Panaire

Panairi i Agrobiznesit ne Pallatin e Kongreseve 23-27 nentor 2013

Nën kujdesin e Ministrit të Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave z. Edmond Panariti, u zhvillua sot në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës në Pallatin e Kongreseve, ceremonia e ndarjes së çmimeve “Vera më e mirë 2013”.
Në këtë ceremoni, të zhvilluar në sallonin e agrobiznesit, ku u promovuan produket më të mira bio të vendit tonë, kreu i Kuvendit z. Ilir Meta mbajti një fjalë përshëndetëse. Ai u shpreh se deri tani bujqësia nuk ka patur rëndësinë që duhej të kishte nga qeveritë paraardhëse, ndaj nevojitet të shtohet fokusi mbi këtë sektor të rëndësishëm, pasi garanton më shumë punësim, më shumë mirëqënie jo vetëm për fermerët, por për gjithë shoqërinë tonë.
Ministri Panariti në fjalën e tij, u shpreh se “ky panair është më tepër një festival i vlerave, i traditës dhe i kulturës së bujqësisë shqiptare, i prodhuesve shqiptarë, që janë të pranishëm këtu me prodhimet e tyre organike. Sot ne kemi krijuar një traditë të konsoliduar në prodhimin e verës dhe këtu janë të pranishëm shumë prodhues të verës që kanë krijuar marka prestigji dhe përfaqësojnë dhe vlerat e traditat e krahinave të tyre”.
Më tej ministri Panariti në fjalën e tij shtoi: “Si ministër angazhohem për të marrë gjithë hapat e nevojshëm financiarë dhe institucionalë, për të qënë në mbështetje të prodhuesve shqiptarë, për të promovuar prodhimet tuaja, për të kontribuar në uljen e kostos së prodhimit tuaj, për të rritur konkurueshmërinë në tregje, për të mbrojtur prodhimin tonë nga konkurenca e pandershme dhe të bëjmë ç’është e mundur që prodhimet shqiptare, të jenë të pranishme në tregjet e BE-së e më gjerë. Aktualisht kemi larmi prodhimesh si: verë, vaj ulliri që janë përfshirë në procesin akreditimit e çertifikimit ndërkombëtar si prodhime bio. Këtë proces duhet ta çojmë drejt finales që të krijojmë markat tona shqiptare dhe t’i bëjmë ato të pranishme jo vetëm në tryezat e konsumatorëve tanë, por edhe atyre rajonale e ndërkombëtare".
Më pas, u ndanë një sërë çmimesh për prodhuesit e verës, ku çmimin e parë si për verën e bardhë ashtu dhe për verën e kuqe, e fitoi kantina “Kokomani” Durrës. Çmime morën dhe kantinat ‘Bardha’  në Marikaj, ‘Arbëri’ në Mirditë, ‘Kallmet’ në Lezhë etj.
Në fund EKSPO Klik Grup i akordoi z. Ilir Meta dhe z. Edmond Panariti çmimin “Shqiponja e Artë”.
Për ministrin e Bujqësisë z. Panariti, motivacioni është: “Mirënjohje për angazhimin e përkushtuar dhe arritjet e prekshme, që me marrjen e misionit në krye të Dikasterit të Bujqësisë, për vënien në zbatim të prioriteteve të paravendosura në kuadër të promovimit të prodhuesve vendas, zhvillimit të shpejte e të qëndrueshëm të sektorit,  përmes platformave të qarta e të suksesshme, me rezultate të dukshme edhe permes Panairit të Agrobiznesit në Panairin Ndërkombëtar të Tiranë”.