Postuar më: 24 Prill 2017

Ministri Panariti dhe Kryetari i Kuvendit, inspektojnë investimet në kompleksin e rritjes së shpendëve, Ovvital

Ministri Panariti dhe Kryetari i Kuvendit, inspektojnë investimet në kompleksin e rritjes së shpendëve, Ovvital

Panariti: Trefishuam prodhimin e vezëve, sot jemi dhe në tregjet ndëkombëtare me vezë të kategorisë A

Ministri Panariti: Ky sektor është mbështetur me subvensione, prioriteti jonë, ndihma ndaj fermerëve e blegtorëve

Panariti: Edhe për fermerët e dëmtuar së fundmi nga moti, do bëjmë gjithëçka për t’i kompensuar

Meta: Impiant i standardeve më të larta evropiane, ka arritur të hyjë në tregjet evropiane

Meta: Ky sukses duhet të vijojë në të gjithë drejtimet e tjera të sektorit të bujqësisë edhe të ushqimit

Meta: Kjo, rruga më e mirë për të rritur ekonominë kombëtare dhe për të hapur vende të reja të punës

Ministri i Bujqësisë, Z.Edmond Panariti, Kryetari i Kuvendit, Z.Ilir Meta dhe Ministri i Mjedisit, Z.Lefter Koka, inspektuan sot investimet e kryera së fundmi nga kompania e prodhimit të vezëve “Ovvital” në Kullë të Durrësit, gjë që i është bërë e mundur në vitin 2016, me subvensionin e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, në vlerën e 21 milionë lekëve. Z.Panariti, Kryetari i Kuvendit dhe Ministri i Mjedisit panë nga afër investimet e bëra, teknologjinë e prodhimit industrial të vezëve, si dhe garantuan mbështetje të vazhdueshme për këtë sektor, por edhe bujqësinë e blegtorinë në veçanti. 
“Jemi në fabrikën ‘Ovvital’, e cila për mua konsiderohet si një krenari në industrinë e prodhimit të vezëve në Shqipëri. Ky sektor, ka përjetuar rritje spektakolare këto tri vite në Shqipëri, pasi prodhohet trefishi i vitit 2013. Dhe, ajo që është më e rëndësishmja, përveç plotësimit të nevojave të tregut të brendshëm, tani eksporetohen sasi të konsiderueshme në vendet e rajonit, në Kosovë, Maqedoni, Kroaci, në Greqi dhe për herë të parë, janë eksportuar vezë të kategorisë A në Gjermani dhe në Greqi. Pra, është një sektor që po zhvillohet me hapa të mëdhenj dhe që ka përfituar edhe nga skemat e subvensioneve kombëtare. Vetëm ky kompleks ka përfituar 210 milionë lekë (të vjetra) nga AZHBR, për të zgjeruar kapacitetet prodhuese dhe ajo që dëshiroj të theksoj është se, ky sektor do të vazhdojë rritjen e tij, pasi ne jemi të orientuar për mbështetjen e shpendtarisë në tërësi, të shpendve për prodhim të vezëve, por edhe të shpendëve për prodhim mishi. Dhe natyrisht do të vazhdojmë me vendosmëri, me këmbëngulje për ta zgjeruar këtë sektor”, theksoi Ministri i Bujqësisë, Z.Panariti.
Por, Ministri i Bujqësisë, teksa fliste për investimet në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë, për ndihmat e subvensioneve, nuk ka lënë pa përmendur dhe përpjekjet e tij dhe të Ministrisë së Bujqësisë, për gjetjen e mundësisë, për kompensimin e fermerëve që u dëmtuan ditët e fundit nga ngricat. “Ndërkohë, meqë m’u dha rasti, unë dua t’ju çoj një sinjal të gjithë atyre fermerëve që u dëmtuan nga fatkeqësitë natyrore të ditëve të fundit, që do të bëj ç’është e mundur për t’i ndihmuar ne lidhje me dëmshpërblimet dhe për t’a vendosur këtë çështje në një zgjidhje të qëndrueshme, të cilat janë sigurimet në bujqësi. Unë kam filluar të negocioj me dy kompani të mëdha sigurimi të fuqishme, të cilat do të marrin përsipër sigurimin e sipërmarrjeve, veçanarisht të pemishteve, atyre që janë të ekspozuara ndaj faktorëve atmosferikë, me qëllim që të përballojmë fatkeqësitë natyrore dhe që bujqësia i përjeton në mënyrë të drejtpërdrejtë”, tha Z.Panariti. 
Ndërkohë, Kryetari i Kuvendit, Z.Ilir Meta e vlerësoi investimin e kryer në këtë impiant, suke e konsideruar këtë edhe si mundësi për rritjet ekonomike të vendit, si dhe mundësi punësimi. “Dëshiroj të shpreh kënaqësinë më të madhe për këtë impiant kaq modern për prodhimin industrial të vezëve. Është një impiant mjaft cilësor, i standardeve më të larta evropiane, si përsa i takon teknologjisë, ashtu edhe gjithë menaxhimit të këtij biznesi, që tashmë me shumë sukses ka arritur edhe të hyjë në tregjet evropiane. Mendoj se ky sukses në këtë drejtim, pra në prodhimin industrial të vezëve në vendin tonë, ku kemi një rritje disafish në një kohë shumë të shkurtër, duhet të vijoi në të gjithë drejtimet e tjera të sektorit të bujqësisë edhe të ushqimit, pasi kjo është rruga më e mirë, jo vetëm për të rritur ekonominë tonë kombëtare, jo vetëm për të reduktuar në mënyrë drastike importet bujqësore dhe ushqimore, por përkundrazi edhe për të rritur eksportet dhe për të hapur vende të reja të punës”, - tha z. Meta. Ai shtoi se, “kuptohet që me teknologji të tillë kaq moderne, dhe me një menaxhim kaq të suksesshëm të standardeve evropiane, këto janë vende pune të sigurta, të qëndrueshme edhe të mirëpaguara. Dhe padyshim që impiante të tilla nuk janë gjithçka, ato thjeshtë janë lokomotivat e zhvillimit të gjithë bujqësisë sonë, të blegtorisë sonë, të industrisë ushqimore në atë rrugë që duam, të standardeve evropiane. Kjo është rruga e një suksesi afatgjatë edhe për sipërmarrësit, edhe për vendin, por edhe për qytetarët tanë që kanë nevojë për produkte më cilësore dhe për vende pune më të qëndrueshme dhe më të mirëpaguara.
Kompania “Ovvital” ka një prodhim ditor vezësh prej 150 mijë kokrrash, rreth 4,5 milionë në muaj dhe në vit, afërsisht 50 milionë. I gjithë investimi është i teknologjisë së fundit me makineri e pajisje të importuara nga Gjermania.