Postuar më: 10 Mars 2017

Ministri Panariti fillon bisedimet me BE, për rritjen e kuotave të përpunimit dhe eksportit të produkteve të detit

Ministri Panariti fillon bisedimet me BE, për rritjen e kuotave të përpunimit dhe eksportit të produkteve të detit

Panariti takon në Itali Presidentin e Komisionit te Bujqësisë të Parlamentit Europian, Paolo de Castro

Panariti: Te rishikohet dhe te rinegociohet kuotat e peshkimit te vitit 2004

Panariti: Kjo do të dyfishonte të ardhurat dhe punësimin në këtë sektor, do të nxiste investime të mëtejeshme

De Castro: Do të angazhohem plotësisht për rinegocimin e kuotave

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Z.Edmond Panariti, filloi bisedimet me përfaqësues të Bashkimit Evropian për të kërkuar rritjen e kuotave të përpunimit të specieve të vogla pelagjike, veçanërisht aciugeve, sardeleve etj, për të plotësuar kapacitetet përpunuese të industrisë shqiptare të përpunimit të peshkut.

Shqiperia ka industrinë më të madhe të përpunimit të peshkut në Evropen Qëndrore dhe Lindore, e cila puneson mijëra punonjës. Për këtë qëllim, Ministri Panariti u takua në Itali me Presidentin e Komisionit të Bujqësisë të Parlamentit Evropian, Paolo de Castro. Ministri Panariti, pasi e njohu Z.De Castro me investimet e mëdha të kryera në zgjerimin e kapaciteteve përpunuese industriale të peshkut në Shqipëri, i kërkoi atij të rinegociohen kuotat e përpunimit të peshkut në Shqipëri, per ti dyfishuar ato.

Ministri Panariti u shpreh se ka ardhur koha të rishikohen kuotat e negociuara në vitin 2004 dhe të dyfishohen ato në përgjigje të rritjes së madhe të kapaciteteve përpunuese të peshkut. “Kjo, theksoi Panariti, do të dyfishonte të ardhurat dhe punesimin në sektor dhe do të nxiste investime të mëtejeshme”. Ndërsa Z.De Castro e siguroi ministrin Panariti, për angazhimin e tij të plotë të rinegocimit të kuotave dhe e informoi Ministrin shqiptar të Bujqësisë, për rrugën që duhet ndjekur.

Vitet e fundit, industria e përpunimit të peshkut është zgjeruar me ritme të shpejta duke shfrytëzuar krahun e lirë të punës. Por, kuotat vjetore të eksportit që Bashkimi Europian i lejon Shqipërisë plotësohen brenda pak muajsh. Aktualisht në këtë industri minimalisht mund të jenë të punësuar 5 mijë vetë.