Peleshi: Frutat dhe perimet shqiptare nga më të kërkuarat në rajon, të garantuara dhe cilësore - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 29/10/2018

Peleshi: Frutat dhe perimet shqiptare nga më të kërkuarat në rajon, të garantuara dhe cilësore

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Niko Peleshi ka vizituar disa ferma dhe pika grumbullimi në zonën e Lushnjës dhe të Divjakës. Ministri është ndalur veçanërisht në një kompani, e cila është lider përsa i përket eksportit të produkteve bujqësore, me një eksperiencë 12 vjeçare në tregun shqiptar. Eksportet e kësaj kompanie variojnë nga 10 mijë – 12 mijë tonë. Në total në eksportin shqiptar kjo kompani përbën diku në 13%. Firma bashkëpunon me 40 firma në rajonin e Ballkanit dhe në vendet e BE-së. Ka 9 pika të grumbullimit në gjithë territorin e Shqipërisë dhe gjithashtu bashkëpunon me 1750 fermerë. Gjatë kësaj vizite ministri Peleshi është shprehur se ky vit është një nga vitet më të mira të bujqësisë shqiptare përsa i përket prodhimit të fruta–perimeve dhe veçanërisht të eksportit tyre. Kryesisht për serrat, të cilat prodhojnë pjesën dërmuese të prodhimeve për eksport, ku produktet shqiptare  janë nga më të kërkuarat në rajon dhe më gjerë. Ministri Peleshi është shprehur shumë i kënaqur për këto arritje dhe veçanërisht për këto prodhime që janë duke patur një fluks të madh kërkesash nga tregje të ndyshme evropiane me standarde shumë të larta. Këto produkte tërhiqen dhe kërkohen për vetë faktin, pasi janë prodhime të garantuara, të një cilësie të lartë dhe ajo që është më e rëndësishme të pastra biologjikisht.

“Kërkesa është e madhe, por akoma më e madhe është nevoja që ne kemi për t’i mbështetur këto kompani, që janë të gatshme të investojnë për shkak se tregu e mundëson edhe produktet shqiptare janë siç e thashë, gjithmonë e më të kërkuara në rajon. Prodhimet tona sot gjenden në vendet e Bashkimit Evropian, në Suedi, në Çeki, në Itali, në Rumani, Bullgari, Greqi, Zvicër dhe shumë vende të tjera. Shkalla e reklamimit është pothuasje e papërfillshme, pra kthimi i prodhimeve tona pothuasje nuk është fare si fenomen, çka do të thotë, se kur një produkt konsumohet në tregjet me standarde shumë të larta, siç janë tregjet e Bashkimit Evropian, padyshim që duhet të konsiderohet i sigurt dhe i garatuar dhe për konsumatorin shqiptar.

Ministri Peleshi u kërkuar gjithashtu medias shqiptare, të pasqyrojë realitetin 360 gradë. Ministri ka falenderuar mediat investigative, por u ka kërkuar atyre që të shpërndajnë jo vetëm lajme negative, të cilat sipas ministrit kanë më shumë impakt tek njerëzit, por edhe ato pozitive, pasi prapa tyre qëndron një pune e lodhshme dhe e mundimshme për t’i arritur këto rezultate pozitive për vendin.

“Për prodhimet shqiptare situata nuk është ajo që perceptohet nga ndonje lajm i ndonjë emisioni investigativ, që bën një punë për t’u lavdëruar në fakt, situata është krejt ndryshe.”

Ka theksuar ministri.

“Dua të them, të përmend dhe një fakt tjetër, do t’i ftoja, do t’ju përulesha të gjithë mediave, që jo të mbyllin sytë dhe veshët, para fenomeneve që padyshim ekzistojnë, negative. Të spekullimit të fermerëve të papërgjegjshëm lidhur me trajtimin apo me përdorimin ndonjëherë dhe pa kriter të kimikateve dhe pesticideve, por do t’ju lutesha që t’i bëjmë jehonë lajmit pozitiv. E di që lajmi pozitiv ndonjëherë nuk është shumë interesant për mediat, por ja që duhet të bëhemi të gjithë bashkë, për ta rritur dhe për ta mbështetur këtë sektor, i cili na jep 20 % të prodhimit të brendshëm bruto të vendit tonë.