Postuar më: 10 Shkurt 2017

Ministria e Bujqësisë reagon në lidhje me lajmin për praninë e Gripit të Shpendëve në Qarkun e Fierit

Ministria e Bujqësisë: Pas analizave të kryera nga ISUV, nuk rezulton prania e këtij virusi

ISUV mori mostra dhe i analizoi, rezultuan negative

MB dhe ISUV: Ngordhja ka ardhur nga infeksionet e zakonshme, jo virusi i Gripit të Shpendëve

Ministria e Bujqësisë: Nuk ka vend për panik, deri tani nuk ka asnjë shenjë të virusit H5N8

Specialistët e Shërbimit Veterinar në terren, dezinfektojnë dhe fusin në karantinë edhe shpendët e importuar pak ditë më parë nga Austria

Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, pas lajmit në lidhje me lajmin për praninë e Gripit të Shpendëve në Qarkun e Fierit, konfirmon se në vendin tonë nuk ka asnjë rast të pranisë së Virusit Aviar dhe se, menjëherë janë marrë të gjitha masat e duhura për të verifikuar situatën. Ndërkohë, që specialisët e Shërbimit Veterinar në Fier, kanë shkuar në fshatrat ku ka pasur dëmtime të shpendëve dhe ka marrë mostra të të ngordhurave e të gjallave, të cilat i ka çuar për analiza pranë Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë. Në sajë të përgjigjeve të raport-analizave nga ISUV, në asnjë prej mostrave, nuk ka rezultuar prani e virusit H5N8, apo siç quhet ndryshe, Gripi i Shpendëve. Ndërkohë, sipas analizave, pulat e ngordhura në fshatrat e Fierit, kanë pasur infeksione të tjera. Në këto kushte, Ministria e Bujqësisë sqaron opinionin publik, se nuk ka asgjë për të pasur panik dhe se virusi i Gripit të Shpendëve nuk është identifikuar në asnjë rast në vendin tonë.

Ndërkaq, specialistët e Shërbimit Veterinar të Fier kanë shkuar tek të gjithë fermerët e prekur dhe kanë kryer dezinfektimin shtëpi për shtëpi, ndërkohë që bëhet e ditur se 90 % e tyre nuk kanë probleme, por sëmundje të ndryshme të pulave janë shfaqur vetëm tek ata që nuk kryejnë vaksinimin dhe profilaksinë e rregullut që duhet t’u bëjnë shpendëve, në mënyrë sistematike.

Në të njëjtën kohë, Ministria e Bujqësisë njofton se, janë marrë masa të menjëhershme edhe për sasinë prej 66.300 shpendësh (zogj), të cilat u lejuan të importohen në vendin tonë, në kundërshtim me urdhërin e Ministrit Panariti. Përpos shkarkimit të sotëm të Inspektores së PIK nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Shërbimi Veterinar në Shkodër ka shkuar në stabilimentin e importimit të shpendëve dhe ka kryer dezinfektimin e të gjithë zogjve, ndërsa që sasia e ardhur nga Austria dhe e kaluar tranzit nëpërmjet Malit të Zi, është futur në karantinë për 21 ditë dhe do të mbahet në mbykqyrje në lidhje me shfaqjen e ndonjë sëmundjeje të mundshme.

Ministri i Bujqësisë, Z.Edmond Panariti, më 23 nentor 2016, ka urdhëruar ndalim e importit të shpendëve të gjallë nga vendet e prekura në virusi H5N8, si dhe kalimin e tyre tranzit në këto shtete, edhe nëse vendi i tyre i origjinës është i pastër.

Masat e menjëhershme u mor për të minimizuar mundësitë e futjes së këtij virusi në vendin tonë, ndërkohë që shumë vende si Austria, Kroacia, Danimarka, Gjermania, Hungaria, Polonia, Rusia, Zvicra, Holanda, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia kanë raportuar ngordhje në zogjtë e egër, për shkak te virusit H5N8. Ndërkohë, Ministri Panariti thirri në një takim dhe kompanitë e mbarështimit të shpendëve, të cilëve iu kërkoi masa rigoroze për parandalimin e përhapjes së virusit në pularitë tona, nëse ai mbërrin në Shqipëri.

Influenca aviare e njohur gjithashtu si “Gripi i shpendeve” shkaktohet nga virusi i influencës “Tipi A”, i cili mund të prekë disa specie (pulat, gjelat, pulat afrikane, shkurtat etj), si dhe shpendë shtëpiakë e të egër; disa shtame shkaktojne mortalitet të lartë. Virusi është izoluar gjithashtu nga disa gjitarë, duke përfshirë njerëzit, minjtë, macet dhe qentë.