Postuar më: 17 Janar 2018

Peleshi në Bashkinë Shijak, veprat ujitëse dhe 100 fshatrat

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvilllimit Rural, z. Niko Peleshi ka vizituar zonën e Maminasit, pjesë e Bashkisë së Shijakut. Gjate ndalesës atje, ministri Peleshi inspektoi disa vepra ujitëse të realizuara nga kjo bashki me fondet e qeverisë.

“Këtu jemi në zonën e Gjepalës. Në fakt, unë dua të flas për 29 skema, në 26 bashki, që me shumë intensitet mundën të realizohen brenda 3 – 4 muajve të fundit, brenda 100 ditëshit të parë të qeverisjes. Ishin grantet e qeverisë qëndrore, Ministrisë së Bujqësisë për bashkitë..

Kanë qenë 3 projekte të financuara nga Ministria e Bujqësisë, 2 prej të cilëve në zonën e Maminasit. Falë tyre janë përfituar rreth 600 hektarë tokë me vaditjen me rrjedhë të lirë. Faza e dytë pritet të fillojë në zonën e Hardhishtes, e cila do të mundësojë vaditjen e gjithë parcelave të kësaj zone, por njëkohësisht dhe në zonën e Mamianasit do të përmbyllet përfundimisht pjesa e Rubjekës ku projekti sapo ka filluar.”

Ministri përmendi edhe programin e lancuar së fundmi nga qeveria, atë të 100 fshatrave.

 Dy nga fshatrat e kësaj zone janë përzgjedhur në hartën e fshatrave në kuadrin e këtij programi i cili synon rritje të investimeve, infrastrukturës, përmirësime në shërbimet publike etj.

“Këtu jemi ndërmjet Maminasit dhe Gjepalës. Janë dy nga fshatrat e hartës së “100 fshatrave” të Bashkisë së Shijakut. Është një program, i cili mbështet, jo domosdoshmërish fshatrat që kanë më shumë nevoja, së mijëra fshatra në Shqipëri kanë nevoja, edhe nevoja bazike, nevoja të ujit, të kanalizimeve etj, por kjo listë është lista e fshatrave, që kanë më shumë potenciale, ose që e kanë treguar vetën. Këtu psh kemi kantinën “Kokomani”, që është kthyer edhe në një pikë të agroturizmit. Agroturizmi është një mundësi tjetër zhvillimi në kuadrin e “100 fshatrave”, ku programi i katër ministrive do të përqendrohet me investime, infrastrukturë, në përmirësime në shërbimet publike, mbështetje me incentiva dhe grante për agroturizmin, prodhimim e produkteve tipike dhe gjithë ekonomitë e tjera jo bujqësore, në mënyrë, që atë themi, mirëqënien në fshat, ta sjellim në mënyrë reale, duke kombinuar të ardhura nga bujqësia, me të ardhurat nga aktivitetet jo bujqësore, sepse vetëm kështu, mund të flasim për një nivel mirëqënie të kënaqshëm në zonat rurale.”

Është shprehur Ministri.