» Ushqim i sigurt në kopshte, shkolla, spitale – Marrëveshja e bashkëpunimit mes AKU dhe APP
Postuar më: 26/07/2018

Ushqim i sigurt në kopshte, shkolla, spitale – Marrëveshja e bashkëpunimit mes AKU dhe APP

Në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në prani të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural z. Niko Peleshi është nënshkruar sot “Marrëveshja e Bashkëpunimit” ndërmjet Agjencisë së Prokurimeve Publike dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, me qëllim mbrojtjen dhe garantimin e sigurisë ushqimore në ndihmë të kategorive të konsumatorëve me ndjeshmëri të veçanta shëndetësore dhe nutritive si çerdhe, kopshte, konvikte shkollore, spitale, azile, etj. Kjo marrëveshje ka si qëllim bashkëpunimin ndërmjet palëve në funksion të rritjes së impaktit në garantimin e sigurisë ushqimore duke vendosur disa standarde me qëllim rritjen e cilësisë së ushqimit për grupe të veçanta të konsumatorëve që janë nën kujdesin dhe përgjegjësinë e këtyre autoriteteve kontraktore, por shërbejnë dhe si model referues edhe për subjekte të tjera që ushtrojnë këtë lloj aktiviteti. Sipas kësaj marrëveshje palët angazhohen të bashkëpunojnë për standardizimin e specifikimeve teknike për produktet ushqimore, të cilat prokurohen nëpërmjet procedurave të prokurimit nga autoritetet kontraktore, si dhe liçencave e çertifikimeve që duhet të disponojnë operatorët ekonomikë, pjesëmarrës në këto procedura prokurimi. Palët angazhohen të bashkëpunojnë për shkëmbimin e praktikave më të mira në nivel kombëtar e ndërkombëtar në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes së konsumatorit.

Për ministrin Peleshi nëshkrimi i këtij Memorandumi ështe shumë i rëndësishëm, pasi siguria ushqimore është një nga sfidat më të mëdha që qeveria shqiptare, i ka vënë qëllim vetes duke qenë e vendosur në vazhdimin dhe në fitimin e kësaj beteje të gjatë dhe shumë të vështirë.

“Ky bashkëpunim, kjo marrëveshje bashkëpunimi, synon pikërisht t’i vërë fre nga njëra abuzuesve me tregtimin e këtyre lloj produkteve, duke forcuar pra bashkëpunimin, duke instaluar një set standardesh ligjore, të cilat vetëm në qoftë se plotësohen nga subjektet, mund t’i jepet drita jeshile për të marrë pjesë në prokurimin publik, në tendera publike, për furnizmin e këtyre institucioneve. Nga ana tjetër në bazë të kësaj marrëveshje do të ketë shkëmbim në kohë reale infromacioni, të gjithë fituesve të këtyre tenderave. Nuk dua tani të fus në merak askënd, por duhet ta them që konrolli i AKU-së për këtë kategori subjektesh dhe operatorësh do të jetë i posaçëm.” U shpreh ministri Peleshi gjatë kësaj ceremonie.

Sipas Drejtores së Përgjithshme të APP -së, znj. Reida Kashta, Agjencia e Prokurimit Publik angazhohet të marrë persipër informimin periodik për AKU me listën e operatorëve ekonomikë që lidhin kontrata publike me autoritetet kontraktore, nëpërmjet procedurave të prokurimit publik të shpallura nga APP. Dhe nxjerrjen e një njoftimi për të gjithë Autoritetet Kontraktore për zbatimin e rekomandimit të përbashkët, për specifikimet teknike për produktet ushqimore, të detyrueshme për t’u përdorur nga autoritetet kontraktore dhe licencat e lejet e operatorëve që konkurrojnë.

“Qëllimi në vetvete është marrja e një produkti ashtu siç e duam dhe në rastin konkret marrja e ushqimit me cilësinë e kërkuar. Faza e para është ajo e vendosjes së standardeve, se si do t’ i hartojmë kriteret e duhura që ofertuesit të na japin produktin e duhur, dhe për këtë në bashkëpunim të ngushtë me AKU-në do të marrim standardet bazë që vendos legjislacioni i fushës dhe në respektim të legjislacionit të prokurimit do të krijohet kriteret bazë të cilat do të jenë të detyrueshme për çdo insititucion tenderues. Faza tjetër do jetë pjesa e monitorimit të zbatimit të kontratës me kushtet për të cilat është tenderuar.”