Postuar më: 30 Nëntor 2017

Vizita e Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Korçë

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Niko Peleshi i shoqëruar nga deputeti z. Eduard Shalsi, Kryetar i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, Prefekti i Qarkut Korçë, z. Dhori Spirollari, deputetë dhe përfaqësues të pushtetit vendor, kanë vizituar një nga pikat e tregtimit të inputeve bujqësore.

Ministri është njohur nga afër me kushtet dhe problematikat që ka ky biznes, duke i garantuar mbështetje dhe lehtësira mbi barrën fiskale të inputeve bujqësore, me qëllim rritjen e produktivitetit bujqësor, mbrojtjen e fermerit dhe garantimin e sigurisë ushqimore.

“Jemi angazhuar për heqjen dalëngadalë të TVSH-së, së inputeve bujqësore për fermerët, pra për të ulur me pothuajse 20 % koston fillestare të prodhimit, por ndërkohë inputetet bujqësore janë të rëndësishme edhe nga pikëpamja cilësore. Pra, cilësia e inputeve është një nga shqetësimet e fermerëve, shqetësimet tona, për të garantuar sigurinë ushqimore, por edhe produktivitetin, rritjen e produktivitetit të bujqësisë.”

Ministri ka nënvizuar nevojën e bashkëpunimt midis biznesit privat dhe mekanizmave shtetërore.

“Ne kemi një bashkëpunim kohët e fundit dhe me shoqatën AFADA, por edhe me Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, jemi duke shqyrtuar gjithë kuadrin tonë ligjor, për të lehtësuar burokracinë. Burokracia është një nga çështjet që kjo Qeveri, po e adreson me shpejtësi në të gjithë sektorët. Edhe në këtë sektor, mesa dëgjuam sot, burokracia është një nga pengesat. Ne do të merremi edhe deri në përmirësime ligjore, ndaj jemi me komisionin, shumë afër, në mënyrë që këtij biznesi t’i krijohen kushte për të bashkëpunuar.”

“Nga ana tjetër, kërkesa jonë, kontrolli i shtetit do të rritet për cilësinë e inputeve, për të zhdukur informalitetin në këtë fushë, për të mbrojtur fermerin shqiptar nga inputet.”

Ministri Peleshi ka qenë i prerë në qëndrimin e tij, përsa i përket sigurisë ushqimore dhe ka bërë thirrje për një pakt përtej partive.

“Siguria ushqimore, unë e kam kërkuar dhe vazhdoj ta kërkoj, të jetë një pakt bipartizan, për sigurinë ushqimore, nuk do të ndalet, derisa konsumatori shqiptar të jetë i sigurt për atë që konsumon.” mbylli fjalën e tij Peleshi.