Postuar më: 27 Mars 2018

Mbështetje më të madhe financiare për fshatin

Mbështetja më e madhe financiare për fshatin, falë buxhetit të shtetit dhe financimit të Bashkimit Europian, nis këtë pranverë me një program të ri dhe të mirëmenduar për të ndikuar rritjen e mëtejshme të eksporteve, si edhe fuqizimin e ekonomisë rurale. Të dalim nga bujqësia e lëmoshës dhe mënyra më e mirë për të përfituar është kooperimi dhe bashkëpunimi ndërmjet fermerëve. Këto kanë qenë mesazhet që ka dashur të japë qeveria shqiptare gjatë takimit me fermerët e fshatit Polis, zona e Librazhdit, të qarkut të Elbasanit, ku qenë të pranishëm Kryeministri z. Edi Rama, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural z. Niko Peleshi, z. Taulant Balla, deputet i qarkut të Elbasanit dhe përfaqësues të tjerë vendorë. Nesër është dita e fundit e aplikimit për përfitime subvencionesh nga skema e mbështetjes financiare të buxhetit të shtetit. Takimin e hapi Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Niko Peleshi i cili i ftoi dhe njëherë fermerët të nxitonin të aplikonin në këtë skemë, si një mundësi e madhe për të përfituar. Sipas tij, aplikimet nga ky qark arrijnë në një shifër të kënaqshme rreth 600 aplikime dhe kanë një rritje prej 20 % nga numri i vitit të kaluar të aplikuesve. Ministri u kërkoi fermerëve të kooperonin me njëri – tjetrin pasi kështu do të kishin mundësi të aplikonin në skemë, pasi siç dihet duhet një sipërfaqe minimale.   

“Dua ta them që ne nxisim kooperimim nëpërmes këtyre skemave. Siç e kemi thënë vazhdimisht edhe në këtë skemë, kooperimi është mundësia e përfitimit edhe për një fermer të vogël. Në qoftë se psh atë që keni dëgjuar mbase dhe të spekullohet, nga mediat kryesisht për të aplikuar tek skema duhet një sipërfaqe minimale e domosdoshme prej pesë dynymësh. Në qoftë se grupoheni, kooperoni si grup fermerësh edhe kjo sipërfaqe minimale ulet nga pesë dynymë ne tre dynymë. Pra dhe një fermer i vogël me tre dynymë mund të përfitojë nga skema në qoftë se kooperon. Ndërkohë sot jemi një ditë para përfundimit të afatit, për aplikime për subvencione.”

Nga ana e qeverisë Z. Edi Rama, u shpreh së tashmë ka ikur koha e bujqësisë së lëmoshës. Por një rëndësi të madhe ka kooperimi midis fermerëve, i cili do u japë të drejtën e një çmimi më të mirë që do të çojë automatikisht në një stad të ri. “Po u bashkuam bëjmë sukses dhe bëjmë pasuri”.  – tha Kryeminstri.

Informim dhe kërkesat e tregut janë instrumentet kryesore në të cilat është një mbështetur një bujqësi e përparuar në Evropë dhe në botë. Gjithashtu, Kryeministri shprehu nevojën dhe mbështetjen që institucionet vendore do t’i japim fermerit duke e informuar dhe orientuar.  Kryeministri gjithashtu i siguroi fermerët mbi transparencën më të cilën do të shqyrtohen këto aplikime, fituesit e të cilave do të përzgjidhen mbi bazë të kritereve dhe drejtësisë. Ai u shpreh se afati për aplikuesit në fushën e agroturizmit do të shtyhet dhe një muaj, për shkak të interesit të madh, duke i ftuar të gjithë ata që kanë një strukturë që duan ta kthejë në agroturizëm të aplikojnë. Për deputetin e zonës, z. Taulant Balla, fshati Polis dhe gjithë zona e Librazhdit paraqet një potencial të madh kryesisht në fushën e bimëve medicinale. Dhe për këtë kulturë ka një masë mbështetëse në skemën kombëtare. Për mbjellje bimësh mjekësore dhe aromatike, të kultivuara, si: timus, rigon, helichrysum italicum, trumza, çaj mali, rozmarinë, xhinxher dhe shafran, masa jepet në vlerën dyqind mijë lekë për hektarë.

 “Mali i Polisit mund të mbajë me bimë mjekësore gjithë Ballkanin.” – u shpreh z. Balla.