Postuar më: 20 Janar 2017

Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, vizitë zyrtare në Gjermani

Panariti takon Ministrin Federal të Bujqësisë dhe Shefen e Bundestagut gjerman

Panariti kërkon mbështetje për laboratorët e referencës dhe për situatat e emergjencave në sëmundje të panjohura si Dermatoza

Ministri gjerman Schmidt: Ju përgëzoj për përballimin e situatave dhe punën e bërë

Schmidt: Shqipëria ka mbështetjen tonë, do të krijojmë dhe laboratorin e referencës për Ballkanin Perëndimor

Parlamentarja Kovaç: Do të ndihmojmë Shqipërinë me asistencë juridike, që të përfitojë nga fondet e BE për vendet paraaderimit

Ministri Panariti: Me eksperiencën tuaj, na ndihmoni të përcaktojmë moshën e ullinjve të vjetër, ër t’i shpallim monumente kulture

Gjermania e interesuar dhe për varietetet autoktone, së shpejti organizohen “rrugët e verës”

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Z.Edmond Panariti, i cili ndodhet për një vizitë në Gjermani, takoi në Berlin Ministrin Federal Gjerman të Bujqësisë, Z. Christian Schmidt. Në fokus të bisedimeve mes dy ministrave ishin marrëdhëniet e mira të dy institucioneve dhe projektet e përbashkëta në sektorit bujqësor. Ministri Panariti kërkoi mbështetjen gjermane për zhvillimet e mëtejshme të rrjetit laboratorik të analizave fito-sanitare të produkteve bujqësore dhe blegtorale.

Nga ana e tij, ministri Schmidt siguroi homologun shqiptar, për mbështetjen në krijimin e një laboratori rajonal analizash, i cili do të mbulojë të githa vendet e Ballkanit Perëndimor, specifikisht Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Ky laborator do të asistohet nga një laborator gjerman reference, me qëllim shmangien e vonesave dhe kontestimeve mbi pastërtinë e produkteve bujqësore në pikat doganore dhe në mbështetje të lehtësimin të marrëdhënieve tregëtare midis këtyre vendeve.

Gjatë bisedes, ministri Panariti informoi ministrit Schmidt për strategjinë e përballimit të sëmundjes Dermatoza Nodulare, si dhe kërkoi mbështetje financiare për të përballuar këto sëmundje të panjohura deri tani në Evropë.

Ndërsa Ministri Federal Gjerman i Bujqësisë, përgëzoi ministrin Panariti për punën e bërë dhe situatat e përballuara, si dhe konfirmoi mbështetjen financiare nga qeveria gjermane për këto situata emergjence.

Gjatë vizitës në Berlin, Ministri Panariti takoi dhe Parlamentaren e Bundestagut gjerman Kordula Kovaç, e cila e siguroi ministrin për mbështetje dhe asistencë juridike nga ana e qeverisë gjermane për akses në fondet evropiane të paraderimit në BE nga Ministria shqiptare e Bujqësisë. Interesimi i palës gjermane për të mbështetur dhe promovuar varietete autoktone të veres shqiptare, si ajo e Kallmetit, duke organizuar ashtuquajturat "rrugët e verës" ne te gjithë vendin, për t’i dhënë edhe një komponent turistik kësaj industrie.

Ministri Panariti kërkoi mbështetjen gjermane për të përcaktuar moshën e saktë të ulljnive të vjetër, me qëllim që të vërtetohet nese ato mund të konsiderohen monumente kulturore.