Ministri Salla takim me drejtuesit e MBZHR-së: Prioritet mbështetja për fermerët dhe rritja e prodhimit vendas - Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Postuar më: 22/09/2025

Ministri Salla takim me drejtuesit e MBZHR-së: Prioritet mbështetja për fermerët dhe rritja e prodhimit vendas

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi një takim me stafin drejtues të MBZHR-së, ku u diskutua mbi problematikat dhe adresimin e zgjidhjeve për sektorët e bujqësisë, blegtorisë, peshkimit dhe zhvillimit rural.

Ministri Salla theksoi se përparësitë e ministrisë do të jenë mbështetja për fermerët dhe rritja e prodhimit vendas.

Ministri theksoi si prioritet edhe përmirësimin e infrastrukturës bujqësore dhe rritjen e përdorimit të teknologjive më të avancuara, që do të kontribuojnë në rritjen e efikasitetit dhe qëndrueshmërisë.

Po ashtu, u diskutua për nxitjen e agroturizmit si një mundësi për zhvillimin e zonave rurale dhe krijimin e mundësive të reja ekonomike.

Ministri Salla theksoi gjithashtu rëndësinë e përdorimit të fondeve publike dhe programeve mbështetëse në mënyrë më të efektshme, për të arritur objektivat që lidhen me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.