Nënkomiteti MSA, Shqipëri - BE për Bujqësinë dhe Peshkimin - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 20/12/2018

Nënkomiteti MSA, Shqipëri – BE për Bujqësinë dhe Peshkimin

Është zhvilluar në Tiranë, takimi i 10 –të i Nënkomitetit MSA, Shqipëri – BE për bujqësinë dhe peshkimin. Në qendër të takimit diskutimi mbi zbatimin e MSA-së dhe përafrimi i kuadrit ligjor shqiptar me BE-në, në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural, duke përfshirë sektorë të ndryshëm proiritarë si siguria ushqimore, sektori veterinar dhe peshkimi.
Nga ana e përfaqësuesve të BE-së u vlerësuan përpjekjet e autoriteteve shqiptare për punën e bërë në lidhje me forcimin e kapaciteteve administrative, gjë që solli dhe hapjen më 30 nëntor 2018 të programit IPARD II. Ky program, ndër të tjera, do të financojë investimet në fermat bujqësore, si dhe përpunimin dhe diversifikimin e aktiviteteve bujqësore. Komisioni theksoi nevojën që Shqipëria duhet të vazhdojë të forcojë bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve kombëtare përgjegjëse për IPARD-in dhe të sigurojë zbatimin e tij në mënyrë transparente.
Pala shqiptare ka bërë përparime të dukshme në fushat e sigurisë ushqimore, veterinare, në rritjen e kontrollit të sëmundjeve të kafshëve dhe bimëve. Asaj iu vu detyra që të vazhdojë të punojë për identifikimin dhe konsolidimin e tokës, duke përfshirë krijimin e kadastrës, çka është thelbësore për zbatimin e disa aspekteve të rëndësishme të politikës së përbashkët bujqësore.
Përsa i përket sektorit të peshkimit, Shqipëria nënshkroi në mars të vitit 2017, Deklaratën e Maltës MedFish4Ever si dhe Planin rajonal të veprimit për peshkimin në shkallë te vogël të Komisionit të Përgjithshëm të Peshkimit për Mesdheun.
Ky takim u kryesua për BE-në nga z. Georg Ziegler, zëvendësshef i Njësisë nga Drejtoria e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit dhe për Shqipërinë nga znj. Ermira Gjeçi, zëvendësministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.