Postuar më: 24 Prill 2017

Ministri Panariti në Korçë, sheh nga afër demtimet e shkaktuara nga i ftohti i ditëve të fundit

Panariti fermereve: Do të ngremë urgjent komisionet e verifikimit, edhe në rrethe tjera ku ka pasur dëme, që të nxjerrim kostot dhe të bëjme të pamundur t'ju kompensojmë

Panariti: Do të kërkoj fonde në qeveri dhe pranë donatoreve të BE, që të gjejmë mundesinë e dëmshpërblimit

Panariti thirrje fermerëve, që t'ju drejtohen edhe sigurimeve private

Panariti: Bujqësia është shtëpi pa çati, MBZHRAU po negocion me kompani serioze sigurimesh, që t'ju ofrojnë paketa me leverdi

 

Ministri i Bujqësisë, Z.Edmond Panariti, vizitoi sot rrethin e Korçës, ku pa nga afër dëmet e shkaktuara në pemtari nga i ftohti i ditëve të fundit. Z.Panariti qëndroi në fshatrat Dvoran, Polenë dhe Pirg, ku verifikoi dëmet e shkaktuara nga temperaturat e ulëta në plantacionet me mollë, qershi dhe kumbull. Gjithashtu, Z.Panariti bisedoi me fermerët e këtyre zonave në lidhje me dëmet dhe iu premtoi atyre maksimumin e mundshëm si ministër i bujqësisë, për të kompensuar dëmet e motit, të paktën kostot. “Do të ushtroj të gjitha kompetencat e mia si ministër, për  të bërë të pamundur kompensimin e dëmeve tuaja. Do të bisedoj me Ministrinë e Financave, me Kryeministrin, me qëllim që mundi juaj të mos shkojë dëm nga kapriçot e motit”, theksoi Panariti.

Shumë prej fermereve i ngritën Ministrit të Bujqësisë edhe shqetësimin e mungesës së mundësive financiare, nga dëmi i shkaktuar, për  pagesën e kësteve të kredive. Z.Panariti ju premtoi, se do të takojë drejtuesit e bankave të nivelit të dytë, apo të institucioneve  të tjera financiare, që t’i bindë ata për ristrukturimin e kredive të tyre, me qëllim që  fermerëve të mos u krijohen ngërce financiare, sidomos në raport me likuidimin e kredive. Por, sipas Panaritit, shqetësime ka pasur edhe ne rrethet e  tjera, siç është Dibra dhe do të merren masa për ndihmën e të gjithë fermerëve të dëmtuar në gjithë vendin.

“Do të ngremë në mënyrë urgjente komisionet për verifikimin e dëmeve të shkaktuara në pemtoret tuaja. Por jo vetëm në Korçë. Nga informacionet që kam, ka dëme edhe në Dibër nga i ftohti. Të nxjerrim dëmet, të llogarisim kostot dhe t’ju ndihmojmë me dëmshperblimin “, tha Z.Panariti, duke theksuar se, “do të kërkojë në qeveri, do të kërkojë pranë donatorëve të huaj, fonde për kompensimin e fermerëve”.

Ndërkohë, duke e konsideruar bujqësinë si shtëpi pa çati, ministri Panariti iu bëri thirrje fermerëve që të fillojnë sigurimet pranë kompanive të sigurimeve, me qëllim që dëmet që janë gjithmonë të paparashikueshme, të dëmshpërblehen nga shoqëritë e sigurimeve. “Ministria e Bujqësisë ka nisur negociatat me shoqëri sigurimesh shumë serioze, me qëllim që t’ju vijnë në ndihmë fermerëve me paketa sigurimi të leverdisshme”, tha Panariti.