Postuar më: 21 Mars 2017

Përfundon kompensimi i blegtorëve në Qarkun Durrës, kafshët e të cilëve u dëmtuan nga Dermtoza

Ministri Koka: Blegtoria dhe Bujqësia duhet të hyjnë një fazë të re mentaliteti për t’u konsideruar si aktivitete fitimprurëse

Ministria e Bujqësisë po vazhdon kompensimin e plotë në të gjithë vendin, deri në përfundim të procesit

Përfundoi sot kompensimi i blegtorëve të Qarkut Durrës, për kafshët e dëmtuara nga Dermatoza Nodulare. Ministri i Mjedisit z. Lefter Koka me përfaqësues të Drejtorisë Bujqësore Durrës dhe të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave shpërndanë sot pjesën e dytë dhe të fundit të lopëve duke kompensuar plotësisht 75 blegtorët e Qarkut Durrës, brenda një kohe mjaft të shkurtër.
“Sot është sasia e dytë e lopëve që shpërndahen në qarkun e Durrësit dhe gjej rastin të falenderoj Ministrinë e Bujqësisë që punoi intensivisht për parandalimin e kësaj sëmundjeje dhe veprimin në një kohë shumë të shkurtër, për kompensimin e dëmit të krijuar. Ky është një premtim i mbajtur i Ministrisë së Bujqësisë për t’ju kompesuar gjethët e humbura. “ –u shpreh ministri Koka
Gjithashtu Ministri i Mjedisit vuri në dukje ndryshimin e mentalitetit në fushën e blegtorisë dhe të bujqësisë për ta orientuar fermerin shqiptar drejt një aktiviteti fitimprurës dhe jo thjesht e vetëm për të mbijetuar. “Do t’ju lutesha që të jeni sa më pranë ekspertëve të drejtorisë së bujqësisë në qarkun e Durrësit për të pasur sa më të qartë që qoftë blegtoria, qoftë bujqësia duhet të hyjnë në një cikël të ri mentaliteti, për tu konsideruar si aktivitete fitimprurëse dhe jo thjesht aktivitete për të mbijetuar. Paravarësisht se cdo familje mund të ketë një, dy lopë, apo 5 lopë, është detyrë e Ministrisë së Bujqësisë që të fusë një filozofi të re menaxhimi që këto të mund të trajtohen si një kompleks i madh i kësaj natyre. Vetëm ashtu do të justifikohet mundi dhe djersa e derdhur”.
Ditën e sotme u shpërndanë 45 lopë të racës daneze ndërsa një ditë më parë u shpërndanë 30 krerë në karantinën e Shijakut. Të gjithë krerët janë të pajisur me certifikatat biologjike për të ditur origjinën dhe mënyrën sesi do të trajtohen në të ardhmen. Sipas certifikatës së tyre biologjike cdo lopë prodhon nga 17 deri në 20 litra qumësht në ditë dhe kanë një sasi më të vogël të ushqimit se racat e tjera.
Fundjavën e kaluar, përfundoi kompensimi i fermerëve edhe në Qarkun e Korçës, aktivitet ku mori pjesë Ministri i Bujqësisë, Z.Edmond Panariti. Kompensimi ka filluar më herët në Qarkun Dibër, Kukës, Elbasan dhe po vazhdon në të gjitha rrethet ku ka padur kafshë të dëmtuara nga Dermatoza Nodulare, deri në përfundim të këtij procesi, për të çuar në vend premtimin e mbajtur të Ministrisë së Buqësisë.