Postuar më: 22 Shtator 2017

Disiplinimi i tregut të therjeve kusht për rritjen e sigurisë ushqimore ne vënd

Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim me Shoqatën e Industrialistëve Ushqimorë (Albanian Food Industry – AFI), zhvilluan ditën e djeshme, më 21, 09, 2017, një takim me përfaqesues të thertoreve  më të mëdha në vënd. Në këtë takim, operatorët më të mëdha në tregun e therjeve, njëzëri ndanë fenomet dhe problematikat shqetësuese në këtë sektor, si dhe propozimet e zgjidhjet e mundshme, të cilat do të rrisnin sigurinë ushqimore në vend, si dhe shëndetin e ekonomisë shqiptare.

Ministri i Bujqësisë, Z. Niko Peleshi ndau me pjesëmarrësit në takim shqetësimin për sigurisë ushqimore në vend, që sipas tij është një çështje emergjente kombëtare për t’u zgjidhur. “Nisur nga siguria ushqimore dhe ekonomia e shëndetshme duhet të pranojmë që nuk rënditemi në vendet e para, e në disa drejtime jemi në vend të fundit, si psh.  eksport i produkteve shtazore. Jemi vendi i vetem që nuk na lejohet eksporti i produkteve shtazore në rajon.” – tha Z. Peleshi, duke theksuar që përmirësimi  i sigurisë ushqimore është një ndër objektivat prioritare për të si ministër.

“Disiplinimi i tregjeve të kafsheve,  therjeve dhe rritja e standardeve të operatorëve të këtij sektori duhet të kryehen në kohe shumë të shkurter, pasi këto janë vendimtare për sigurinë ushqimore” shtoi Z. Peleshi.  

Nga ana e tyre, operatorët e kësaj industrie kërkojnë me ngulm formalizimin e të gjitha hallkave të zinxhirit, pasi kjo do të garantonte jo vetëm sigurinë ushqimore, por dhe konkurencën e ndershme në treg, pasi këta operatorë, të cilët kanë bërë investime kolosale dhe operojnë me standarde evropiane konkurohen nga ata që jo vetëm nuk plotësojnë asnjë standard, por edhe operonjë në kundërshtim të plotë me legjislacionin në fuqi.

Sipas Z. Alban Zusi, President i AFI “nëse respektohen masat ligjore aktuale sistemi vetërregullohet  deri në masën 80%.” Ai propozoi që organet përkatëse duhet të penalizojnë këdo që shkel ligjin, duke filluar nga operatoret në treg, veterinerët, inspektoret dhe institucionet e tjera relevante që gjenden në kundravajtje me ligjin në fuqi.

Operatorët e thertorëve dhe AFI ndanë një paketë propozimesh mbi disiplinimin e tregut të therjeve dhe formalizimin e tij, të cilat do të shqyrtohen me prioritet nga Ministria e Bujqësisë në 100 ditëshin e parë.