» Peleshi: Do të ngremë një sistem gjurmueshmërie nga prodhimi tek konsumatori
Postuar më: 25/06/2018

Peleshi: Do të ngremë një sistem gjurmueshmërie nga prodhimi tek konsumatori

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Niko Peleshi u ka kërkuar të gjithë konsumatorëve të konsumojnë produktin shqiptar, pasi sipas tij ky produkt, është plotësisht i garantuar dhe brenda standardeve të sigurisë ushqimore. Bëhet fjalë për produktin e qumështit të fabrikave të mëdha shqiptare të industrisë ushqimore, i cili tregtohet në njësitë tona tregtare, si supermarkete dhe markete të liçensuara. Këtë deklaratë ministri e ka bërë gjatë vizitës në stabilimentin e përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij Lufra.

“Unë dua të garantoj të gjithë konsumatoret shqiptarë për të konsumuar këto produkte, para mbase dhe shumë produkteve të tjera, që mund të jenë produkte importi, edhe “kseonomania” ndonjëherë na bën të besojmë të mendojmë që janë më të sigurta. Jo, prodhimet shqiptare, investitorët shqiptarë kanë investuar mjaft për të na garantuar për cilësinë e ushqimeve.”

Ministri është shprehur se ai do të jetë i vendosur të mbështesë këto investime serioze, të cilat tashmë e kanë kaluar sfidën e tyre, për të furnizuar tregun me produkte të sigurta dhe plotësisht brenda normave dhe standardeve të kërkuara, duke u bazuar dhe garantuar në një sistem të mirëfilltë të gjurmueshmërisë, me ndihmën e teknologjisë së avancuar. Proçesi i gjumueshmërisë është mëse i nevojshëm për të patur produkte të një cilësie të duhur.

“Një gjurmueshmëri, e cila sot është detyrim ligjor për t’u garantuar nga gjithë prodhuesit, para institucioneve të kontrollit ushqimor, siç është AKU-ja. Por ne duam që ta ngremë në një shkallë më lart, pra që ta çojmë sigurinë ushqimore, kontrollin e sigurisë ushqimore deri tek konsumatori..”

“… sfida është tek dhjetëra apo disa qindra përpunues të vegjël, që rëndom i quajmë baxho, nëpër zonat e largëta, të cilët natyrisht janë larg standardit. Nuk janë të pashpresë, nuk dua të fus në merak askënd, por duhet të jenë më të vëmendshëm, ndaj është dhe ky aksion, apo kjo reformë, paketë masash. Duhet të jenë më të vëmëndshëm për të aplikuar në kushtet e tyre standardet e domosdoshme, për të garantuar qumësht cilësor. Ne e kemi tejkaluar sfidën, për të garantuar qumësht nga kompanitë e mëdha. Pra, qumësht të pastër dhe sipas standardeve të kërkuara.”

Ministri ka shfrytëzuar rastin të bëjë të njohur sfidën dhe ambicien që qeveria shqiptare synon të arrijë nëpëmjet ndërtimit të një sistemi të fortë të sigurisë ushqimore, duke bërë të mundur funksionimin me kapacitet të plotë të kësaj hallke të rëndësishme, e cila prek drejtëpërdrejt popullsinë dhe konsumatorin shqiptar.