Postuar më: 11 Dhjetor 2017

Hapet Konferenca Kombëtare e Bujqësisë - Politikat kryesore të MBZHR për 2018

Është çelur sot në ambientet e Hotel Tirana International & Conference Centre, Konferenca Kombëtare e Bujqësisë, me temë:” Prezantimi publik i politikave për sektorin dhe skemën e re mbështetëse”.

Në konferencë ka qenë i pranishëm dhe Kryeminisitri z. Edi Rama, i cili në fjalën e tij theksoi dhe njëherë rolin dhe mbështetjen e madhe që do t’u jepet fermerëve.

Gjatë kësaj konference u bë prezantimi publik i politikave për sektorin dhe skemën e re mbështetëse prej 20 milionë euro, ku u shpallen dhe prioritetet që do të mbështeten nga kjo skemë. Sipas këtij Dikasteri rritja e eksportit të produkteve bujqësore, blegtorale dhe agropërpunese, korrigjimi i importeve dhe arritja e standardeve të sigurisë ushqimore janë fokuset kryesore, në të cilat duhet të mbështeten të gjithë hallkat e zinxhirit të Skemës Kombëtare të Mbështetjes.

Zinxhiri i kësaj skeme fillon me fermerin, e cila nuk do të jetë një lëmoshë, por do të jetë një mbështetje në gjithë hallkat e zinxhirit të vlerës.

Gjatë Konferencës u bënë publike dhe produktet, të cilat janë zgjedhur si më prioritare, përsa i përket eksporteve. Kjo u arrit si rezultat i bashkërendimit të punëve me grupe të ndryshme të interesit. Janë përcaktuar 15 produkte, ku përfshihen që nga drurë frutorë, prodhime të serave, bimë medicinale etj.  Kjo shportë u kompozua në bazë të kritereve që kanë të bëjnë me matjen e fluksit të eksportit të produktit, me potencialet e tyre në të ardhmen dhe me masën e punësimit.

Gjatë Konferencës u prezantua dhe risia që do të sjellë Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nëpërmjet Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor Rural. Kryerja e aplikimit në Skemën e Mbështetjes, do të bëhet on line, me zero shpenzime. Regjistrimi do të bëhet në portalin eAlbania vetëm me anën e kartës së identifikimit dhe Nipt-it të fermerit. Ngritja e sporteleve Agropika do t’u vijë në ndihmë fermerëve për plotësimin e formularit të aplikimit dhe do të ofrojë informacion të plotë rreth fushave që mbulon dhe çfarë ofron kjo skemë.  

Skema Kombëtare për sektorin bujqësor për vitin 2018 është më e larta, që ka patur ky sektor ndër vite.  Ajo do të shërbejë për materializimin e prioriteve që Qeveria Shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ka vënë në shërbim të Bujqësisë, Blegtorisë, Peshkimit dhe Agropërpunimit.