Postuar më: 06 Korrik 2017

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, siguron mbështetje për Shqipërinë në Konferencën e FAO-s

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, siguron mbështetje për Shqipërinë në Konferencën e FAO-s

Konferenca e FAO-s në Itali, në lidhje me ndryshimet klimatike

Panariti: Ndryshimet klimatike, realitet i dukshëm, prekën dhe Shqipërinë

Ministri Panariti: Sëmundja e Gjedhit dhe infeksionet e ullinjve, shkak i ndryshimeve klimatike

Panariti: Fermat e vogla më pak të dëmtuara, duhet të ndryshojmë qasjen ndaj atyre familjare

Panariti takohet dhe me Drejtorin e FAO-s, Joze Graziano Da Silva

Panariti: FAO, mjaft e rëndësishme për vendin tonë, zhvillimin e bujqësisë e menaxhimin e katastrofave

Da Silva: Shqipëria ishte vendi i duhur për të hapur zyrën tonë për Rajonin e Ballkanit

Da Silva: Mbështetja jonë për Ministrinë e Bujqësisë dhe Shqipërinë, do të vazhdojë

Panariti takohet dhe me homologun brazilian: Të rrisim shkëmbimin e eksperiencave dhe bashkëpunimit mes dy vendeve

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Z.Edmond Panariti, mori pjesë në Konferencën e Sesionit të 40-ë të FAO-s, mbajtur në Itali, ku përveç pjesëmarrjes në këtë aktivitet të rëndësishëm, u rakua dhe me drejtorin e saj, Joze Graziano Da Silva, me Ministrin brazilian të Bujqësisë, Blairo Maggi dhe personalitete të tjera.

Adaptimi i ndyshimeve klimatike, ka qenë çështja kryesore e diskutuar në Konferencën e Sesionit të 20-ë të FAO (Organizata Botërore për Ushqim) dhe gjatë fjalës së tij në këtë aktivitet, Ministri Panariti tha se, “ndryshimet e klimës janë një realitet shumë i prekshëm e për këtë, jemi duke përjetuar përmbytje intensive, thatësira, ngrica dhe rritje të infeksioneve”. “Kjo situatë kërkon një ndërgjegjësim dhe veprim të përbashkët dhe rritje të investimeve. Me ndihmën e FAO-s, ne kemi krijuar udhërrëfyesin për ngritjen e kapaciteteve në Ministrinë e Bujqësisë, për të zhvilluar dhe zbatuar Vlerësimin e Nevojave të Post-Katastrofave Natyrore (PDNA) në sektorin e bujqësisë. Ne, gjithashtu, do të kemi nevojë për ndihmë të mëtejshme për strukturat vendore, që kanë të bëjnë me promimin e Praktikave të Mira Bujqësore (GAP), zhvillimin e bujqësisë në lidhje me klimën (Climate Smart Agriculture) etj”, theksoi Ministri shqiptar i Bujqësisë, sipas të cilit, “menaxhimi i integruar i tokës dhe ujit do të kontribuojë në uljen e ndikimit të rreziqeve natyrore në bujqësi”. Më tej, gjatë fjalës së tij në Konferencën e FAO-s, Panariti e vuri theksin edhe tek nevoja për të rritur ndërgjegjësimin e fermerëve dhe tek shërbimet e ekstensionit (këshillimit), për të trajtuar zbutjen e ndryshimeve klimatike në prodhimin bujqësor, si dhe për të ulur ekspozimin ndaj fatkeqësive natyrore. Sipas Panaritit, nevoja për të arritur objektivat kombëtare për burimet e ripërtëritshme të energjisë është e madhe.

Ndërkaq, Ministri Panariti foli edhe për sëmundjet zoonotike, të cilat e vënë Shqipërinë dhe Ballkanin në situata jo të mira, apo problematika dhe infeksione të tjera në pemtari, që kanë të bëjnë pikërisht me ndryshimet klimatike. “Aktualisht, kemi të bëjmë me sëmundjen e lëkurës së gjedhit, Dermatoza Nodulare (Lumpy Skin Disease), që ka prekur të gjitha vendet e Ballkanit. Një vend i vetëm nuk mund të merret me këtë ndikim të ndryshimeve klimatik. Ne kemi nevojë për qasje rajonale. për ta përballuar atë. Po ashtu, ne jemi përballur me të njëjtin problem me infeksionin në ullinj. Duhet të zbatojmë më shumë praktika dhe politika të zhvillimit të bujqësisë në lidhje me klimën. Ndërkohë, fermat familjare dhe fermat e vogla rurale kanë dëshmuar që janë më të qëndrueshme në lidhje me ndikimin e ndryshimeve klimatike në bujqësi, pasi ato i rezistuan më mirë përmbytjeve, ngricave dhe kishin më pak dëme nga katastrofat natyrore. Ato janë përshtatur më mirë me ndryshimet klimatike dhe ne do të mbështesim fermat familjare në të ardhmen. Fermat e mëdha ishin më shumë të prekura nga fatkeqësitë dhe u përballën me më shumë vështirësi. Në këtë këndvështrim, duhet të ndryshojmë mendimin dhe qasjen tonë për fermerët e vegjël”, theksoi Panariti.

Gjatë Sesionit të zhvilluar në Itali, Ministri Panariti zhvilloi një takim me Drejtori e Përgjithshëm të FAO-s, Joze Graziano Da Silva. Ministri Panariti, duke e falenderuar për temën shqumë të rëndësishme të kësaj konference, si dhe për hapjen e Zyrës së FAO-s në Shqipëri, theksoi faktin se, në një kohë kaq të shkurtës, kjo zyrë ka pasur rezultate në vendin tonë dhe aktiviteti i saj është ndjekur nga Ministria e Bujqësisë. Sipas Panaritit, FAO në Shqipëri, është përfshirë në menaxhimin e përmbytjeve, në statistikat bujqësore dhe kjo organizatë, prezente në Shqipëri, na shoqëron për t’u bërë anëtarë me të drejta të plota në BE.

Nga ana e tij, Drejtori i FAO, Da Silva, shprehu kënaqësinë e pranisë së zyrës në Tiranë dhe punën që po bën edhe në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë. “Ne do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë dhe Rajonin e Ballkanit. Zyrat për Ballkanin në Shqipëri,kanë për qëllim edhe rritjen e kapaciteteve teknike. Shqipëria është vendi më i mirë për hapjen e zyrave për të mbështetur 3 projekte rajonale; konvergjenca e rajonit për BE, legjislacionini e të dhënat statistikore, sëmundjet ndërkufitare dhe klima”, theksoi Da Silva, duke konfirmuar mbështetjen e FAO-s për Ministrinë shqiptare të Bujqësisë, në fushën e Reduktimit të Rrezikut nga Katastrofat Natyrore (DRR) dhe Ndryshimeve Klimatike, si dhe inkurajon Ministrin Panariti të sigurojë mbështetje për zbatim, duke përfituar nga Fondi i Klimës së Gjelbër (GCF) në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Mjedisit.

Gjithashtu, Da Silva u shpreh se, në të ardhmen, FAO do të vazhdojë të mbështesë MBZHRAU për të menaxhuar situatën e katastrofave natyrore, sëmundjet e reja në zhvillim që mund të vijnë për shkak të Ndryshimeve Klimatike dhe qasjen ndërkufitare për të luftuar impaktin e Ndryshimeve Klimatike, ta lidhë atë me investimet në sektorin e bujqësisë duke përdorur financimin e GCF, si dhe bashkëpunim i mirëpritur në fushën e harmonizimit të politikave të bujqësisë dhe zhvillimit rural me standartet e BE-së.

Gjatë qëndrimit në Itali, ku u mbajt Konferenca e FAO, Ministri Panariti pati një takim dme me homologun e tij brazilian, Blairo Maggi. Në qendër të bisedës, ka qenë rritja e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, rritja e bashkëpunimit, si dhe shkëmbimi i eksperiencave mes Brazilit dhe Shqipërisë.