Takimi në Bruksel për kapitullin 12: "Politikat e Sigurisë Ushqimore, Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve" - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 24/11/2023

Takimi në Bruksel për kapitullin 12: “Politikat e Sigurisë Ushqimore, Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve”

Në kuadër te procesit Screening, delegacioni i MBZHR-së i kryesuar nga Zv. Ministri z. Arian Jaupllari, zhvilloi në Bruksel takimin bilateral 5 ditor (20 – 24 nëntor 2023) për kapitullin 12: Politikat e Sigurisë Ushqimore, Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve”, kapitull i cili mbylli takimet bilaterale për Klasterin 5: Burimet, Bujqësia, dhe Kohezioni. Ekspertët e Komisionit Evropian theksuan dinamikën e këtij kapitulli, i cili është një nga kapitujt që ka volumin me të madh të legjislacionit të Acquis. Ata u shprehen se ka qenë sfidues dhe për vetë palën evropiane për të percaktuar ndër vite rregullat në fushat e sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve, duke pasur parasysh që legjislacioni evoluon dhe ndryshohet vit pas viti duke u përshtatur me krizat, ndryshimet klimatike dhe risqet e ndryshme që hasen.

Në takimin e rëndësishëm me ekspertët e Komisonit Evropian, Shqipëria prezantoi progresin dhe sfidat në përafrimin e agjendës evropiane në fushën e sigurisë ushqimore, veterinarisë, mbrojtjes së bimëve, kontrolleve zyrtare, vendosja në treg e ushqimit, ushqimit pë kafshë dhe produktet shtazore, rregullat e higjienës, organizmat e modifikuara gjenetikisht, produktet e mbrojtjes së bimëve, etiketimin, prezantimin dhe reklamimin e produkteve ushqimore, aditivët ushqimore etj.

Takimi u fokusua në shpjegimin e legjislacionit kombëtar të përafruar, kapacitetet institucionale dhe administrative, si dhe politikat e qeverisë për luftën kundër korrupsionit në këtë kapitull.

Politikat e sigurisë ushqimore janë thelbësore në cdo aspekt, pasi nuk bëhet fjalë për shëndetin e bimëve, të kafshëve, cilësinë e ushqimeve, por bëhet fjalë dhe për vetë shëndetin e konsumatorit. Elementë të ri në legjislacionin evropian janë ato që lidhen me impaktin që ka pasur ndryshimet klimatike, që ka sjellë dhe ndryshime dhe rishikime të legjislacionit ekzistues. Një fushë tjetër që po rishikohet dhe legjislacioni i BE-së është dhe mirëqënia e kafshëve, ku po rishikohen dhe rregullat vecanërisht ato të transportit të kafshëve. Gjithashtu po rishikohet dhe legjislacioni i mbetjeve të ushqimeve.

Sugjerim i vazhdueshëm i palës evropiane gjatë gjithë takimit ishtë që pala shqiptare duhet ti përshtatet dhe të përafrojë të gjithë legjislacionin e ri që po rishikohet nga Komisioni Evropian. Ata ofruan dhe mbështetjen nga gjithë ekspertët që do jenë të pranishëm gjatë këtyre ditëve si dhe në të ardhmen për të diskutuar me palën shqiptare dhe për të dhënë informacionin e nevojshëm për të vazhduar punën më tej për harmonizinin e legjislacionit.

Në fund të takimit, ekspertët e Komisionit Evropian falenderuan për prezantimet e bëra, duke vlerësuar dhe sfidat që përfaqëson ky kapitull dhe inkurajoi Shqipërinë të vazhdojë intensivisht me punën e nisur duke konsideruar dhe mbështetjen e palës evropiane, pasi fusha e sigurisë ushqimore, veterinaries dhe mbrojtjes së bimëve është një pjesë themelore e kësaj qasjeje të përbashkët.