Postuar më: 17 Janar 2018

Bujqësia, një sektor dinamik që kërkon potenciale të reja njerëzore dhe përditësim të vazhdueshëm

Është zhvilluar në Hollin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, takimi midis Ministrit të Bujqësisë, z. Niko Peleshi dhe studentëve praktikantë, të cilët janë përzgjedhur të kryejnë Intership-in e tyre në këtë dikaster, dhe në institucionet e varësisë, në kuadër të Programit të Praktikave të Punës.

Takim midis kolegëve, është përmbledhur në pak fjalë ky bashkëbisedim i Ministrit Peleshi. Këta studentë do të sjellin një freski të re për institucionet shtetërore, të cilat nga ana e tyre do të shërbejnë si pikat e para të kontaktit, në fushën e gjatë të karrierës së punës, të këtyre të rinjve.

“Sektori bujqësor është një sektor shumë dinamik, që kërkon përditësim të vazhdueshëm, si për politikat zhvilluese, ashtu dhe për kërkesat e tregut” – është shprehur Ministri.

Sipas tij, sot mosha mesatare e një specialisti të informuar mirë mbi problematikat e sektorit bujqësor, blegtoral, këshillimit etj është afërsisht 55 vjeçare. Prandaj është shumë e nevojshme, afrimi i potencialeve të reja, me ide dhe projekte ambicioze dhe kreative. Ministri u ka kujtuar praktikantëve, se bujqësia tashmë është kthyer në sektor “trend” i kohës, ku shumë prej të rinjve, të cilët kanë studiuar jashtë vendit, kanë hedhur hapat e tyre të para në fushën e bujqësisë, me krijimin e fermave të reja moderne, me produkte bio, që kërkohen shumë, jo vetëm nga konsumatori vendas, por veçanërisht nga ai i huaj.

Shteti do të jetë i gatshëm që nëpërmes skemës kombëtare të mbështetjes financiare të subvencionojë me grante të rinjtë sipërmarrës, inkubatorët e produkteve tipike të zonave etj, të cilat kryesisht janë ide të propozuara nga fermerë të rinj.

Ministri u ka kërkuar të rinjve të investojnë sa më shumë tek vetja, sepse sot meritokracia është kthyer në një normë. Duke përmendur këtu, faktin e numrit në rritje të rinjve, të cilët konkurrojnë në Administratën Publike.

Qëllimi i Programit Kombëtar të Praktikave të Punës është përfitimi i një përvoje kualifikuese, që ndikon në zhvillimin e aftësive profesionale, personale dhe njohja me administratën publike. Programi do të finalizohet me punësimin e disa praktikantëve më të mirë, që do të mbarojnë me sukses këtë program.