Postuar më: 01 Nëntor 2017

Bujqësia e së nesërmes, filozofia e re që duhet përqafuar

Gjatë vizitës së tij në Maminas, Qarku Durrës, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Niko Peleshi ka takuar përfaqësues të kompanisë private”Mia” dhe nxënës të shkollës së mesme “Kajo Karafili”.

 Ministri është ndalur të bashkëbisedojë me këta të rinj, për një arsye të thjeshtë. Sot kemi shumë të rinj, të cilët i kanë drejtuar mundësitë e tyre nga sektori bujqësor dhe blegtoral, me idenë e modernizimit dhe futjes së një fryme të re, atë të kohës.

“Kam ardhur në fakt edhe për të vizituar një ekonomi bujqësore, shumë interesante, që vepron në fushën e bujqësisë organike. Sapo ka filluar, janë fillesat e këtij lloji nënsektori të themi, por që premton shumë, mund të themi dhe për më tepër, ka potencial të madh, për t’u rritur, brenda vendit, por edhe për të eksportuar në të ardhmen. Por, mbi të gjitha kam ardhur këtu, për të promovuar një model jo të zakonshëm për shoqërinë shqiptare.” – ka thënë z. Peleshi.

Ministri ka ripërsëritur ftesën drejtuar të rinjve, të shikojnë dhe të përfshihen në sektorin bujqësor, si sektor prioritar për Qeverinë Shqiptare.

“Dua t’i them të gjithë të rinjve, apo atyre që kanë aftësi sipërmarrje, t’i kthejnë sytë tek bujqësia. Të zbulojnë një mozaik të madh mundësish, që ky sektor ka, bujqësia, por edhe blegtoria, të marrin mbështetjen dhe konsulencën e programeve të shumta, që Ministria është duke filluar, sidomos në bashkëpunim edhe me donatorët shumë të vyer, që kemi përkrahë.”

“Duam që edukatën edhe ndërgjegjësimin për potencialin që ka bujqësia, ta kultivojmë që në bankat e shkollës.”

Ka nënvizuar Ministri Peleshi gjatë fjalës së tij.

Ndër të tjera, z.Peleshi ka theksuar mbështetjen dhe subvencionimin e këtyre sipërmarrjeve  me grante financiare nga skema kombëtare e mbështetjes financiare për bujqësinë.

“… Vitin që vjen, herët në janar, të vitit të ardhshëm, ne do të shpallin skemën e mbështetjes financiare për bujqësinë. Këtë vit është më e madhja, që ka patur ndonjëherë Shqipëria, 25 milion euro vetem nga buxheti i shtetit, skema e mbështetjes së bujqësisë. Plus pastaj dhe 93 milion euro, që pritet me shumë gjasa, të fillojë vitin që vjen nga programi IPARD i Bashkimit Evropian. Kemi mundësi të shumta, që jo vetëm të promovojmë, të mbështesim dhe të nxisim.”

“.. ne jemi të gatshëm, që Anisën dhe gjithë të tjerët t’i ftojmë, t’i mbështesim me mundësitë jo të pakta, që do të kemi tani dhe në vijim, në mënyrë, që të rinjtë të ndërtojnë modelin e bujqësisë e së nesërmes.”

Ka përfunduar fjalën e tij Ministri Peleshi.