Postuar më: 27 Tetor 2017

FAO dhe IOM promovojnë dialogun mbi çështjet e ushqimit dhe migracionit në nivel ndërkombëtar

Tiranë, 25 tetor 2017 – Në kuadër të aktiviteteve që zhvillohen për të shënuar Ditën Botërore të Ushqimit, ditë që këtë vit i kushtohet Ushqimit dhe Migracionit, u mblodhën sot në një takim me temë “Roli i migrantëve të kthyer në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe afatgjatë” me përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Organizata e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Organizata për Ushqim dhe Bujqësi (FAO) dhe Organizata Ndërkombëtare e Migracionit (IOM) si dhe të ftuar të tjerë që kontribuojnë në zhvillimin rural. Në takim u fol për sfidat me të cilat përballen migrantët që kthehen dhe dëshirojnë të investojnë në fushën e agrobiznesit.

Në  fjalën e tij, Z. Arben Kipi, Asistent Përfaqësues i FAO-s në  Shqipëri tha: “Migrantët që kthehen në Shqipëri vijnë me ide dhe njohuri të reja novatore për të investuar në bujqësi dhe zhvillim rural. Meqënëse ata përbëjnë një potencial ende të pashfrytëzuar sa duhet, ne duhet të krijojmë mekanizma që sigurojnë informacion dhe asistencë për migrantët mbi fushat me potenciale ku mund të investohet në Shqipëri dhe bashkë me këtë dhe mekanizma nxitës financiarë për të rritur investimet në bujqësi nga migrantët e kthyer si dhe nga diaspora.”

“Është e rëndësishme të përmendim se lëvizjet migratore ndodhin jo vetëm nga ata që largohen dhe kthehen Shqipëri, por dhe banorët që lëvizin nga zonat rurale drejt zonave urbane. Edhe pse nuk jemi në gjendje ta pengojmë këtë ne duhet të krijojmë mekanizma që njerëzit të vazhdojnë të investojnë në zonat rurale. Për ne si Organizatë e Kombeve të Bashkuara, është e rëndësishme që migrantët të kenë gjithnjë rrugë të sigurta kalimi, dhe të respektohen gjatë lëvizjeve të tyre. Kjo përfshin dhe sigurinë ushqimore midis elementëve të tjerë” tha Brian Williams, Koordinator i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri.

Është me rëndësi të theksohet puna që po bën IOM në bashkëpunim me Zyrën e Bashkëpunimit Italian në Shqipëri përmes projektit të ri për zhvillimin dhe përfshirjen e diasporës. Në vijim të  planit të punës për Strategjinë e Parë Kombëtare për Integrimin e Emigrantëve po punohet për t’i afruar shërbimet sa më pranë emigrantëve dhe për hartëzimin e aftësive dhe profilizimit të diasporës ne vendet ku zhvillojnë aktivitetet e tyre. Një komponent me vlerë është gjithashtu krijimi i platformës ConnectAlbania, nën shembullin pozitiv të plaftormës irlandeze me të njejtin synim, për përthithjen e investimeve dhe kanalizimin e informacionit në një platformë unike shkëmbimesh.

Modeli i suksesit nga Shqipëria, mundësi për zgjidhje të qëndrueshme

Shqipëria ndodhet në grupin e vendeve që kanë ushqyer migracionin brenda dhe jashtë vendit. Janë të shumtë rastet kur migrantët pasi kanë mbledhur njohuri dhe burime në emigracion, vendosin të kthehen në Shqipëri duke sjellë me vete dije dhe aftësi, e duke u shndërruar në potenciale zhvillimi për vendin e origjinës, familjet dhe komunitetin. Shumë prej tyre i shohim të pozicionur në sektorin agro-ushqimor, duke sjellë investime në bujqësi dhe zona rurale. Këtë model shqiptar, ne duam ta shohim të shumëfishuar në të ardhmen, duke e mbështetur dhe promovuar për vlerat dhe përfitimet që sjell, në zhvillimin e zonave rurale dhe forcimin ekonomik të tyre në mënyrë të qëndrueshme.

Në fjalën e tij në këtë takim, Z. Ilir Halilaj, Zëvendës Ministër për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural shprehu angazhimin e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për të punuar në lehtësimin e procedurave dhe krijimin e sporteleve unike gjithëpërfshirëse të ofrimit të shërbimeve që lidhen me sipërmarrjen dhe bujqësinë.

Ushqimi dhe bujqësia janë parësore për mirëqënien e njerëzve dhe lidhen me arsyet pse shumë njerëz migrojnë, veçanërisht nga zonat rurale. Më shumë se 75 përqind e të varfërve në botë dhe ushqimi i pasigurtë ndodhen në zonat rurale, kryesisht në varësi të bujqësisë dhe mjeteve të jetesës me burime natyrore.

Plani global për të arritur “Zero Uri” në vitin 2030 mund të arrihet vetëm duke kuptuar lidhjet midis sigurisë ushqimore, zhvillimit rural dhe migrimit.  Bujqësia dhe zhvillimi rural mund të adresojnë shkaqet rrënjësore të migracionit, duke përfshirë varfërinë rurale, pasigurinë në ushqim, pabarazinë, papunësinë dhe zhdukjen e burimeve natyrore për shkak të degradimit të mjedisit dhe ndryshimeve klimatike.

Investimi në zhvillimin e qëndrueshëm rural, adaptimi i ndryshimeve klimatike dhe qëndrueshmëria e jetesës rurale është një pjesë e rëndësishme e reagimit global ndaj sfidës aktuale të migrimit. Të varfërit ruralë, sidomos fermerët e familjeve të vogla, përballen me vështirësi të konsiderueshme në aksesin për kredi, shërbime, teknologji dhe tregje, të cilat do t'u mundësonin atyre përmirësim në produktivitetin e burimeve natyrore dhe të punës. Shumica e vendeve të punës në bujqësi shoqërohen me të ardhura të ulëta dhe të paqëndrueshme, kushte të dobëta të sigurisë dhe shëndetit, pabarazia gjinore në paga dhe mundësi, dhe mbrojtje sociale të kufizuar. Për shkak të aksesit të kufizuar në trajnime, shërbime financiare dhe ekstensioni mundësia për rritjen e investimeve dhe prodhimit në zonat rurale është ende e pashfrytëzuar.

OKB dhe partnerët e tjerë për zhvillim do të bashkëpunojnë me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për të krijuar aksesin në shërbime dhe mekanizmat nxitës për rritjen e investimeve në zonat rurale.