Postuar më: 09 Mars 2017

Ministri Panariti merr pjesë në mbledhjen e Bordit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit

Panariti: Të krijojmë Kodeksin Ushqimor Shqiptar, si pikë reference për të gjithë aktorët e fushës së ushqimit

Ministri Panariti: Siguria ushqimore të jetë prioritet i AKU

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Z.Edmond Panariti, mori pjesë në mbledhjen e Bordit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, ku kërkoi krijimin e Kodeksit Ushqimot të Shqipërisë, si dhe siguria ushqimore të jetë prioritet.

Ministri i Bujqësisë Z.Edmond Panariti tha ndër të tjera se¸ “ka ardhur koha për krijimin e një dokumenti integral, përsa i përket cilësisë dhe sigurisë ushqimore të produkteve shqiptare, që do të jetë pika e referencës për të gjithë aktorët e fushës së ushqimit, prodhuesit, përpunuesit, ambalazhuesit dhe tregtuesit. Ministri Panariti theksoi se, “disa standarde janë të rifreskuara, siç janë ato të miellit , që do të jenë pjesë e këtij dokumenti integral”. “Por, duke qenë se jemi ende në fazë tranzitore dhe ende nuk jemi të gatshëm për të adoptuar të gjitha standardet e BE-së, në fushën e sigurisë ushqimore, mund t’i referohemi standardeve të FAO, e cila do të shërbente si referencë tranzitore”, tha Panariti.

Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit . Z.Dritan Sejko u shpreh se” krijimi i një kodeksi ushqimor kombëtar është një nga kushtet në fushën e sigurisë ushqimore për integrimin në Bashkimin Europian dhe si i tillë, mbetet një nga prioritetet kryesore të aktorëve dhe faktorëve të të gjithë fushës së sigurisë ushqimore” .

Kryetarja e Bordit të AKU-së , Znj.Renata Kongoli, pasi rikonfirmoi rëndësinë e krijimit të Kodeksit Ushqimor, shprehu idenë se, fillimisht duhet të standardizohen të gjitha prodhimet me origjinë bimore dhe shtazore.