Postuar më: 23 Tetor 2017

Mjetet e bordit për anijet e peshkimit do të përjashtohen nga TVSH

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural zhvilloi një bashkëbisedim me peshkatrë në portin e ri të peshkimit në Durrës, ky takim përkoi edhe me lirimin e këtij porti nga mjete të tjera detare të cilat qëndronin atje në mënyrë abusive. Ministri Peleshi garantoi se ky port nga sot e në vazhdim do të jetë vetëm në shërbim të anijeve të peshkimit.

 “Së pari dua ta them që jemi në një port, në një investim të ri, që i cili vetëm sot në fakt ka filluar të përdoret nga anijet e para, nga dy anije të peshkimit, për shkak se ka qenë i okupuar nga mjete të tjera, jahte private e të tjera, që nuk kanë lidhje me qëllimin për të cilin ky port është ndërtuar.  Unë po e them sot dhe natyrisht do ta dëgjojnë dhe strukturat tona shtetërore, policia kufitare etj, që ky port nga sot e në vazhdim, duhet të mbahet i paprekur nga asnjë lloji mjeti tjetër, përveçse nga ato për të cilat është ndërtuar, pra nga anijet e peshkimit.”

Në vijim të fjalës së tij z. Peleshi ka folur për masat e reja që ka ndërmarrë qeveria në favor të kësaj industrie, si një sektor me një rendësi të veçantë

 “Gjithë strategjia jonë e mbështetjes së këtij sektori është si të ulim kostot. Dhe kjo nuk është një shpikje, nuk do ndonjë lloj filozofie të madhe. Natyrisht një sektor mbështetet duke e bërë atë konkurrues. Ulja e kostove arrihet përmes uljes së kostove finaciare, por edhe kostove burokratike, apo administrative. Heqja e aksizës për naftën, për peshkimin, tregoi që menjëherë i dha një impuls këtij sektori. Sot brenda këtij viti në paketën e re fiskale, pra ne sot po punojmë që në paketën fiskale për vitin 2018, të futim përjashtimin nga tatimi i vlerës së shtuar për gjitha mjetet e bordeve të anijeve.”- është shprehur ministri.

 “Une e pashë sot edhe nga afër dhe sa më thanë që për një anije, investimi për një anije, mjete bordi, rrjeta, apo mjete elektro- mekanike etj, që unë nuk i njoh shumë, shkon 20000 mijë euro në vit. Pra përjashtimi nga TVSH-ja për një anije, është i konsiderueshëm, shto pastaj 200 apo 218 në mos gaboj anije mbi 12 m, dhe në total numri shkon mbi 500 anije në vendin tonë. Është një mbështetje shumë e  madhe. Formalizon sektorin, sepse deri dje duke qenë se kostoja ka qenë e madhe, dhe ne jemi te vetëdijshëm që një pjesë ndiqte rrugë informale, ndërsa sot me përjashtimin nga tatimi i vlerës së shtuar, sektori formalizohet edhe të njëjtën kohë mbështetet me një ulje të kostos, që do të jetë e ndjeshme mesa kuptova edhe sot. Përveç lehtësimit të uljes kostove finaciare, ne do të ulim dhe kostot administrative apo burokratike apo logjistike.”