Postuar më: 06 Shkurt 2018

Mbështetje për zhvillimin e sektorit të bujqësisë, agropërunimit, rritje të eksporteve, çelje të tregjeve të reja dhe rritje e të ardhurave për zonat rurale

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Niko Peleshi ka vizituar një fermë me vreshta në zonën e Mamurrasit, të qarkut Lezhë për të diskutuar mbi skemen e re të mbështetjes financiare për zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe agropërpunimit. 

Sipas Ministrit, Skema kombëtare financiare ka një hapësirë shumë të madhe për financime në sektorin bujqësor dhe agropërpunues, madje kjo hapësirë zgjerohet shumë më tej, me programin IPARD II, çelja e thirrjes së parë do të bëhet në pranverë.

IPARD-i jep deri në 400 mijë euro për investime në fermë dhe  deri në 2 milionë euro për investime në agropërpunim. Për vreshtarinë, sipas Skemës Kombëtare të Mbështetjes financiare është parashkuar për mbjellje vreshti (mbjellje të reja), me kultivarë për rrush tavoline 300 000 lekë për hektarë dhe për vreshtat me kultivarë autokton 350 000  lekë për hektarë. Për vaditjen me pika 2 milionë për hektarë. Për investime në fermë, ngritje kantine, pra për të bërë ciklin e mbyllur të vreshtarisë dhe të verës, hapësira për të financuar me grant është deri në 2 milionë euro nga IPARD-i dhe deri në 200 milion lekë nga skema kombëtare. Ndërkohë, një risi e skemës kombëtare nga AZHBR-ja është dhe çertifikimi. Kjo masë do të aplikohet për herë të parë në skemën kombëtare. Mbështetja e çertifikimit të standardeve të produkteve dhe forcimi i kapaciteteve të tyre për eksport, mbështetet dhe nga Programi IPARD, i cili i ka dhënë një prioritet të veçantë. Marrja e çertifikatave ndërkombëtare, si HACCP, Global Gap etj, do t’u hapë dyert produkteve vendase, për zgjerim të tregut dhe eksporteve, duke i drejtuar ato drejt supermarketeve dhe tregjeve evropiane, të cilat kanë kërkesa dhe standarde të larta. Viti 2017 mund të quhet një vit shumë i suksesshëm për bujqësinë shqiptare, pasi pati rritje prej 19,9% të eksporteve të produkteve vendase.

Ndër të tjera, Ministri është ndalur dhe në rikonfigurimin e strukturave bujqësore, me ngritjen e dy agjencive, Agjencia e Shërbimit ndaj Fermerit, e Ekstensionit dhe Agjencia Veterinare, që do të jenë pranë blegtorëve dhe fermerëve, për t’i këshilluar më tepër. Ministri ka përmendur në këtë kuadër dhe marrëveshjen me Universitetin Bujqësor të Tiranës, për trajnimin dhe kualifikimin e ekstensionistëve, pra të agronomëve, që do të shërbejnë me shërbime këshillimore fermerëve.

Duke përfunduar ministri i ka ftuar deputetët, përfaqësuesit vendorë dhe qëndrorë për të promovuar skemën e mbështetjes financiare, si më të madhen dhe më të mirën, gjatë këtyre 27 viteve.

“...Unë kam ardhur sot edhe të vizitoj një nga fermat më të mira, por edhe të filloj ciklin e takimeve të shumta, gjatë dy muajve, përgjatë gjithë periudhës së aplikimit në Skemat kombëtare, që unë personalisht, të gjithë zëvendësministrat, gjithë stafi i Ministrisë së Bujqësisë, por edhe deputetët, i ftoj gjithashtu, do të bëjnë në gjithë Shqipërinë, për të promovuar Skemën, për t’i nxitur dhe mësuar fermerët, agropërpunuesit si të aplikojnë dhe të përfitojnë nga skemat tona. Jam i bindur që ky vit, viti 2018 dhe në vazhdim do të mbahet mend për bujqësinë shqiptare.”

Ka përfunduar ministri.