Postuar më: 11 Prill 2018

Peleshi: Përthithja e fondeve nga programi IPARD, sfida e rradhës e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Niko Peleshi ka zhvilluar sot një takim me grupin e përfaqësuesve të Shoqatës së Industrialistëve të Ushqimit, AFI-it, në kuadër të fushatës për informimin dhe sensibilizimin për të gjithë të interesuarit, që kërkojnë të aplikojnë në skemën më të madhe të mbështetjes së ekonomisë rurale, programin IPARD, hapja e “Thirrjes së parë” për masën 1 dhe 3 pritet të fillojë rreth fillimit të muajit Maj. Për ministrin Peleshi, sfida më e madhe është aftësia që bujqësia shqiptare do të ketë në përthithjen e këtyre fondeve. Në këtë këndvështrim, ministri ka bërë një paralelizëm të shkurtër midis Shqipërisë dhe vendeve të rajonit, si Maqedonia, Bullgaria dhe Rumania.

“Para pak ditësh isha në takimin me ministrin e Maqedonisë, ku ka filluar prej disa vitesh IPARD-i. Atje shkalla e përthithjes ishte 13 %, pra shumë e ulët. Ne jemi pak në tension, dhe ndjehemi goxha të sfiduar nga përthithja, pra a do kemi ne kapacite të mjaftueshme, fermeri shqiptar, apo agropërpunuesi shqiptar, do të jetë dot i mundur, që të aplikojë dhe të përthithë në masë të kënaqshme këtë fond? Kjo është sfida që ne kemi. Dhe ne, besojmë, që mënyra më e mirë, për të patur më shumë sukses në përthithje është që të punojmë individualisht me të gjithë interesuarit, duke e energjizuar shumë dhe organizatat, pra shoqatat ku ju jeni të grupuar.”

 

Ky takim do të nisë maratonën e takimeve që Ministria e Bujqësisë, së bashku me Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural do të bëjë më aktorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare, si Dhomat e Tregtive, shoqata të ndryshme të agrobiznesit, fermerë etj, në mënyrë që të realizohet ky proces dhe të ketë fitues. Në skemën kombëtare te mbështetjes financiare, e cila do të qëndrojë e hapur për aplikime deri në 27 prill, numri i aplikuesve ishte i kënaqshëm, deri tani ka 25 % më tepër aplikime sesa viti i kaluar. Ministri u ka premtuar grupit të përfaqësueve, se nga ana e Ministrisë dhe AZHBR-së do t’u jepet i gjithë informacioni i detajuar dhe asistenca e duhur, në mënyrë, që të gjithë të interesuarit të kenë mundësi të aplikojmë, sipas kërkesave dhe planet e bizneseve dhe projektet të jenë në përputhje me stardardet që kërkon ky program. 

“Ndaj duam që t’i paraprijmë, siç e tha dhe Frida, ne parashikojmë që rreth një muaji ta shpallim zyrtarisht “Thirrjen e parë” të IPARD-it, do të shpallim dy masa: investimet në fermë dhe investime në industrinë e përpunimit, po e them me një fjalë, dhe pak më vonë, pastaj, do të shpallim dhe masën e tretë që është masa e diversifikimit të ekonomisë, do të thotë agroturizmi dhe ekonomi të tjera jo bujqësore, në hapësirën rurale. Po i paraprijmë dhënies së informacionit sa më të detajuar që tani, në mënyrë që t’u lëmë kohë të mjaftueshme të interesuarve, të përgatisin projektin, të përgatisim aplikimin sipas kërkesave të programit të IPARD-it dhe të kemi kohë që të rritim shkallën e absorbimit.”