Postuar më: 24 Janar 2018

Ngrihet sipari i programit të financimit IPARD II, për implementimin e një bujqësie moderne dhe konkurruese

Ngrihet sipari i programit të financimit IPARD II, për implementimin e një bujqësie moderne dhe konkurruese

 

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural z. Niko Peleshi, së bashku me Drejtoren e Përgjithshme të AZHBR- së, znj. Frida Krifca njoftuan sot hapjen e programit të finacimit IPARD II.  71 milionë Euro grante për sektorin e zhvillimit rural të Shqipërisë do të financohen nga BE, dhe 23 milionë Euro do të jetë vlera e financimit nga ana Qeverisë Shqiptare, në mbështetje të fermerëve dhe agrobizneseve shqiptare. Kjo është sfida më e madhe, që i prezantohet bujqësisë shqiptare nga mekanizmat ndërkombëtare. Objektivi i përgjithshëm i këtij programi për Shqipërinë është të mbështesë reformat dhe ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme, për të arritur pajtueshmërinë me ligjin e BE-së në mënyrë që të përgatisë plotësisht vendin për të përmbushur kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Për shtetin shqiptar, AZHBR-ja do të luajë rolin e autoritetit kontraktues për buxhetin e shtetit. Skema e aplikimit për të fituar nga këto grante do të jetë më e komplikuar, me masa më të shtrënguara, sesa Skema e Mbështetjes Kombëtare të financimit, gjë që kërkon informacione të plota dhe gjithëpërfshirëse për fermerin shqiptar. Këto kritere të forta do t’a vënë para përgjegjësisë fermerin, blegtorin, agropërpunuesin shqiptar për rritjen e ndërgjegjësimit dhe në plotësimin dhe arritjen e standardeve ligjore në mënyrë që të përthithen këto fonde. Madje, ky është një nga prioritetet më të mëdha, që shteti shqiptar i ka vënë vetes.

Ministri është shprehur se vendi ynë është një hap përpara vendeve të tjera, pasi Bashkimi Evropian, e ka vlerësuar shumë punën e bërë nga gjithë aktorët shqiptarë, përfshirë këtu Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, AZHBR, etj në këtë proçes të gjatë integrimi.

“Kam  kënaqësinë që të njoftoj të gjithë shqiptarët, por posaçërisht shqiptarët e lidhur me zhvillimin rural, me fshatin, me bujqësinë, me agropërpunimin, pra agropërpunuesit për një lajm, që e kishim pritur, kishin shumë shpresë, që do ta merrnim, por, që në fakt, ka ardhur në kohë dhe për mungesë modestie, do ta themi, që vende të tjera në Ballkanin Perëndimor janë pak më mbrapa se ne. Ne kemi mundur që në kohë të plotësojmë të gjitha kushtet për hapjen e programit më të madh që bujqësia shqiptare, agropërpunimi, zhvillimi rural në përgjithësi ka marrë dhe ka patur në 27 vitet e fundit.”

Ai ka shprehur mbështetjen e madhe, që këto organizma ndërkombëtare i kanë dhënë shtetit shqiptar, duke përmendur këtu takimet, që pati ditët e kaluara në Berlin, me Drejtorin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Ushqimit José Graziano da Silva dhe Ministrin gjerman të Ushqimit dhe Bujqësisë, Christian Schmidt, si partnerë të rëndësishëm për bujqësinë dhe zhvillimin rural të Shqipërisë në kuadër të takimit të “Grupit të Përhershëm të Punës për Zhvillimin Rural të Ballkanit Perëndimor”, gjatë javës së Panairit më të madh bujqësor “International Green Week”. 

“Unë dua të falenderoj, së pari, të gjithë ata që kanë punuar përmes plotësimit të kushteve, punës intensive të bërë muajt e fundit, për të marrë akreditimin nga Bashkimi Evropian, të drejtën pra, për të filluar në mënyrë të decentralizuar implementimin e këtij programi kaq të madh. Unë kam qenë në dy-tri ditët e fundit në Berlin, përgjatë Javës së Gjelbër apo Grune Woche, është panairi më i madh i bujqësisë dhe ushqimit botëror, pranë të cilit janë zhvilluar dhe disa konferenca, takime. Njëri prej tyre ishte dhe takimi i “Grupit të Qëndrueshëm të Punës për Ballkanin Perëndimor” për zhvillimin rajonal dhe bujqësor. Në atë takim ka marrë pjesë edhe si mikpritës, ministri gjerman i bujqësisë, i cili na ka konfirmuar për gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, ne jemi pjesë e saj, në kuadër të proçesit të Berlinit, por edhe më gjerë, një mbështetje të vazhdueshme për bujqësinë.

Për ministrin Peleshi hapja e programit IPARD II është një arritjet më të mëdha për bujqësinë shqiptare.

“Pra në total çelim nga sot, jo thirrjen, por le të themi çelim siparin e një programi financimi 94 milionë euro për bujqësinë dhe zhvillimin rural në Shqipëri. Kjo është një arritje shumë e madhe.”

Programi i masave të zhvillimit rural të IPARD konsiston në përmirësimin të standardeve të biznesit në bujqësi dhe agropërpunim, kontribut për rritjen e konkurrencës të sektorit bujqësor dhe industrisë ushqimore shqiptare, nëpërmjet mbështetjes së rikonstruksionit dhe modernizimit; kontribut në përgatitjen e sektorit bujqësor dhe industrisë ushqimore shqiptare për aderimin e saj në BE duke mbështetur përafrimin me standardet e komunitetit.

“Pra kemi një dritare të hapur financimi, e cila kam frikë, se është më e madhe, sesa kapacitetet e deritanishme, jo vetëm institucionale, por edhe të sektorit në përgjithësi. Pra të fermerëve tanë dhe të agropërpunuesve.”

Ka vazhduar më tej Ministri.

“Ç’ka do të thotë, që nga pranvera, kur ne parashikojmë të shpallim thirrjen e parë në tri masat e këtij programi..., ne të jemi gati, jo vetëm si Agjenci e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural apo si Ministri e Bujqësisë, por edhe si grupe interesi, pra fermerët, agropërpunuesit, të cilët kanë projekte të ngelura në pritje, për shkak të mungesës së financimeve të nevojshme, të bëhen gati të hartojnë planet e biznesit, të kontraktojnë konsulentë, natyrisht profesionistë, në mënyrë që të plotësojnë të gjitha kushtet që do të bëhen të njohura shumë shpejt, për të përfituar nga masat e programit IPARD. “

Duke u ndalur në sqarimin më të hollësishëm të masave të mbështetjes financiare të këtij programi, Ministri theksoi se IPARD II do të mbështesë investimet në fermë, investimet në përpunim, në industrinë e qumështit, mishit, sektorit të fruta –perimeve, apo të verërave dhe diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e biznesit në zonat rurale.

“Së pari, IPARDI mbështet me një total prej 31 milionë e 400 mijë euro investimet në fermë. Masa e investimit fillon nga 10 mijë euro dhe përfundon në 500 mijë euro, pra maksimumi 500 mijë euro, natyrisht ka një limit në përqindjen e vlerës së investimit që nuk është i vogël, është minimumi 60% , pra shkon deri në 60%, por në zonat malore shkon në 70%. Shqipëria një përqindje të konsiderueshme të saj është malore, pra rreth 70 % e investimeve në fermë, mbulohen me grant nga ky program. Ndërkohë 5% më tepër, pra jo 60 sa ç’është minimumi, por 65 %, marrin të gjithë fermerët e rinj nën moshën 40 vjeç, ashtu siç kundër dhe në Skemën tonë kombëtare, se duhet ta them që veç këtij programi, kemi dhe Skemën kombëtare, pra të buxhetit tonë të mbështetjes të bujqësisë dhe zhvillimit rural, në masën prej 20 milionë euro. 94 milionë euro, plus 24 milionë euro janë sot mundësitë e financimit me grante, përveç fondit të garancisë që është financim me kredi. “

“Pra masa e parë janë investimet në fermë, masa e dytë janë investimet në përpunim, në industrinë e qumështit, mishit, sektorit të fruta –perimeve, apo të verërave. Kjo masë është 26 milionë e 500 mijë euro. Financon deri në 50% të investimit dhe deri në 2 milionë euro. Pra, duhet që investimi të jetë maksimalisht 4 milionë euro, dhe mbështetja me grant është 2 milionë euro nga Programi IPARD. Ndërkohë, që i shkon përshtat shumë, edhe filozofisë tonë, apo prioriteteve tona, masa e tretë ka të bëjë me diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e biznesit në zonat rurale. Diversifikimin, në kuptimin e mbështetjes së ekonomive të tjera, jo domosdoshmërisht bujqësore, por edhe ekonomitë jo bujqësore, që zhvillohen në fshat.”

Ajo që është më e rëndësishme për Ministrin Peleshi është mundësia dhe aftësia për të përthithur këto fonde nga Skema Kombëtare e Mbështetjes financiare, por kryesisht nga programi IPARD.

“ Dua ta themi të jemi të vetëdijshëm që është sfidë më vete, përthithja.”

“Siç e kam thënë edhe parë sapo jemi futur në një fazë të re, kur nuk është më problem, aksesi në financim, pra mundësitë e financimit, por tani do të fillohet të bëhet gjithmonë e më tepër problem, absorbimi dhe aftësia për të përthithur sa më shumë nga këto fonde, nga skema kombëtare, por akoma më tepër, dhe akoma më e vështirë nga programi i IPARD-it që natyrisht është më rigoroz në kuptimin e kritereve dhe standardeve të investimeve që kërkohen. Ju e dini që ne vetëm para pak ditësh, kemi miratuar hartën e “Njëqind fshatrave”, që nuk është një hartë e thjeshtë, por është një program, i cili synon të ndërtojë 100 modelet e para brenda 3 viteve të fshatit të së nesërmes, ku nuk është vetëm ekonomia bujqësore, në fakt është e vogël për fermerët tanë, por e përsëris edhe njëherë, mbi 85 % e fermerëve kanë më pak se 2 hektarë tokë, por janë dhe mundësitë e tjera që fshati ofron për të bërë biznes, siç është marketimi i produkteve tipike, në mënyrë specifike të lidhura me territorin, apo agroturizmi, turizmi rural. Kemi miratuar standardet për agroturizmin, pra çfarë quhet agroturizëm. Skema kombëtare, por edhe IPARD-i, siç po e shpjegojmë, i mbështet këto struktura. Kemi parashikuar ndërtimin e inkubatorëve të prodhimit të produkteve tipike në zonat rurale, në mënyrë që t’i japim akses në treg, prodhimeve artizanale ushqimore dhe për të rritur në këtë mënyrë, pra qëllimi fundor i gjithë këtyre programeve është të rritim mirëqënien në fshat.”

Ndërkohë Ministri ka zbuluar dhe masën e kartërt të veprimit, e cila konsiston në dhënien e asistencës tenknike, shumë e rëndësishme pasi ajo lidhet drejtëpërdrejt me veprimtarinë e fermerit  dhe agropërpunuesit.

“Ndërkohë jemi në pritje të një mase të katërt që është asistenca teknike, për të cilën jemi në proçesin e aplikimit. I kemi plotësuar, pretendojmë, të gjitha kushtet. Presim të hapet dhe kjo masë e katërt prej 2.4 milionë euro që është shumë e rëndësishme, sepse ka të bëjë me asistencën teknike, e cila është kaq e nevojshme, qoftë për fermerët, qoftë për agropërpunuesit, pra për industrinë, në mënyrë që të rritet aftësia përthithëse e këtyre fondeve. Ka nevojë për konsulencë, ka nevojë për t’u trajnuar, ka nevojë për të mësuar burokracinë e domosdoshme të kësaj skeme.”

 Arritja e standardeve evropiane është një nga kushtet më të domosdoshme, që duhet të plotësojë sektori bujqësor dhe agropërpunës për të përfituar nga ky program gjigand.

“Bashkimi Evropian ka një demokraci, por edhe një burokraci në fakt të domosdoshme, dhe jo shumë të thjeshtë. Në fakt nuk është problemi i tyre, por është problemi ynë, që megjithëse shumë standarde i kemi themeluar në ligj, i kemi të përafruara me Bashkimin Evropian, nuk i kemi zbatuar në praktikë. Psh. ju e dini, e kemi thënë, tej thënë është bërë shpeshherë melodi e javës, puna e disiplinimit të mishit, të therjeve. Ne kemi një standard, të cilin po ta lexosh është një standard, në mos si në Bashkimin Evropian, por është afër standardit të Bashkimit Evropian, të gjithë stabilimentet e mishit, të tregtimit të mishit, të therjes, të transportit mishit etj. Nuk na ka faji Bashkimi Evropian, që ne nuk i kemi arritur, i kemi toleruar këto standarde në vite, qoftë për fermerët, qoftë për stabilimentet për industrinë, për investitorët. Kështu, që një investitor, i cili ka ndërtuar një fabrikë të përpunimit të qumështit, psh, dhe ka mundur të mbijetojë në kushtet e një gjysëm informaliteti ose të një moskonformiteti me standardet për vite më rradhë, tani do ta ketë natyrisht të vështirë, të plotësojë dosjen dhe të provojë që mund të marrë financim përmes IPARD-it. Kjo e bën shpeshherë të vështirë. Tolerimi që i kemi bërë ndër vite standardeve që në ligje dhe në letra janë ok, por në praktikë kanë qenë të neglizhuara, e bënë më të vështirë për të interesuarit për të aplikuar dhe për të fituar. Kështu që është një sfidë e përbashkët. Ne do mundohemi të bëjmë tonën, në kuptimin e përshpejtimit të proçesimit nga zyrat tona. AZHBR- ja, Ministria të shtynë të gjithë trupat e tjera, institucionet shtetërore, të cilat janë të domosdoshme të përgjigjen në kohë për ta bërë sa më të shpejtë proçesimin e një kërkese, por do të vazhdojmë ta themi siç e tha drejtorja, përmes gjitha mënyrave të komunikimit me fermerët, me industrinë, përmes spoteve, takimeve personale, ... t’i sqarojmë dhe t’i bëjmë të vetëdijshëm sesa shumë punë duhet për të qenë fitues në këtë program. Në qofte se do arrijmë të kemi një shkallë përthithje të konsiderueshme, unë ju garantoj që impakti në ekonominë shqiptare, se po flasim për një sektor, i cili ka 20 % pothuajse të GDP së vendit, impakti do të jetë i jashtëzakonshëm.”

“Masat e aplikuara kohët e fundit në bujqësi, qoftë përmes riorientimin të subvencioneve, qoftë përmes rimbursimit të TVSH-së përmes grumbulluesve kanë dhënë një impakt shumë të madh, që do ta lexoni dhe në raportin e INSTAT-it. Për sektorin e bujqësisë është rritur me 19.9 pra 20 % janë rritur eksportet e këtij sektori. Një rritje galopante, një kërcim shumë i madh që nuk vjen në mënyrë të rastësishme, por vjen në mënyrë përmes fokusimit. Ju garantoj që skemat tona të këtij viti, shumë moderne, shumë inovative, që do të zbatohen përmes AZHBR –së, jo vetëm që janë rritur në sasinë e parave të alokuara, pra janë 20 milionë euro, por edhe nga mënyra sesi ato alokohen, përqëndrohen, fokusohen në 15 produktet kampionë të bujqësisë shqiptare, do të kenë një impakt shumë të madh në fund.”

Per ministrin Peleshi Skema Kombëtare e Mbështetjes është më e mira e mundshme këtyre viteve. Kjo skemë së bashku me programin IPARD, nuk do të japë rezultate vetëm në zhvillimin bujqësor dhe rural, por do të jetë një dorë e fuqishme suporti dhe për sektorë të tjerë të ekomonisë së vendit, si turizmi etj.

“Shtuar pastaj dhe dritaren që hap IPARD-i, bujqësia shqiptare është e sfiduar për të përfituar dhe për të bërë një kapërcim të madh për të mos ekzagjeruar, për të mos thënë historik, por një kapërcim shumë të madh në performancën e vet, si sektori me kontributin më të madh në Prodhimin e Brendshëm Bruto në Shqipëri. Edhe diçka, në qoftë se sot numërohen me gishtat e duarve agroturizmet në Shqipëri, jemi të bindur që me një paketë fiskale, që do të vijë shumë shpejt dhe që do të shoqërojë Vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave për standardet e agroturizimt, ky numër mund të shkojë, jo disa dhjetëra, pse jo dhe në disa qindra. Do të shtojmë në mozaikun e ofertës turistike të Shqipërisë, që po bëhet gjithnjë e më tepër interesante edhe një turizëm tjetër, agroturizmin që është kaq i lidhur me bujqësinë, pra është si me thënë një nënsektor i përbashkët ndërmjet Ministrisë sonë dhe Ministrisë së Turizmit. Por, ne e kuptojmë rolin tonë, pra pa bujqësi nuk mund të kemi turizmin, ndaj kemi projektuar, dizenjuar së bashku me iniciativën e Kryeministrit, idenë e tij për të dhënë një incentivë si për hotelet me katër yje, pesë yje dhe pothuajse dhe për agroturizmin do mund t’i shtojmë një treg të ri ekonomisë shqiptare që do të ketë rezultate të shpejta.”

Është shprehur ministri Peleshi gjatë konferencës së shtypit, e cila u mbajt në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

 

Në fjalën e saj Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë të Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, znj. Frida Krifca, falenderoi të gjithë aktorët pjesëmarrës, duke filluar nga Autoriteti Menaxhues brenda Ministrisë së Bujqësisë,  për punën të jashtëzakonshme në ndërtimin e programit, Agjencinë e Zhvilllimit Bujqesor dhe Rural dhe Ministrinë e Financave për suportin e madh. Ajo vlerësoi vlerën e madhe të financimit që BE-ja i bën bujqësisë shqiptare.

“Është një financim shumë i rëndësishëm, sepse AZHBR-ja tashmë e akredituar, do të mundësojë që në sektorët e paraqitur si potencialë dhe prioritarë për bujqësinë shqiptare, të identifikuara, të mund të adresojnë problematikat dhe të rrisin standardet kombëtare në standardet e BE-së. Kjo natyrisht do të çelë siparin, që eksportet të mund të rriten dhe t’a luajnë lojën në një nivel ndërkombëtar tashmë, të lëvizin nga niveli kombëtar i bujqësisë në nivelin ndërkombëtar.”

Më tej, znj. Krifca, ka përmendur dhe rolin e masës së shtatë e cila, është më pak e njohur dhe që ka të bëjë me përpunimin në nivel ferme të produkteve bujqësore, turizmin e natyrës, shërbime për popullsinë në zonat rurale, si dhe në investime të vogla, që bëhen në zonat rurale. Sipas znj. Krifca financimet për secilën masë do të jenë deri në 500 mijë euro për masën 1, deri 2 milionë euro për masën dy, për 50 % të finacimit për masën tre dhe 400 mijë euro për masën 7.