Andis Salla betohet si Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 19/09/2025

Andis Salla betohet si Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Andis Salla është betuar sot si Ministri i ri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, pas një karriere të spikatur në administratën publike, atë lokale dhe sektorin juridik.

Ceremonia e betimit u zhvillua në Presidencë, ku Salla mori detyrën për të drejtuar një nga dikasteret kyç për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Pas një karriere të spikatur në administratën publike dhe sektorin juridik, ku ka shërbyer si Kryetar i Bashkisë Cërrik dhe ka pasur eksperiencë të gjatë si jurist, Z. Salla do të drejtojë këtë dikaster të rëndësishëm në një periudhë që kërkon modernizimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorëve të bujqësisë dhe infrastrukturës rurale.

Salla ka përfunduar studimet për Drejtësi në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe është kualifikuar si avokat pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë në vitin 2014.

Ai ka ushtruar funksione të rëndësishme si Drejtor i Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Elbasan, përpara se të kalonte në administratën lokale si Kryetar i Bashkisë Cërrik, ku ka udhëhequr projekte të rëndësishme për zhvillimin e qytetit.