Postuar më: 21 Mars 2018

Peleshi, vizitë zyrtare në Hollandë

Ministiri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi ndodhet për një vizitë zyrtare në Hollandë, ku gjatë një takimi në ministrinë homologe, dhe më pas vizitës në universitetin nr. 1 në botë për inovacionin në bujqësi, Vvagenigen University, i njohu ata me mundësitë që ofron Shqipëria për të investuar në këtë sektor.

“Takimi me bizneset në Hollandë është mjaft i dobishëm për Shqipërinë. Shpresojmë që kjo vizitë do na shërbejë për të ndërtuar ura bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Hollandës në fushën e bujqësisë, agropërpunimit dhe zhvillimit rural. Jemi të gjithë duke u përpjekur që ti tregojmë Europës dhe BE se sa e interesuar është Shqipëria që ta meritojë anëtarësimin e plotë në BE. Ne presim hapjen e negociatave. Hollanda është një vend i rëndësishëm, që duhet bindur për rrugën tonë të reformave, siç është reforma në drejtësi por edhe reforma strukturore në shumë sektorë të tjerë, Pra ne meritojmë që Europa të hapë dyert e veta për të na dhënë mundësinë të ecim shumë shpejt drejt integrimit të plotë. Kjo viztë pati rëndësi për bujqësine, por i shërbeu edhe axhendës së përbashkët së shoqërisë shqiptare, për integrimin europian”, tha ministri Peleshi.

Ai njohu të pranishmit me rihapjen e afert te procesit të dhënies me qira të tokave bujqësore pas auditimit të muajve të fundit, dhe te programit IPARD, prej 94 milione euro, të cilat do të jenë në dispozicion të investitorëve vendas dhe të huaj.

Ministri Peleshi foli dhe për projektin e “100 fshatrave” për të cilin tha: “Nga kontakti që pata me arkitektët hollandezë pashë edhe interesin e tyre për tu përfshirë në projekt. Shpresoj që do të mund të ndërtojmë një pasaportë projektesh për çdo fshat, për secilin nga 100 fshtatrat”.