PRODHIMI ORGANIK BUJQËSOR

 

PRODHIMI ORGANIK BUJQËSOR.

 

Objektivi strategjik

 

Objektivi strategjik i Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe institucioneve të tjera me detyra në këtë fushë, është garantimi i rritjes së sasisë dhe cilësisë së prodhimit organik. Kjo jo vetëm për faktin e gjenerimit të eficencës ekonomike (rritje e të ardhurave) por edhe garantimit të rritjes së cilësisë së jetesës për konsumatorët. Nga ana tjetër prodhimi organik konsiderohet si avantazh i rritjes së mundësisë së eksportit në Rajon dhe me gjerë, duke mundësuar kështu rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare si dhe ndikuar në reduktimin e importit dhe rritjen e eksportit. 

 

Po ashtu, neni 95 i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit përcakton se bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian do të ketë si synim modernizimin dhe ristrukturimin e bujqësisë shqiptare dhe sektorit agro-industrial, si dhe mbështetjen për përafrimin gradual të legjislacionit shqiptar dhe praktikave me rregullat dhe standardet komunitare.

 

Ky objektiv do të realizohet nëpërmjet:

  • Forcimit të sistemit institucional të sektorit të prodhimit organik (prodhim, tregtim, konsum) dhe sistemeve të kontrollit që kanë lidhje me të;
  • Përforcimit të kapaciteteve në prodhimin organik për minimizimin e mbetjeve në mjedis;
  • Përmirësimit të legjislacionit të prodhimit organik dhe zbatimit të tij.

 

Situata aktuale

 

Ministria e Bujqësisë, në Strategjinë Sektoriale të Bujqësisë dhe Ushqimit  2007-2013, e ka konsideruar bujqësinë organike në fokus të veçantë të politikave bujqësore, bazuar kjo dhe në kuadrin e Planit të Veprimit të Bujqësisë Organike të hartuar po nga MBZHRAU (2006) ku janë identifikuar pesë fusha prioritare si bazë e zhvillimit të strategjisë së këtij sektori: i.) hartimi, konsolidimi dhe zbatimi i një politike kombëtare për bujqësinë organike, e cila të lejojë sinergji me institucionet përkatëse dhe politikat e tjera zhvillimore përkatëse; ii.) zbatimi i legjislacionit kombëtar për bujqësinë organike dhe strukturimi i sistemit organik  kombëtar; iii). strukturimi i zinxhirit të ofertës organike duke lehtësuar konvertimin në bujqësinë organike (midis fermerëve dhe përpunuesve) dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër, inkurajimin e zhvillimit të tregut për inputet dhe produktet organike; iv) mbështetjen e kërkimit shkencor, arsimit dhe shërbimit këshillimor në bujqësinë organike me qëllim që të zhvillohet dhe konsolidohet një sistem kombëtar njohurish për bujqësinë organike; v.) inkurajimi i integrimit të Shqipërisë në komunitetin organik ndërkombëtar dhe nxitja e rrjetëzimit kombëtar dhe ndërkombëtar.

 

Bazuar në faktin që Bujqësia Organike në Shqipëri funksionon prej mbi një dekade, duke u bërë një sektor me rëndësi të veçantë për ekonominë dhe eksportet bujqësore shqiptare, MBZHRAU,  në mbështetje të saj, në vitin 2004, ka hartuar Ligjin. Nr. 9199, datë 26/02/2004 “Për prodhimin, përpunimin, certifikimin dhe tregtimin e produkteve “Bio”, ligj i cili është miratuar dhe zbatohet që nga ky vit (2004):  botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 20/2004, datë 05/04/2004, Faqe:1045;

 

Ligji shqiptar Nr. 9199, datë 26/02/2004 “Për prodhimin, përpunimin, certifikimin dhe tregtimin e produkteve “Bio”, synon nxitjen e prodhimit organik në Shqipëri, krijimin e kuadrit ligjor të nevojshëm dhe përcaktimin e kushteve të prodhimit, përpunimit, transportit, certifikimit dhe kontrollit të produkteve bujqësore dhe atyre ushqimore me prejardhje bimore ose shtazore, që prodhohen, përpunohen ose/dhe importohen e tregtohen si produkte “Bio”.

Ky ligj rregullon ngritjen e Komisionit Shtetëror të Prodhimit Organik (KSHPO), përcakton kushtet specifike të prodhimit organik, jep leje të përkohshme për përdorimin e materialeve të palistuara në Anekse, përcakton kushtet për etiketimin e produkteve “Bio”, procedurat e kundërvajtjeve administrative si dhe sanksionet që ndërmerren për to.

Në Strategjinë Sektoriale të Bujqësisë dhe Ushqimit (SSBU) 2007 – 2013), Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave (MBZHRAU) synon që në vitin 2013, sipërfaqja organike në Shqipëri të arrijë 5%. Për këtë vlen të përmendet që prej vitit 2008 e në vazhdim, MBZHRAU nëpërmjet skemave mbështetëse në bujqësi, mbështet certifikimin e produkteve bujqësore “Bio” nga bimët e kultivuara, duke bërë të mundur kështu rritjen e sipërfaqes bujqësorë të certifikuar si dhe organizimin grupfermerëve të certifikuar në grup. Numri i operatorëve organikë (fermat organike) aktualisht është 116 nga 61 që ishte në vitin 2009. Sipërfaqja totale e certifikuar sipas të dhënave të agreguara (MBZHRAU dhe trupat private të certifikimit) ka arritur në rreth 19 000 ha. Duke filluar nga viti 2010 të dhëna për produkte organike janë regjistruar për herë të parë dhe në Vjetarin Statistikor të MBZHRAU. Bazuar në rregulloret dhe direktivat e BE-së për vitin 2011 është plotësuar pyetësori për të dhënat lidhur me bujqësinë organike në statistikat zyrtare me të dhënat për fermat organike si për sipërfaqen ashtu dhe sipas kulturave (drejtimi i fermës);

 

Pyetësorët e Bujqësisë Organike janë futur në sistemin e regjistrimit të fermës, të dhënat e të cilit mblidhen dhe përpunohen dhe nga INSTAT.

 

Duke filluar nga viti 2001, projekte të ndryshme kanë ndihmuar në ngritjen dhe promovimin e bujqësisë organike në Shqipëri, ku më të rëndësishmit kanë qenë projekti Sustainable Agriculture Support in Albania (SASA) (2001 – 2011), zbatuar nga FiBL Zvicër; projekti PAB-Interreg IIIA (2004 – 2007) (Projekt i Integruar për përhapje dhe asistencë teknike në zbatimin e metodave të prodhimit organik) zbatuar nga IAM-Bari; si dhe Bio-84/01 (Balkans provision for the Italian Partecipation in Stabilization, Reconstruction and Development of the countries of the Balkan area) për trajnimin e ekspertëve teknikë në bujqësinë organike, në mbështetje të zhvillimit rural dhe emergjencave të ushqimit në rajonin e Ballkanit. Bujqësia organike po përfiton nga aktivitete të financuara nga agjencitë dhe donatorë të huaj si Oxfam, GTZ, SNV, FAO, etj.

 

Projektet kanë ndihmuar në ngritjen dhe forcimin e shoqatave të prodhuesve dhe organizmit certifikues, njohjen e metodave të prodhimit organik, përmirësimin e shërbimeve dhe strukturave teknike në mbështetje të zhvillimit të bujqësisë organike dhe promovimin e produkteve organike shqiptare në tregjet dhe panairet më të njohur lokalë dhe Europian.

Rezultat i kësaj ndihme është rritja e kapaciteteve prodhuese dhe tregtuese e produkteve organike brenda dhe jashtë vendit sidomos në prodhimin e vajit të ullirit organik ku “Shkalla” sh.p.k ka eksportuar në Zvicër, Kroaci, etj si dhe është renditur në vendin e 6-të ndër 100 vajrat më të mirë të listuar në Katalogun Botëror (2006). Po ashtu “Gjikondi” sh.p.k dhe “Musaj” sh.p.k janë vlerësuar me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare për cilësinë e vajit të tyre organik. USAID ka qenë dhe është aktiv në promovimin e produkteve organike Shqiptare në panairet si ‘BioFach” apo dhe atyre të organizuara në USA e vende të tjera Evropiane. BiOL prej mëse dy vitesh ka vlerësuar vajrat shqiptarë me çmimin “Gold” dhe “Silver”, përkatësisht “Musaj”, “Shkalla”, “IVAP”.

 

Ndër produktet që vijnë nga kultivimi, mund të renditim si më të rëndësishëm, ullirin, kryesisht për prodhim vaji, vreshtat për tavolinë dhe verë, perimet dhe frutat. Madhësia e fermave organike është më e lartë sesa mesatarja e Shqipërisë, përkatësisht 2,24 ha ndaj 1,2 ha që është mesatarja e fermës konvencionale.

 

Mbi 99% e produkteve që vijnë nga mbledhja spontane eksportohen në SHBA, Gjermani, Zvicër, Francë, Belgjikë, Lihtenshtein, Austri, Itali dhe vende të tjera si Bullgaria dhe Turqia. Megjithatë, tregu lokal për produkte organike është duke u zgjeruar sidomos në drejtim të përpunimit të tyre si “Xherdo” sh.p.k. gjithashtu është rritur intersi i grumbulluesve të këtyre bimëve spontane për certifikimin e terreneve ku rriten e kultivohen këto bimë.

 

Në Shqipëri operojnë disa shoqata, ku ndër më aktivet janë: BioAdria dhe SHBO, të cilat janë anëtare të IFOAM, për sektorin e fruta-perimeve, shoqata EPCA e bimëve mjekësore shqiptare dhe shoqata e prodhuesve të vajit të ullirit, (AOA).

 

Në bazë të nenit 4 të Ligjit 9199/2004 për bujqësinë organike, organizma certifikues vendas dhe të huaj lejohen të ushtrojnë aktivitet certifikues për fermat dhe operatorët që veprojnë në bujqësinë organike. Këta organizma duhet që më parë të jenë akredituar. Akreditimi i organizmave certifikues kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit (DPA), e cila është një organizëm kombëtar i akreditimit, i njohur nga qeveria për të vlerësuar në përputhje me standardet ndërkombëtare kompetencën teknike të organizmave të vlerësimit të konformitetit.

 

DPA operon në përputhje me Ligjin Nr. 9824, datë 01/11/2007, “Për Akreditimin e organizmave të vlerësimit të konformitetit në RSH” dhe akreditimi nga DPA kryhet në përputhje me standardet ndërkombëtare të vendosura nga Organizata Ndërkombëtare e Standardizimit (ISO).

 

KSHPO, i ngritur pranë MBZHRAU, është organi shtetëror përgjegjës për zbatimin dhe administrimin e legjislacionit dhe sistemit të bujqësisë organike në Shqipëri. KSHPO kryen: njohjen së organizmave certifikues dhe inspektorëve të prodhimit organik; regjistrimin të kërkesave të fermerëve për aplikim për tu futur në sistemin e prodhimit organik; mbikëqyrjen të aktivitetit vjetor të organizmave certifikues; regjistrimit të njësive të prodhimit organik pas miratimit nga organizmi certifikues i zgjedhur nga vetë ferma; publikimin e përditësuar të listës së emrave dhe adresave të njësive të prodhimit, përpunimit dhe tregtimit të produkteve “Bio”; regjistrimin e subjekteve vendase dhe të huaja që eksportojnë dhe importojnë produkte “Bio”; pajisjen e këtyre subjekteve me certifikatë që vlen vetëm për rastin e shqyrtuar; publikon logon e organizmave certifikues; organizon kualifikimin dhe testimin e përvitshëm të inspektorëve; propozon modelet e formularëve që njësitë prodhuese, organizmat certifikues dhe subjektet import/eksport duhet të plotësojnë; paraqet vendimet e marra për pranimin e veprimtarisë apo ndërprerjen e kontratave të bashkëpunimit për organizmat certifikues dhe inspektorët si vendas dhe të huaj.

 

Ky Komision është krijuar si organ ndërinstitucional, dhe përbëhet nga 9 anëtarë, si dhe sekretariati i përbëhet nga 3 anëtarë. Sektori përgjegjës për veprimtarinë e bujqësisë organike në MBZHRAU është Sektori i Prodhimit Bimor me një person. Për më tepër, pesë Qendrat e Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB), në varësi të MBZHRAU, dhe që mbulojnë gjithë territorin e Shqipërisë.

 

Në Ligjin nr. 10137, datë 11.5.2009 “ Për disa ndryshime në legjislacionin në fuqi për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë  leja e përkohshme zëvendësohet me autorizim i përkohshëm.

 

Bazuar në sa më sipër, sipas ligjit nr. 9199, datë 26.2.2004 “ Për prodhimin, përpunimin, certifikimin dhe tregtimin e produkteve bio “, neni 7, Komisioni Shtetëror i Prodhimit Organik (KSHPO)  jep autorizim të përkohshëm për:

 

a)  përdorimin e materialeve të palistuara në anekset II e III të këtij ligji,

b)  përdorimin e materialeve me origjinë jobujqësore (ndihmesat teknologjike dhe shtesat) ose me origjinë bujqësore joorganike për përpunim, të palistuara në shkronjën “D” dhe “E”  të aneksit II.

Organizmi i inspektim/certifikimit Albinspekt, është operatori i parë dhe i vetëm, që siguron një shërbim inspektimi dhe certifikimi të produkteve organike sipas Standardeve kombëtare, private dhe Evropiane (Ligji shqiptar 9199/2004, standardi privat BioAdria si dhe Rregullorja e BE Nr. 834/2007).

 

Albinspekt është një shoqëri aksionere private, e njohur nga KSHPO, si organizëm çertifikues në bazë të Ligjit shqiptar Nr. 9199/2004 për produktet “Bio” si dhe VKM Nr. 639, datë 14/05/2008 për regjistrimin e organizmave certifikues si dhe nga DPA në Shqipëri. Albinspekt, gjithashtu, është akredituar gjatë vitit 2009 nga DGA (Deutsche Gesellshaft fur Akkreditierung GmbH) sipas normës Evropiane EN 45011/1998, për kryerjen e shërbimit të çertifikimit të produkteve organike në fushat e prodhimit bimor dhe shtazor dhe të përpunimit. Roli kryesor i Albinspekt është sigurimi i shërbimit të inspektim/certifikimit si dhe informacion lidhur me parimet dhe metodat e prodhimit organik.

 

Në Shqipëri, operojnë dhe 7 organizma të huaj certifikimi si janë: ICEA, BCS Öko-GarantieGmbH, BioInspecta AG, CERES GmbH, Control Union Certifications B.V., IMO CH, IMC srl. Këto organizma certifikues të huaj janë të njohur dhe akredituar për certifikim të produkteve “bio” në vendet e tyre të origjinës. Organizmat certifikues të huaj kryejnë certifikim në bazë të Rregullores Nr. 834/2007 të BE, për prodhimin dhe etiketimin e produkteve organikë si dhe standardit amerikan për produktet organike (NOP).

 

MBZHRAU bashkëpunon me organizmin e certifikimit “Albinspekt” dhe që nga viti 2010 është filluar regjistrimi i të dhënave për operatorët organikë on-line dhe ky bashkëpunim do të jetë në vazhdim;

 

Një rol të veçantë në zhvillimin e sektorit ka luajtur politika e MBZHRAU në përfshirjen e Bujqësisë organike në skemat mbështetëse kombëtare që nga viti 2008, rezultati i të cilës është rritje e numrit të operatorëve organikë që në vitin 2013 kap  shifrën  e 137 fermave. Në total  kultivues janë 126; 25 janë kultivues/përpunues; 14 janë grumbullues dhe 17 janë eksportues. Sipërfaqja e certifikuar është 274 413 ha nga e cila sipërfaqe e kultivuar është 440 ha dhe 273.972 janë bimët e egra medicinale/aromatike (burimi MBZHRAU dhe Abinspekt).

 

Për vitin 2009-2011 është firmosur marrëveshje e bashkëpunimit (për fazën e tretë) midis MBZHRAU dhe projektit SASA (Sustainable Agriculture Support in Albania): ”A bilateral projekt of Co-operation and development” lidhur me bujqësinë organike dhe përafrimin e legjislacionit në këtë fushë;

 

MBZHRAU po bashkëpunon me Ministritë e linjës dhe organizma të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare si Ministria e Mjedisit, IBB, CIHEAM, etj., lidhur me menaxhimin e mbetjeve dhe monitorimin e nitrateve në tokë si dhe për ngritjen e kapaciteteve institucionale për përafrimin e legjislacionit të BE-së;

 

Me zhvillimet e Sektorit të prodhimit organik, ka dalë si detyrë e domosdoshme amendimi i Ligjit Nr. 9199, datë 26/02/2004 “Për prodhimin, përpunimin, certifikimin dhe tregtimin e produkteve “Bio”, pasi ky Ligj është bazuar në Rregulloren e Këshillit (EC) Nr. 2092/91 e cila është amenduar sipas rregulloreve të mëposhtme:

  • Rregullorja e Këshillit (EC) Nr. 834/2007, datë 28 Qershor 2007 “për prodhimin organik dhe etiketimin e produkteve organike si dhe shfuqizimin e Rregullores (EEC) Nr. 2092/91;
  • Rregullorja e Komisionit (EC) Nr. 889/2008, datë 5 Shtator 2008 përcakton rregullat për zbatimin e Rregullores së Këshillit (EC) Nr. 834/2007  për prodhimin organik dhe etiketimin e produkteve organike lidhur me prodhimin organik, etiketimin dhe kontrollin;  
  • Rregullorja e Këshillit (EC) Nr. 967/2008, datë 29 Shtator 2008 , Rregullorja e amenduar (EC) Nr. 834/2007 për prodhimin organik dhe etiketimin e produkteve organike; 
  • Rregullorja e Komisionit (EC) Nr. 1254/2008 , datë 15 Dhjetor 2008,  për amendimin e Rregullores (EC) Nr. 889/2008, përcakton rregullat e hollësishme për zbatimin e Rregullores së Këshillit (EC) Nr. 834/2007 për prodhimin organik dhe etiketimin e produkteve organike  në lidhje me prodhimin organik, etiketimin dhe kontrollin;
  • Rregullorja e Komisionit (EC) Nr. 537/2009 , datën 19 Qershor 2009 për amendimin e Rregullores  (EC) Nr. 1235/2008, lidhur me listën e vendeve të treta nga të cilat produktet bujqësore të fituara nga prodhimi organik duhet të fillojnë të tregtohen brenda Komunitetit; 
  • Rregullorja e Komisionit (EC) Nr. 710/2009, datë 5 Gusht 2009 për amendimin e Rregullores (EC) Nr. 889/2008 përcakton rregullat e detajuara për zbatimin e Rregullores së Këshillit (EC) Nr. 834/2007, lidhur me përcaktimin e rregullave të detajuara për të akuakulturës organike dhe prodhimit të algave të detit; 
  • Rregullorja e Komisionit (EC) Nr. 271/2010, datë 24 Mars 2010 për ndryshimin e Rregullores  (EC) Nr. 889/2008 përcakton rregullat e detajuara për zbatimin e e Rregullores së Këshillit (EC) Nr. 834/2007, lidhur me logon e prodhimit organik të Bashkimit Evropian;
  • Rregullorja e Komisionit (EC) Nr. 471/2010, datë 31 Maj 2010 për amendimin e Rregullores (EC) Nr. 1235/2008, lidhur me listën e vendeve të treta nga të cila produkteve bujqësore të siguruara nga prodhimi organik duhet fillojnë të tregtohen brenda Komunitetit;

 

Rregulloret e reja përfshijnë:

 

  1. Rregullat e reja të prodhimit, certifikimit, etiketimit, të produkteve organike përfshirë transportin dhe shpërndarjen. Kanë fushë të gjerë veprimi në produktet e përpunuara duke përfshirë zinxhirin e plotë nga përpunimi tek shpërndarja e produktit organik: “produktet e përpunuara organike duhet të prodhohen duke përdorur metodat e përpunimit që garantojnë që cilësitë integrale dhe jetësore të produktit janë ruajtur në të gjitha hallkat e prodhimit” neni 19 i Rregullores 834/2007. Për herë të parë trajtohen produktet që përmbajnë OMGJ, të  akuakulturës dhe tekstilet si dhe garantohen rregulla të reja për fermat në konvertim dhe për logon e produktit (në këto rregulla parashikohen edhe rastet e etiketimit për vendet jashtë BE-së siç është dhe rasti i Shqipërisë);
  2. Prodhimi organik, bazohet në 4 shtylla kryesore të parashikuara në rregulloret që kërkohen të përafrohen;
  3. Përafrimi i legjislacionit do të mbështesë trupat e certifikimit  për certifikimin e produkteve organike mbi baza ligjore kombëtare (trupat e huaj të certifikimit do të veprojnë jashtë kuadrit tërësor privat, siç dhe veprojnë deri më tani);
  4. Kompanitë përpunuese do të gjejnë bazën ligjore të prodhimit, përpunimit, certifikimit, etiketimit të produktit organik, rregullat për sigurinë ushqimore dhe përpunimin e mbetjeve deri në tregtim dhe shpërndarje, çka do të rregullojë standardet e produktit deri në arritjen e standardeve ndërkombëtare si ISO, HCPP, etj., si domosdoshmëri të eksportimit të produkteve organike në tregun rajonal dhe më gjerë;

 

Baza ligjore dhe përafrimi i legjislacionit

 

Aktet ligjore janë:

 

  • Ligjin. Nr. 9199, datë 26/02/2004 “Për prodhimin, përpunimin, certifikimin dhe tregtimin e produkteve “Bio”, ligj i cili është miratuar dhe zbatohet që nga ky vit (2004):  botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 20/2004, datë 05/04/2004, Faqe: 1045, bazuar në rregulloren e BE-së 2092/91 “Për prodhimin organik të produkteve bujqësore dhe treguesit që i referohen produkteve bujqësore dhe ushqimore” dhe shkalla e përafrimit është e pjesshme,

 

Aktet nënligjore:

  • Vendimi i Këshillit të Ministrave (VKM), Nr. 388, datë 31/05/2005 “Për përbërjen, funksionimin, të drejtat dhe detyrat e Komisionit Shtetëror të Prodhimit Organik” (Fletorja Zyrtare, Nr.41/2005, datë 13/06/2005);
  •  VKM Nr. 145/2006, datë 08/03/2006 “Për disa ndryshime në vendimin Nr. 388, datë 31/05/2005 të Këshillit të Ministrave “Për përbërjen, funksionimin, të drejtat dhe detyrat e Komisionit Shtetëror të Prodhimit Organik” (Fletorja Zyrtare, Nr.20/2006, datë 17/03/2006);
  • VKM Nr. 639, datë 14/05/2008 “Për strukturën, funksionimin, kriteret e pranimit të dokumentacionit të nevojshëm dhe të detyrimeve të organizmave Certifikues” (Fletorja Zyrtare, Nr.82/2008, datë 06/06/2008);
  • Urdhri i Ministrit të MBZHRAU Nr. 306, datë 21/06/2006 “Për ngritjen e Komisionit Shtetëror të Prodhimit Organik si dhe ngritjen e funksionimin e Sekretariatit të këtij Komisioni”;
  • Urdhri i Ministrit të MBZHRAU Nr. 131, datë 17/04/2009 “Për ngritjen e Komisionit Shtetëror të Prodhimit Organik si dhe ngritjen e funksionimin e Sekretariatit të këtij Komisioni” (ky Urdhër ka ndryshuar Urdhrin Nr. 306, datë 21/06/2006);
  • Urdhri Nr. 173, datë 21/05/2009 “Për tarifat e pagesave për regjistrimin e organizmave të certifikimit dhe trupave inspektuese”. 

 

Struktura institucionale

 

Institucionet e përfshira në prodhimin organik janë Ministria e Bujqësisë dhe institucionet e varësisë së saj; Ministria e Mjedisit, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit dhe institucionet e varësisë së tyre.

 

Në lidhje me Ministrinë e Bujqësisë dhe institucioneve të saj të varësisë, me krijimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit i cili filloi nga aktiviteti me datë 1 shtator 2010, garantohet dhe  ndarja e funksioneve politikëbërëse/ ligjbërëse nga ato zbatuese.

 

Funksionet politikëbërëse realizohen nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, pjesë e së cilës është Sektori i Prodhimit Bimor dhe Blegtoral në Drejtorinë e Përgjithshme të Politikave Bujqësore. Kjo Drejtori është përgjegjëse për hartimin e politikave, strategjive dhe legjislacionit për prodhimin bimor, përshirë atë organik, funksionet kryesore të prodhimit dhe tregtimit të produkteve bujqësore/organike brenda standardeve si dhe sigurimit të një konkurrueshmërie  të produkteve në treg ku produkti organik të plotësojë të gjitha rregullat dhe kërkesat e prodhimit dhe tregtimit sipas normave të BE-së dhe legjislacionit të fushës në fuqi, nxit rritjen e gamës së produkteve  produkteve bujqësore/organike në tregun lokal, rajonal e më gjerë. Ajo gjithashtu, ndihmon në zhvillimin dhe implementimin e politikave të sigurisë së prodhimit bujqësor/organik të integruar  nga “ferma tek tavolina”.

 

Enti Shtetëror i Farave dhe Fidanëve (ESHFF), institucion në vartësi të MBZHRAU, siguron pastërtinë e rregullat e prodhimit, certifikimit, regjistrimit dhe tregtimit të materialit mbjellës dhe shumëzues bimor, përfshirë dhe atë organik Në ESHFF është dhe laboratori i referencës për këtë qëllim. në shërbim të këtij qëllimi vlen të përmendet hartimi i ligjit të ri nr. 10 416, datë 07.04.2011 “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor i dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.

 

AKU menaxhon kontrollin e materialit mbjellës dhe shumëzues bimor, përfshirë dhe atë organik, në treg, dogana, pika grumbullimi/ruajtje, etj., për sigurimin e respektimit të rregullave të tregtimit dhe pastërtisë fitosanitare të materialit mbjellës dhe shumëzues bimor/organik. Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) është Qendër Reference në kontrollin e sigurisë dhe cilësisë së ushqimeve, përfshirë atë organik.

 

AKU gjithashtu kryen kontrolle për vlerësimin e cilësisë së plehrave, përpara hedhjes së tyre në treg dhe gjatë tregtimit, për të garantuar mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe mjedisit si dhe interesat ekonomike të fermerëve, si rregulla thelbësore të prodhimit organik.

 

Në QTTB-Fushë Krujë është laboratori i referencës për analizën e tokave (mbetjet toksike apo të lëndëve të tjera të papranueshme për prodhimin organik). Ky laborator përveç sa më sipër, kryen analiza për ujërat dhe plehrat që përdoren në bimësi.

 

Universiteti Bujqësor Tiranë (UBT), nëpërmjet Departamentit të Mbrojtjes së Bimëve ndihmon në analizimin e dëmtuesve dhe sëmundjeve për realizimin me sukses të luftës së integruar në këtë drejtim (IPM ), aq e rëndësishme në prodhimin  organik. Një rol po aq të rëndësishëm këtu, luan dhe Banka Gjenetike (UBT) për resurset gjenetike.

 

Masat legjislative afatshkurtra

 

Brenda vitit 2014 synohet përafrimi i mëtejshëm i legjislacionit shqiptar me atë komunitar dhe zbatimi i plotë i tij dhe konsiston në hartimin e një Ligji të ri “Për bujqësinë organike” për amendimin e Ligjit Nr. 9199, datë 26/02/2004 “Për prodhimin, përpunimin, certifikimin dhe tregtimin e produkteve “Bio” me Rregulloren e Këshillit (EC) Nr. 834/2007, datë 28 Qershor 2007 “për prodhimin organik dhe etiketimin e produkteve organike si dhe shfuqizimin e Rregullores (EEC) Nr. 2092/91 dhe Rregulloren e Komisionit (EC) Nr. 889/2008, datë 5 Shtator 2008 përcakton rregullat për zbatimin e Rregullores së Këshillit (EC) Nr. 834/2007  “për prodhimin organik dhe etiketimin e produkteve organike lidhur me prodhimin organik, etiketimin dhe kontrollin”;  

 

Aktivitetet zbatuese në programin e MBZHRAU

 

  • Hartimi i Manuali të njësuar të Prodhimit Organik për disa nga produktet kryesore;
  • Trajnimi i mëtejshëm lidhur me prodhimin dhe tregtimin e produkteve organike, sidomos të punonjësve të ekstensionit;
  • Fillimi i regjistrimit të operatorëve organike on-line;
  • Nxitjen e organizimit të tregjeve të produkteve organike për të realizuar komunikimin konsumatorëve direkt me fermerët dhe të fermerëve midis tyre;
  • Fushata sensibilizuese dhe promovuese për konsumatorët e produkteve organike;
  • Fillimet e databases të prodhimit organik (sistemi i informacionit);
  • Regjistri i fermës organike;
  • AKU për kontrollin e produkteve të importuara në termat e cilësisë;
  • AKU për kontrollin e produkteve lokale të shitura si organike;

 

Aktualisht, me hartimin e draft strategjisë së re për Zhvillimin Rural, në kuadër të IPA II (2014-2020), bujqësia organike po merr një rëndësi edhe më të plotë me futjen e saj në masat mbështetëse të IPAs.

 

Perspektivat e Sektorit dhe Prodhimet ‘BIO”

Megjithëse aktualisht çmimet e produkteve ‘BIO”, me përjashtime te vogla, janë të njëjta me ato të prodhimeve konvencionale, fermeri që prodhon ‘BIO” e ka të garantuar shitjen. Interesi i konsumatorit shqiptar për këto prodhime është në rritje, çka ka bërë të lindin edhe mikrotregjet e para të prodhimeve “BIO” të fruta/perimeve, veçanërisht të fruta/perimeve autoktone.

VLERA E SHTUAR E CILËSISË – certifikimi:

n  Organik

n  Prodhim i Integruar

n  Mbrojtja e Emërtimit të Origjinës (PDO)

n  Treguesit e Mbrojtjes Gjeografike (PGI)

n  Specialiteti i Garantuar Tradicional (TSGs)

Informimi i publikut:

n  Publiku informohet për cilësinë e produktit dhe sigurinë ushqimore nëpërmjet etiketimit

Pse është e rëndësishme për Shqipërinë?

Konsumatorët kanë të drejtën e informimit!

Prodhimet “Bio” me kontrollin e mbetjeve në ambjent, përveç të tjerash, garantojnë ruajtjen e Biodiveristetit dhe luajnë rol të rëndësishëm në  zhvillimin e  agroturizmit shqiptar.