Postuar më: 07 Prill 2017

Ministri Panariti takon ekspertët zvicerianë e certifikimit të produkteve organike

Panariti: Zhvillimi i këtij sektori, ndihmë për bujqësinë shqiptare dhe fermerët

Ekspertët zvicerianë kërkojnë mbështetjen e ministrit Panariti për përmirësim të legjislacionit për prodhimet organike

Panariti: Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm për këto prodhime

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Z.Edmond Panariti, u takua sot me një grup ekspertësh zvicerianë të certifikimit të produkteve organike.

Projekti ConCert i financuar nga Sekretariati Ekonomik i Qeverisë Zvicerane (SECO) në bashkëpunim me Albinspekt kanë mbështetur Minstrinë e Bujqësisë për përpilimin e draftit të ligjit per Prodhimin Biologjik 106/2016 (të miratuar në Dhjetor 2016) si dhe është në proçes të finalizimit të drafteve të akteve nënligjore që do të mbështesin ligjin e Bujqësisë Biologjike në Shqipëri dhe pikërisht ky, ka qenë qëllimi i këtij takimi.

Ministri Panariti priti në këtë takim grupin e punës të përbëre nga Znj. Jan Deane, Eksperte për Standartet Organike dhe Z. Sokol Stafa, Drejtori Ekzekutiv i Albinspekt, i shoqëruar nga Z. Ueli Steiner, Drejtori Ekzekutiv i Bio.Inspecta, një prej trupave kryesore për certifikimet organike ne Zvicër dhe prezente me shërbimet e saj në Shqipëri nëpërmjet Albinspekt.

Ministri Panariti i ka njohur ekspertët zvicerianë me zhvillimet e fundit të Bujqësisë Organike në Shqipëri, si dhe me nevojat e mëtejshme të zhvillimit të këtij sektori në vendin tonë. Z.Panariti u shpreh, se një pjesë e madhe e territorit të Shqipërisë ka kapacitetet dhe mundësitë e produkteve organike, veçanarisht zonat veriore, verilindore dhe ato juglindore.

Ekspertët e certifikimit te produkteve organike, i kërkuan Z.Panariti mbështetje për përmirësimin e legjislacionit shqiptar në lidhje me produktet organike, gjë që mori miratimin e Ministrit të Bujqësisë, pasi kjo përbën zhvillim për fermerët, produkte marke shqiptare që sjell të ardhura më të mëdha në ekonomi, për shkak dhe të çmimit më të lartë e që vitet e fundit është shndërruar dhe në kërkesë të konsumatorit.

Gjithashtu, në takim u diskutua edhe për kontrollin më të rreptë dhe inkurajimin e importuesve të pesticideve bujqësore, për futjen në treg të disa imputeve bujqësore që janë të pranueshme edhe për prodhimet organike.

Theksi u vendos edhe te bimët medicinale, pasi zënë volumin më të madh të eksporteve bujqësore shqiprare dhe vetëm sherbela ka “pushtuar” tregun amerikan.

Bujqësia organike në Shqipëri funksionon prej mbi një dekade, duke u bërë një sektor me rëndësi të veçantë për ekonominë dhe eksportet bujqësore shqiptare. Sipërfaqja totale e certifikuar në Shqipëri sipas ligjit dhe rregulloreve kombëtare e ndërkombëtare të prodhimit organik është 88579, 71 ha, ose 4,09 % e sipërfaqes totale të tokës bujqësore, pyjeve dhe kullotave. Në këtë sipërfaqe >99% i zënë produktet që vijnë nga mbledhja spontane, si bimët mjekësore dhe aromatike, kërpudhat e pyllit, gështenjat e egra dhe lajthi. Ndër produktet e që vijnë nga kultivimi, mund të renditim si më të rëndësishëm, ullirin, kryesisht për prodhim vaji, vreshtat për tavolinë dhe verë, perimet dhe frutat. Madhësia e fermave organike arrin ne 2,24 ha. Mbi 99% e produkteve që vijnë nga mbledhja spontane eksportohen në SHBA, Gjermani, Zvicër, Francë, Belgjikë, Lihtenshtein, Austri, Itali dhe vende të tjera. Megjithatë, edhe tregu lokal për produkte organike është duke u zgjeruar.

Me qëllim integrimin e Shqiperisë në mjedisin organik ndërkombetar, Ministria e Bujqësisë ka ndërmarrë një sërë masash, si në drejtim të legjislacionit, ashtu dhe në drejtim të nxitjes dhe të mbështetjes së prodhimit organik.