Hapet fillimi i zbatimit të programit IPARD II - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 29/10/2018

Hapet fillimi i zbatimit të programit IPARD II

Nis zyrtarisht fillimi i zbatimit të programit të Instrumentit për Para-Anëtarësim për Zhvillimin Rural II (IPARD II) për Shqipërinë. Në një ceremoni zyrtare, në agroturizmin “Pema e Jetës” në Shkallnur të qarkut të Durrësit, Ambasadori i BE-së z. Luigi Soreca i ka dorëzuar dokumentin zyrtar, Kryeministrit z. Edi Rama në prani të Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural z. Niko Peleshi, fermerëve dhe përfaqësuesve të ndryshëm vendorë.

“Kjo është një arritje e madhe dhe një lajm i shkëlqyer për të ardhmen e prodhimit bujqësor në Shqipëri dhe unë dëshiroj të përgëzoj autoritetet shqiptare për angazhimin e tyre. BE-ja është krenare që mbështet zhvillimin ekonomik të sektorit bujqësor të Shqipërisë. I inkurajoj fuqimisht fermerët dhe agrobizneset të jenë proaktivë, të shfrytëzojnë mundësitë e krijuara nga fondet IPARD II dhe të aplikojnë për mbështetje financiare“,  tha Ambasadori Soreca në fjalën e tij.

Për kryeministrin Rama, kjo është një nga ditët më të shënuara për bujqësinë shqiptare që gjë do t’u japë mundësi fermerëve dhe agrobizneseve të krijojnë një standard të vërtetë që është dhe çelësi i suksesit të këtij programi, që këtë vit ka një vlerë historike prej 94 milionë euro.

“Është një ditë e rëndësishme për ecurinë e programit të rilindjes së bujqësisë, blegtorisë dhe në tërësi rilindjes rurale. Unë dua ta shpreh që në fillim falënderimin për miqtë dhe partnerët tanë të delegacionit të Bashkimit Europian, të cilët na ndihmuan shumë seriozisht, nga afër, për t’ia arritur realizimit final të një marrëveshjeje, aspak të lehtë… Tjetra është se në këto masa, për të cilat sigurisht do duhet një fushatë intensive informimi, adresohen disa prioritete kyçe, të përcaktuara nga vetë qeveria dhe shprehimisht Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural, si pika reference për aty ku ne duhet të fokusohemi. Ne po vazhdojmë ta konsolidojmë një politikë të re, një qasje të re, në raport me të gjithë ata që duan të përfitojnë nga mbështetja e skemave të ndryshme të financimit, që gjithkush është i lirë të mbjellë çfarë të dojë, por ne mbështesim vetëm një numër të caktuar kulturash dhe prodhimesh që kanë perspektivë eksportin.”

Për ministrin Peleshi sfida më e madhe që prezantohet janë përmbushja e dy prioriteteve, formalizim të sektorit bujqësor, dhe rritje të standardeve e respektimin e ligjeve në Shqipëri dhe BE. Dy sfida keto që janë themelet për një absorbim të fondeve.

“Sot po shpallim fushaten e informimit, në datën 30 nëntor fillojmë të pranojmë aplikimet. Fushata e aplikimeve do të qëndroje e hapur për dy muaj deri në fund të janarit. I shpallim të treja masat që përmendi drejtoresha e AZHBR, në vlerën 50 milionë euro…. Bëhet fjalë për një shumë të madhë, për një fond të madh, i cili nuk ka lë më asnjë hapësirë për justifkim, askujt, as ne si institucione, por as dhe sektorit të fermereve dhe investitorëve. Tani siç e tha Ambasadori, mbaron fillimi dhe fillon sfida e vërtetë, fillon loja e vërtetë. Sfida e përmbushjes së dy kushteve do thoja unë që bëjnë të mundur përfitimin nga IPARD-i. Së pari formalizim dhe së dyti arritje e standardeve ligjore dhe standardeve të Bashkimit Evropian.

Pra, arritja e standardeve  të hap dyert për të përfituar nga IIPARD-I dhe nga skemat e tjera, por të hap dhe dyert e tregjeve më të mëdha, pra të jep mundësi të rritesh. Dua të them vetëm një shifër optimiste, sepse është dita për të folur me optimizëm, kemi arsye plot. Shtatori i vitit 2018, krahasuar me shtatorin e vitit 2017 ka një rritje prej 55 % të eksporteve bujqësore. Shtator për shtator me një çmin prej 20% më të lartë. Përse? Sepse kampionët tanë të bujqësisë që janë perimet e serrave kryesisht e kanë kuptuar që duhet të kapësh standardin e cilësisë, standardin e paketimit, standardin e marketingut, dhe pastaj jo vetëm që shet më tepër, sepse shet dhe jashtë Shqipërisë, por shet dhe me çmim më të mirë.”

Ministri gjithashtu është shprehur se për agroturizmin edhe skemat e tjera të diversifikimit të ekonomisë në fshat janë 11 milionë euro në dispozicion.

Ndërsa tek ka përfunduar fjalën ministri Peleshi tha:

“Së bashku me drejtoreshën e AZHBR kemi shtrënguar dorën e aq investitorëve në këto muaj të promovimit të IPARD-it, në numër janë mbi 100, por që në vlerë projekt-idesh për investim shkojnë mbi 50 milionë euro. Pra i kemi takuar. Pra, në qoftë se ata dhe shumë të tjerë që nuk janë takuar ende nga ne do të aplikonin duke arritur standardin që kërkon kjo skemë, atëherë ne mund të realizojmë objektin ambicioz që brenda dy muajve të fillojmë të proçesojme investime në vlerën 50 milione euro.”

Hapja e thirrjes së parë për aplikime parashikohet të fillojë në datën 30 nëntor 2018, me kohëzgjatje për aplikim 60 ditë.  IPARD II do t’u mundësojë fermerëve dhe agrobizneseve shqiptare të kenë qasje në 71 milionë Euro të financuara nga BE-ja për periudhën 2014-2020, të cilat do të plotësohen me 23 milionë Euro nga Qeveria Shqiptare,  duke siguruar gjithsej 94 milion Euro financim të disponueshëm për investime në bujqësi dhe zhvillimin rural.Programi IPARD do të kontribuojë ndjeshëm në konkurrencën e bujqësisë dhe sektorit të ushqimit. Ai do t’i ndihmojë fermat dhe bizneset të përmbushin standardet kombëtare dhe ato të BE-së mbi sigurinë e ushqimit, si dhe kërkesat veterinare dhe fitosanitare, në dobi të konsumatorëve vendorë dhe klientëve ndërkombëtarë.  Ai do t’u mundësojë gjithashtu produkteve shqiptare të hyjnë në tregjet e BE-së dhe t’i diversifikojnë aktivitetet ekonomike në zonat rurale të vendit duke çuar në një cilësi më të mirë të jetesës rurale. Masat e Thirrjes e parë për aplikime kanë të bëjnë me “Investimet në asetet fizike të fermave bujqësore”, “Investimet në asetet fizike në lidhje me përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe të peshkimit” dhe “Diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e biznesit”.