Postuar më: 30 Tetor 2017

Arsimi profesional dhe prodhimi i kapaciteteve njerëzore, një e ardhme e garantuar

Bujqësia, një sektor që garanton të ardhmen. Ky ka qenë i përmbledhur në pak fjalë, mesazhi që ka dashur të përcjellë, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Niko Peleshi gjatë vizitës në shkollën e mesme bujqësore “Mihal Shahini “në Cërrik, të qarkut Elbasan.

Në daljet e tij publike, herë pas here, Ministri ka ftuar të rinjtë të frekuentojnë shkollat bujqësore, pasi është një sektor me një të ardhme dhe punësim të garantuar.

“Siç e keni dëgjuar edhe ditët e fundit, qeveria i ka dhënë dhe do t’i vërë theks inkurajimi të rinjve, për të ndjekur shkollat profesionale, në mënyrë që t’i përqasen sa më mirë kërkesave të tregut. Ministria e Bujqësisë, nartyrisht nuk mbulon arsimin profesional, por unë jam shumë i interesuar që të shikoj sesi punohet në shkollat profesionale, ashtu si kundër, dhe në institucionet e arsimit të lartë, në Universitetin Bujqësor të Kamzës, dhe në atë të Korçës, për të prodhuar kapacitete njerëzore për sektorin. Pra, pa kapacitete njerëzore, ndonëse ne kemi një potencial të jashtëzakonshëm të fushës bujqësore, të tokave bujqësore, apo të blegtorisë në vendin tonë, ne nuk mund të zhvillojmë dot një bujqësi dhe blegtori të zhvilluar.”

Pasi ka vizituar ambientet e brendshme, laboratorin, stallën dhe serën e shkollës, Ministri ka shprehur kënaqësinë e iniciativave të tilla, duke e përgëzuar gjithë stafin shkollor të kësaj shkolle.

“Ne nuk t’i ndahemi arsimit profesional. Unë jam veçanërisht i interesuar për shkak të interesit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, që shkollat e mesme bujqësore por edhe universitetet, i Kamzës dhe i Korçës, të mund zhvillohen më tej. Këtu jemi në mes të një sere, e cila është produkt i punës së nxënësve. Drejtorja më tha, që sapo kanë filluar prodhimin dhe vitin që vjen, apo në fund të sezonit do dalin në treg. Ky është një komponent shumë inovativ për shkollat tona, për të ndërtuar dalëngandalë dhe ndërmarrjet e tyre të vogla, për t’i mësuar nxënësit dhe studentët dhe për t’i pajisur dhe me aftësitë të tregut, ku nesër do t’u duhet të integrohen. Kështu që ju përgëzoj edhe do të ecim sëbashku drejt rritjes dhe fuqizimit. “

Kryetari i Bashkisë së Cërrikut, z. Altin Toska ka garantuar Ministrin dhe gjithë të pranishmit, që Bashkia do të jetë e gatshme të bashkëpunojë me shkollën, duke i kthyer asaj disa ambiente, si konkviktin  e shkollës, në mënyrë që investimet e ardhshme t’a gjejnë shkollën e mesme “Mihal Shahini” me kapacitet të plotë dhe me kushte maksimale.

Ministri u shoqërua gjatë kësaj vizite nga deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Kryetari i Bashkisë së Elbsanit, z. Sejdini dhe nga Kryetari i Bashkisë Cërrik, z. Altin Toska.