Postuar më: 08 Dhjetor 2017

Ministri Peleshi nga Berati - Parandalimi i përmbytjeve më i lirë se dëmshpërblimi i pasojave

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi ka kryer një inspektim në Qarkun e Beratit, në lidhje me situatën e krijuar, si pasojë e reshjeve që përfshinë Shqipërinë dhe rajonin ditët e fundit.

Ministri është ndalur veçanërisht në zonat pranë lumenjve, duke inspektuar gjendjen skemave të kullimit.

Gjatë dy viteve të fundit, investimet në bashkinë Berat nga ana e Ministrisë së Bujqësisë, janë adresuar në rehabilitimin e rezervuarit të Duhanasit dhe në mbrojtjen nga përmbytjet nga lumi Osum për zonat Veterrik dhe Bilçe, me vlerë totale rreth 160 milion lekë.

Vetëm për rehabilitimin e Skemës së Ujitjes, Bilçe, bashkisë së Beratit i është dhënë një fond prej 63.8 milion lekë. Aktualisht po punohet në Njësinë Administrative Kutalli, për pastrimin e rrjetit kryesor kullues që ndikon në përmirësimin e kullimit të tokave të fshatrave, Drenovicë, Goriçan, Rerez, Samatice, Donofros, Pobrat, Protoduar etj.

 

“Ne kemi dy-tre vjet, që jemi fokusuar në investimet për parandalimin e përmbytjeve.”

U shpreh Ministri Peleshi.

 “Dhe duhet ta them, tani nuk është momenti për të mburrur punën e bërë, se… s’kemi dalë 100% nga emergjenca, por duhet thënë që investimet në kullim, në parandalim e përmbytjeve, investimet që bënë bashkitë të mbështetura me eskavatorë, por edhe me mjete financiare, dhe mbi të gjitha me decentralizimin e këtij funksioni tek bashkitë, provuan që të jenë të vlefshme, të dobishme. Kanë funskionuar gjithandej. Unë kam qenë në Fier dhe në Vlorë, intensivisht ditët e përmbytjes. Është shumë tregues fakti, që Fieri nuk u përmbyt. Puna që ka bërë Bashkia e mbështetur nga ne, me eskavatorët, që i dhamë për pastrimin e Gjanicës, ka mbrojtur një qytet të tërë. Do të ishte përmbytur, që ditën e parë Fieri, siç përmbytej zakonisht, nga një shi shumë më i vogël në sasi, sesa këtë rradhë, ose Ura Vajgurore gjithashtu.”

Gjithashtu persa i perket te demtuareve Peleshi shtoi:

“Natyrisht, edhe të dëmtuarve ne do t’u gjendemi pranë, por nuk jemi aq të pasur, sa që të mos merremi fare me shkaqet, por sa e kanë pasojat, t’i paguajmë te gjitha pasojat një për një. Kjo është e pamundur. Ndaj do bëjmë atë që është më ekonomike dhe më logjike. Do investojmë për parandalimin.”