Postuar më: 30 Nëntor 2017

Panairi “Shqipëria punon tokën”- Shqipëria që punon, prodhon, eksporton e ushqen me produkte të shëndetshme tregun vendas

Nën atmosferën e festave dhe shijeve të produkteve shqiptare, ka ngritur siparin në sheshin “Nënë Tereza”, panairi më i madh i produkteve bujqësore vendase “Shqipëria punon tokën”.

600 histori suksesi, fermerë dhe biznese që ushtrojnë aktivitetin në sektorin bujqësor, blegtoral dhe agropërpunues kanë prezantuar prodhimet e tyre, ndërkohë që qytetarët kanë patur mundësine të blejnë dhe të shijojnë produkte cilësore.

Në hapjen e panairit ishin të pranishëm Kryeministri, z. Edi Rama, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Niko Peleshi, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, z. Nikolin Jaka dhe përfaqësues të tjerë të shoqatave, bankave që kanë fokus të tyre mbështetjen e bujqësisë. Pasi kanë vizituar nga afër stendat e shumta të këtij panairi, Kryeministri dhe drejtuesit e tjerë kanë zhvilluar edhe një bashkëbisedim me fermerë dhe biznesmenët pjesëmarrës në këtë event.

Në emër të Qeverisë, Kryeministri Rama u ka premtuar fermerëve dhe sipërmarrësve të ndryshëm, pjesëmarrës në këtë panair, mbështetje për çdo ide inovative që lidhet me bujqësinë.

“Ne do të shtojmë fondet për idetë e çdo të riu, që do të lidhet me produktet bujqësore”- ka thënë ndër të tjera z. Rama.

Kryeministri ka falenderuar të gjithë pjesëmarrësit në këtë panair të parë të tokës, i cili sipas z. Rama është një pjesëz e historisë së përditshme të Shqipërisë që punon, prodhon, eksporton e ushqen me produkte të shëndetshme tregun vendas.

Për Ministrin Peleshi, viti i ardhshëm do të jetë viti me financimet më të mëdha për bujqësinë.

Sipas Ministrit, gjatë pranverës së ardhshme do të nisë çelja e dhënies së fondeve të Programit IPARD në shumën 93 milionë euro.

“Kemi një skemë fantastike, që është Fondi i Garancisë, përmes së cilës, Qeveria Shqiptare dhe BERZH-i merr përsipër të mbulojë riskun e investimeve në bujqësi.”- është shprehur z. Peleshi.

Për Ministrin, bujqësia është kthyer nga një sektor me shumë vështirësi, në një sektor të preferuar për investime dhe përkrahje.

Ministri ka prezantuar dhe modelin e sporteleve për këshillimin ndaj fermerëve, Agropika.

“Agropika, është një sportel që do të menaxhohet nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural, por do të jetë dhe pika e takimit edhe e produkteve tona të mbështetjes së bujqësisë, sipërmarrjes në bujqësi, përmes skemës kombëtare të subvencioneve, që këtë vit do të jetë 2,6 miliard lekë ose më shumë se 20 milion euro, do të jetë më e madhja që ka patur Shqipëria.” – tha z. Peleshi.

“Në vitin 2018 do të ndryshojë raporti ndërmjet nevojës për financim dhe ofertës së financimit, do të kalojmë në krahun tjetër, pra do të kemi më shumë financim, sesa mbase, ne kemi mundësi të përthithim. “

“Programet e këshillimit që do të ofrohen në sportelet e AZHBR –së, në 20 qytete, brenda 6 mujorit të parë të vitit që vjen, synojmë pikërisht të rritin forcën e përthithjes së skemave tona të mbështetjes.”

Është shprehur ndër të tjera z. Peleshi.

Panairi “Shqipëria punon tokën” është një vitrinë shumë e mirë për promovimin e produkteve shqiptare.