Postuar më: 15 Shkurt 2017

Ministri Panariti në Has për kompensimin e plotë të fermerëve të prekur nga Dermatoza Nodulare

Ministri Panariti ishte sot në Has, ku nisi kompensimi i lopëve të dëmtuara nga Dermatoza Nodulare. Në këtë ceremoni ishte edhe Kryeministri Rama. Panariti deklaroi para fermerëve se ky është një premtim i mbajtur nga Ministria e Bujqësisë, si për kompensimin e krerëve të dëmtuar kokë për kokë, ashtu dhe për vaksinimin falas të të gjithë popullatës së gjethit.

“Jemi këtu sot për të nisur kompensimin e fermerëve të zonës së Hasit, ashtu siç bëmë në Dibër e siç do vazhdojmë të bëjmë në Lushnje, Korçë, Elbasan e në të gjithë vendin, aty ku ka pasur kafshë të dëmtuara. Kjo që po bëjmë sot, është zgjidhja më e mirë, pasi kompensimi te kafshët e gjalla, është zgjidhje edhe për ruajtjen e numrit të krerëve, por me këtë rast, ne përmirësojmë rracën, sepse kjo është rracë e përzgjedhur, që i përshtatet zonës, klimës, ushqimit, si dhe është mjaft prodhimtare në qumësht”, u shpreh ministri gjatë vizitës në Has.

Panariti deklaroi gjithashtu se ishte më i lehtë kompensimi me lek i blegtorëve, por vendosën zgjidhjen më të favorshme.

“Sot u shpërnda pjesa e parë, por çdo javë, Ministria e Bujqësisë do të sjellë ngarkesat tjera, deri në kompensimin e plotë të fermerëve. Veç kësaj, Ministria e Bujqësisë ka bërë të mundur mposhtjen e dermatozës dhe sot që flasim, nuk ka asnjë rast të ri të shfaqur”, theksoi ministri.