë vulën dhe origjinën gjeografike të vendit ku kultivohen. Për këtë arësye, ne promovuam brendet apo produktet e markës shqiptare, e filluam me verërat, dhamë disa vula cilësie për Kantinën Kokomani, kantinën Çobo, Arbri dhe për verën Kallmet. Do të vazhdojmë natyrisht me produkte të tjera, sikurse është vaji I ullirit, I cili ashtu si sherebela që përmenda pak më përpara, është shumë më cilësorë se sa vaji I importit, për arësye sepse prodhohet me varietete autoktone, sikurse është ulliri I Zi I Beratit, ulliri Kalinjot I Vlorës, ulliri I Bardhë I Tiranës, të cilët për nga përqindja e polifenoleve dhe antioksidanteve (dhe këtë e thonë qendrat e certifikimit ndërkombëtar), ka nivele të tyre 3-4 herë më të larta. Pra, ne nuk prodhojmë thjesht vaj ulliri, se vaj ulliri prodhon gjithë bota, por ne prodhojmë Kalinjot, ne prodhojmë vajë ulliri nga ulliri I Beratit, I cili e identifikon këtë me një rajon të caktuar. Dhe kjo është sfida jonë: të lidhim origjinën, të lidhim varietetin me markën. Ju e dini që produktet e markës janë ato që shiten. Psh, nuk mund ta quash Granna Padanën në Itali, thjesht djath, është Granna Padana. Po kështu, vaji I ullirit Musai nuk është thjesht vaj ulliri. Ai është vaj ulliri Kalinjot, I prodhuar nga një varitet I cili rritet vetëm këtu, dhe kjo e bën atë të papërsëritshëm dhe të pareplikueshëm. Dhe ne do të konkurrojmë në tregjet europiane me cilësi. Ne me cilësinë tonë unikale do të rrisim konkurrencën. Dhe kjo është arsyeja që një pjesë e madhe eksportohet në tregje shumë të vështira, pra vaji I ullirit tonë eksportohet në Zvicër. Ju e dini se sa rigoroze është Zvicra përsa I përket standardeve të cilësisë dhe sigurisë, por eksportohet sepse vlerat e këtij vaji janë të papërsëritshme.